AIDSSH: Luan Malltezi tërheq dosjen e përkthyesit Veniamin Dashi

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit vazhdon t’i përgjigjet interesit të studiuesve për dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Pranë autoritetit të Dosjeve ishte sot Luan Malltezi, ish-drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit dhe Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, i cili ka aplikuar pranë AIDSSH për njohje me dosjen e Veniamin Dashit, mes përkthyesish e gjuhëtarësh të tjerë.

Malltezi tërhoqi dosjen dhe vizitoi mjediset e institucionit, i shoqëruar nga kryetarja Gentiana Sula.

Aktualisht, AIDSSH po punon për ngritjen e një projekti, në bashkëpunim me partnerë, për profilet biografike të përkthyesve dhe gjuhëtarëve të përndjekur dhe dënuar në diktaturë.

Veniamin Dashi lindi në Elbasan në vitin 1899. Mbaroi studimet e larta për histori në Vjenë, Austri. Mbajti detyrën e drejtorit të Institutit “Nana Mbretneshë”. Ndihmoi në përfundimin e veprës “Lidhja e Prizrenit dhe punët e saj”.

U arrestua më 1946 në Fier dhe u dënua me 10 vjet burg për veprimtari antikomuniste. Më 15 dhjetor 1947, me vendimin nr. 493, Gjykata Ushtarake Elbasan e dënoi me 20 vjet burg, konfiskim të pasurisë dhe humbjen të drejtës elektorale për 5 vjet. Në mars 1948, Komiteti Ekzekutiv i K. P. të Qytetit të Elbasanit urdhëroi sekuestrimin e pasurisë së tij të tundshme dhe të patundshme. Me dekret të Kuvendit Popullor, nr. 819, më 27 prill 1949, dënimi iu zbrit në 7 vjet burg.

Në burgun e ri të Tiranës, ku kreu dënimin, u caktua në repartin e përkthimeve. Ka përkthyer me dhjetëra vepra albanologjike nga më të arrirat. Përkthimet e tij janë shfrytëzuar në anonimat nga Instituti i Historisë, Instituti i Arkeologjisë, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, etj. Ndërroi jetë më 1965./ATSH