Akademia e Shkencave mbajti konferencë shkencore për poetin kombëtar, Naim Frashëri

Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej” kanë zhvilluar në Gjirokastër “Konferencën shkencore në nderim të 175-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit”.

Seanca e parë u drejtua nga rektori i Universitetit të Gjirokastrës prof. dr. Bektash Mema, akad. Pëllumb Xhufi – kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe prof. asoc. Merita Gjokutaj.

Në fjalën e përshëndetjes, kryetari i Akademisë së Shkencave akademik, Skënder Gjinushi, tha se “kjo konferencë shkencore që po çelim është e pari në rendin e një vargu veprimtarish që Akademia e Shkencave ka parashikuar të zhvillojë këtë vit, në 175-vjetorin e lindjes së figurës emblematike të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit e gjatë këtij viti do të ndiqet nga konferenca e botime të tjera, veprimtari nderimi dhe studimi.

“Në historinë e popullit tonë ka pasur shumë personalitete që i kanë mbiquajtur Shqiptari, por vetëm njërit prej tyre populli i bashkoi edhe emrin e vendit të vet, dhe ky ishte Naim Shqipëria. Siç pati shkruajtur Eqrem Çabej tutje tetë dekadave e ca, ideologjia kombëtare shqiptare lindi dhe u formësua si një zgjim sinkronik: dega lindore e saj, me Naim Frashërin në kryeqendër, që udhëhiqej nga idealet iluministe volteriane të Perëndimit, nga njëra anë; dhe dega europiane e saj, me Jeronim de Radën në qendër, e cila, bashkëvajtëse e rrjedhave të bajronizmit, kishte në përmbajtjen e vet ekzotikën e Lindjes: dhe jo vetëm të lindjes në këtë anë të Adriatikut, të “Motit të madh të arbërve”, por ekzotikën tipike perëndimore, që mbërrinte deri te mitet e kryemoçme sanskrite. Naim Frashëri dhe Jeronim de Rada janë dy figurat më të rëndësishme të shekullit të formimit të vetëdijes kombëtare shqiptare. Rreth tyre bashkohen të gjithë: poetë, mendimtarë, publicistë, kryengritës. Naim Frashëri është ndër figurat e rralla që nuk është kontestuar gjatë gjithë historisë së jetës dhe veprës së vet. Naim Frashëri është poeti i historisë së letërsisë shqipe i gjithëpranuar si poet kombëtar e çdo përpjekje për të krijuar opozicione të gjithfarshme me figurën e tij: mbi baza lokale, gjuhësore, madje edhe fetare, s’ka patur jehonë e vetëm e kanë lartësuar figurën e tij. Vëreni me sa elegancë dhe fisnikëri shkruante At Gjergj Fishta për njërin prej trinisë së pandashme të Frashërllinjve pikërisht At Gjergj Fishta, në veprën e tij Lahuta e Malcìs, krejt sfidant ndaj ngucakeqasve që e bezdisnin dita me ditë duke e pyetur direkt e tërthorazi: pse të ketë një poet kombëtar, a nuk duhet të ketë një jugu e një veriu, një tosk e një gegë, një të krishterë e një mysliman: Aj âsht trimi Frasher Begu, Qi gjithkund, ku e qiti shtegu, I la nâm aj Toskënìs, Faqe t’ bardhë i la Shqypnìs”, tha ai. 

LEXO EDHE: Naim Frashëri: Pse s’vjen, o ditë e mirë?