PIKTURIMI I FLUTURËS nga Ahmet Selmani
(ose zëri i fjetur)
Teksa qëndroja kundruall pyllnajës së luleve, i mahnitur nga laryshia dhe bukuria e tyre, sa çel e mbyll sytë ia behu një flutur tmerrësisht e bukur duke u ndalur mbi fletëzat e gjera të njërës prej tyre. Gati më dehu me bukurinë e saj përrallore. Ishte aq e bukur, sa çdo lule e linte nën hije. Ndonëse aty nuk qëndroi gjatë për t’u ngopur duke e parë, mjaftoi edhe ajo kohë e shkurtër që unë të mbetesha si i gozhduar pa bëzajtur fare.
Pasi u largua tutje me fluturimin e saj engjëllor e magjik, seç më kaploi një mall përvëlues për të. Thjesht desha ta shihja edhe një herë bukurinë e saj. Duke pritur mos po vinte rishtazi, dikur i humba shpresat se mund të ndodhte një gjë e tillë. Ndaj më shkrepi në mendje ta pikturoja me ngjyra në pëlhurë.
Pasi u mora disa orë me radhë, më në fund arrita ta bëja fluturën gati të gjallë. Në këtë mënyrë ndjeva në shpirt një kënaqësi të paparë. Por, çuditërisht, krahas kësaj, njëherazi seç ndjeva edhe sikur diçka mungonte në pikturën time. Megjithatë, kjo ishte një mungesë e papërkufizueshme. Dhe zura të vramendem gjerë e gjatë se çfarë mund të ishte ajo gjë që i mungonte pikturës sime. I numëroja me radhë; trupin e fluturës, kokën, krahët, ngjyrat etj. Ndërkohë, malli për fluturën po më gërryente si me thonj. Por s’dija si ta shuaja atë?!
Ndërkaq, unë vazhdoja të rremendesha se flutura ishte e tëra në pikturën time. O i marrë, fluturën e ke bërë si të gjallë, por fluturimin e saj nuk mund ta bësh asnjëherë. Më e bukur se flutura, është fluturimi saj. Ç’kuptim do të kishte ajo nëse nuk do të fluturonte, m’u fanit një zë. Mbeta i habitur dhe i tronditur njëherësh. Nuk i jepja udhë se nga vinte ai zë i pazakontë. Ndoshta mund të ishte zëri im i fjetur i cili në atë çast ishte zgjuar nga kllapia jetësore!?
ObserverKult
Lexo edhe: