Aktivistët hyjnë brenda rrethimit të ndaluar të Teatrit, bëjnë gjestin simbolik në rrënojat e tij

Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë hyrë brenda rrethimit të Teatrit Kombëtar, tashmë të shembur. Hyrja brenda rrethimit është e ndaluar, por policia nuk i ka penguar dhe thjesht ka filmuar gjithë veprimet e aktivistëve.

Ata kanë mbjellë brenda rrethimit tre pemë ulliri, në shenjë simbolike. Aktivistët kanë shpjeguar se njëra pemë është mbjellë për Teatrin e shembur, njëra për Europën dhe tjetra për Shqipërinë, si kujtim për 30-vjetorin e hyrjes së shqiptarëve në ambasadat e huaja.

“Jemi këtu në sheshin e teatrit, 2 korrik 2020 për të lënë një shenjë në 30-vjetorin e rrëzimit të ambasadave europiane sot në këtë territor të ambasadës së republikës së teatrit ne vijmë për të lënë një shenjë për të mbjellë ullinj. Një për Tearin, një për Shqipërinë dhe një për Europën”, është shprehur njëra nga aktivistet, transmeton ‘shekulli’.

Qëllimi i hyrjes së tyre ishte edhe ngritja e flamurit të rrëzuar ditën e shembjes së Teatrit më 17 maj, flamur që mbeti nën rrënoja e u mor nga artistët.