Ahmet Selmani: Profecia e Haxhi Qamilit

ahmet selmani gjarper observerkult


(ose varja në litarin e njëjtë)

Haxhi Qamili (1876-1915) ose Haxhi Zjarrmi, siç e kishin quajtur ndryshe, duke qenë sheh në një teqe te tarikatit melami dhe duke shërbyer te bejlerët e Tiranës, njëditëzaj, me të parë një sapun me të cilin ata i lanin duart, kishte menduar se ishte djathë dhe e kishte ngrënë.
Për shkak të kësaj, ata mbetën pa mend në krye dhe e zbuan menjëherë. Pastaj ai u përfshi në kryengritjen e vitit 1914-1915 duke u bërë njëri nga prijësit e saj. Nën parullën “Duam babën, duam babën”, ai e ngriti sërish flamurin e Perandorisë Osmane duke e shpallur edhe osmanishten si gjuhë zyrtare.
Mirëpo, nuk kaloi shumë kohë, pasi u shtyp kryengritja e tij, Haxhi Qamilin e kapën të gjallë dhe e dënuan me varje në litar. Përpara se t’ia rrëmbenin jetën, Esad Pashai vajti pranë tij dhe i premtoi se nëse me duart e veta do t’i varte në litar të githë shokët e tij që kishin luftuar, atij do t’ia falte jetën. Dhe pa u dymendur fare, Haxhi Qamili e pranoi këtë kusht çnjerëzor.
Në këtë mënyrë, teksa filloi me pashpirtësi që t’i varte shokët e tij një nga një në litar, ai më shumë e përfytyroi veten duke ulëritur para vdekjes mizore sesa ata që plandoseshin për toke si gogolë të frikshëm.
Nën këtë ankth tepër të llahtarshëm, pas disa çastesh profecia tragjike e tij doli plotësisht e vërtetë, sepse Esad Pashai nuk e mbajti premtimin e dhënë, por në fund e vari edhe atë në litarin e njëjtë. Nga goja nuk i doli asnjë fjalë me të cilën do të mbahej mend, thjesht pas tij mbeti vetëm parulla e famshme “Duam babën, duam babën”./ ObserverKult