Ajo e donte të shoqin me gjithë zemër… poezi nga Luljeta Lleshanaku

Ky është varri i një gruaje romake
në vitin 135 para Krishtit:
“Prindërit e quajtën Klaudia.
Ajo e donte të shoqin me gjithë zemër.
Lindi dy djem.
Ishte e këndshme në bisedë dhe e fortë në durim.
Mbajti shtëpinë, tori lesh.”

Gratë që unë njoh
mund të përshkruhen po kaq thjeshtë, me një rresht të vetëm:
M që enët e bakrit i fërkonte me rërë.
L që ëndërronte tepër për të bijtë, aq sa u ndëshkua me jetë të shkurtër.
Sh së cilës askush s’ia merrte për turshi.
H që s’e hiqte nga goja të vëllain e vrarë pabesisht.
K që hiqte pushin nga fytyra me një maskë veze dhe sheqeri.
F që e para zbuloi se fustani i bardhë kombinohet me trëndafila të verdhë.
D që hekuroste një vijë të përkryer në mëngët e të shoqit,
edhe kur e dinte që ai po dilte me një grua tjetër.
G që i bënte të gjithë për të qarë kur vajtonte të vdekurit.
P që shkonte mirë me të vjehrrën.
S që bënte një abort çdo gjashtë muaj.
T që kishte gjithmonë një fije të ikur çorapi dhe të qeshur të ëmbël.
N që piqte kafe të mirë nëse i ndodhej.
R që e mbante të fshehtë që shiste gjak.
Z që ia mblodhi me duar zorrët të birit,
kur ia plasi treni i mallrave…

Vetëm me një rresht,
ekonomik si tekstet e telegrameve: 20 qindarka një rrokje,
madje të shtypura gjithë gabime nga punonjëset e postës,
si e vetmja mënyrë për t’u mbajtur mend.

Vetëm një rresht,
një vij të vetme pa ndërprerje,
si portreti i Don Kishotit në duart e Pikasos.

Ju kujtoni se është e lehtë?

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Kusht për t’u mbajtur mend”

=========================

Lexo edhe:

LULJETA LLESHANAKU: NJË TJETËR DËSHMITAR