Martin Camaj: Fisi i panjoftun

martin ca

Ka rrashtën e Dranjes simbol dhe rri pranë trojeve të rrënueme prore mbanesh.  Këqyri si ngriten në bulshane qyteza, anfiteatra e tempuj me gur të nxjerrun nën kambët e tyne. Nalt në brija u kënaq ai fis tue kundrue dritën e anijeve si digjen e përvlohen në ranë. Dhe kur u rrëzuen kështjella e pyrgje u sprap për të mos i ra kambëve gungoret e mureve në rrënim.
        Ai fis nuk pati nevojë për tragjedina dhe art skenik: lindja e jeta e popujve buzë detit qe për atë një lojë. Fëmijët në djep i mësuen me njohë dhe me emnjue barnat mirëbamëse, yje e sheje në qiell për ndërrime stine e moti.
       Ai fis zotave të huej u la emnin e vet për të mos e përlye gjuhën me ta! Më duket se përpara se me hapë sytë ai popull përvetësoi parimin:
       Me qenë gurë i latuem përgjysmë për mos me hy kurrë në shtylla madhështore për të mëkambë ndonjë tempull, dhe fjala e tij vetëm tingull ndër dhambë të thyem për të mos lanë kund hije në rrasë, as në pergamenë.
      Ai fis ashtë i vetmi që shikoi diellin kokërr e pau një pikë të kuqe në një disk: dritëzën e syve të vet./ ObserverKult