Ahmet Selmani: Kënga e Rexhës me gjeth kanabisi

ahmet selmani gjarper observerkult


(ose nëna me gozhdët e dhembjes)

Nëna
shkul flokët
dhe çjerr faqet
me thonjtë e pikëllimit:
Çou Rexho dil te lama
dasëm t’madhe po t’ban nana!
(Rexha kishte vrapuar me kalë
nëpër fushat e kanabisit)
Çou Rexho, çou djalo
çou sokoli nanës o!
(Rexha kishte vdekur
me gjeth kanabisi në dorë)
Ju mor krushq hani e pini
nesër Rexhën n’dhe t’ma shtini!
(Kali hingëllin nën hijen e kanabisit
pa e ngrënë asnjë gjeth)
Dhe nëna mbeti fillikat
duke i përkëdhelur
gozhdët e dhembjes
në zemër.