Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka mbajtur të premten mbledhjen e Asamblesë.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi përshëndeti pjesëmarrësit akademikë, anëtarë të komisioneve të përhershme, miq e të ftuar dhe e nisi fjalën e tij me një homazh për ndarjen nga jeta të dy anëtarëve të vyer të Asamblesë, Petraq Petron dhe Artan Boriçin gjatë këtij viti të vështirë të pandemisë Covid-19.
Gjithashtu, Gjinushi ia dedikoi homazhin kujtimit dhe veprës së akademikëve të ndarë më herët nga jeta nga jeta: Alfred Uçi, Arben Puto, Afërdita Veveçka, Dritëro Agolli, Farudin Hoxha, Gudar Beqiri, Jorgo Bulo, Kristo Frashëri, Kolec Topallit, Kristaq Priftit, Salvator Bushati, Shaban Demiraj e Ylli Popa.
Më tej Kryetari i Akademisë së Shkencave paraqiti një relacion mbi veprimtarinë e institucionit gjatë periudhës janar-qershor 2021.
“Gjatë kësaj periudhe, Kryesia, seksionet, komisionet e njësitë janë angazhuar për realizimin e programit të miratuar nga kjo Asamble dhe për hedhjen e bazave të fazës së dytë të reformës, që lidhet me raportet që do të vendosen midis Akademisë së Shkencave dhe qendrave kërkimore në vend, si të atyre ekzistuese, ashtu edhe atyre të reja. Faza e dytë është e lidhur me zgjerimin e forcimin e njësive të reja të kërkim-studimit. Për pasojë aktiviteti i tyre përbën edhe një nga detyrat kryesore të kësaj periudhe”, -tha Gjinushi.
Ai përmendi disa nga arritjet konkrete si laboratori i imunologjisë në QSUT për vlerësimin e imunitetit të fituar ndaj Covid-19; sukseset e konferencave ndërkombëtare; rritja e aktivitetit të njësisë së re NanoAlb; ngritja e njësisë së inteligjencës artificiale; themelimi i Institutit të Fizikës, etj.
Akademiku Gjinushi tha ndër të tjera se “projektet e mëdha të albanologjisë përbëjnë dhe angazhimin kryesor të Akademisë së Shkencave për këtë vit. Përgatitjet janë bërë edhe për kuvendin e madh të albanologjisë dhe kongresit të nanoshkencës dhe nanoteknologjisë”.
Gjinushi përmendi edhe arritjet në fushën e botimeve, ku edhe për këtë vit është parashikuar botimi i rreth 30 veprave dhe të tjera arritje e bashkëpunime në kuadër të reformës.
Në fazën e dytë të mbledhjes së Asamblesë u bë ndarja e diplomave të njësuara për anëtarët e Asamblesë që kaluan në statusin akademik emeritus, Anesti Kondili, Apollon Baçe, Dhimiter Haxhimihali, Ethem Likaj, Fatos Kongoli, Florian Vila, Gjovalin Shkurtaj, Mark Tirta, Rexhep Meidani dhe Jani Vangjeli
Më pas kryetari i ASHSH-së, bëri paraqitjen e kandidatëve të regjistruar për konkurrim për akademik i asociur dhe u kalua në votimin e kandidaturave, nga të cilat fituan:
Prof. dr. Besnik Baraj, akademik i asociuar në shkencat e kimisë.
Prof. dr. Fatbardh Sallaku, akademik i asociuar në shkencat bujqësore.
Prof. dr. Gëzim Hoxha, akademik i asociuar në fushën e arkeologjisë.
Prof. dr. Kozeta Sevrani, akademike e asociuar në informatikë.
Prof. dr. Rrapo Ormëni, akademik i asociuar në gjeofizikë.
Prof. Stefan Çapaliku, akademik i asociuar në fushën e studimeve letrare