Georgi Strumski: Ajo që kam dashuruar dhe dashuroj

Ajo që e doja dhe e dua,
tani fle e qetë në krahët e mi.
Rri e mendoj gjatë çka ish’ për mua,
dhe pranë saj shoh veten përsëri.

Më kujtohet një mëngjes, në rrugë
fërfëllonin posi dy litarë
dy gërsheta mbledhur si në drugë,
madje, më kujtohet, shumë më parë.

Me atë që dua dhe e doja
u kam hedhur zogjve një grusht grurë,
me rrokje lëçitja dhe vrapoja
n’kohët qesharake kur e kur,

kur gjithçka e mirë ishte në botë
dhe kur ëndrra u bë mbarë,
unë atëher’ atë e th’rrisja motër.
Madje, më kujtohet, shumë më parë…

Atë që e doja dhe e dua,
mua s’më kujtohet si e th’rrisja,
butë në duart e saj më mbante mua,
fytyrën tek unë ajo kumbiste.

Tiparet e saj me mirësi
Rrezatojnë dritë në këtë dhé.
Kujtime nuk ka, s’ka gjithsesi,
Edhe un’ në botë s’jam ende.

Nënë,
motër,
grua
më e ndodhur,
nënë e birit tim.
Në krahët e mi ti fle e lodhur
dhe nuk sheh asgjë në ëndërrim.

Ajo që e doja dhe e dua.

Përktheu: Myzafer Xhaxhiu