“Tiranës i duhet një teatër i ri, që do të jetë një frymëzim për brezat e rinj”. Kështu u shpreh aktori Lulzim Zeqja për ATSH-në, një prej dhjetëra artistëve që kanë firmosur peticionin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.
Zeqja tha për ATSH-në se, “Teatri Kombëtar i cili u shemb në fundjavë kishte një rëndësi sa i takon kujtesës emocionale, por kishte humbur funksionet e tij dhe nuk është e drejtë që politika për interesat e saja të ndyra të luajë tinëz me artistët”.
“Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë për një teatër të ri modern. Popullsia e Tiranës është rritur. Sot jemi diku te 1.5 milionë banorë dhe kjo popullsi, dhe unë si aktor, kemi nevojë për një teatër të ri, modern, i cili plotëson ato kushte dhe nevoja që për mua si artist janë shumë të rëndësishme dhe që nuk i gjeja tek teatri i vjetër, duke nisur nga skenografia dhe shumë detaje të tjera të rëndësishme për t’ju përshtatur nevojave të artistëve dhe ndjekësve tanë. Ai Teatër Kombëtar që kishim, veç kujtesës emocionale që ka për mua, pasi ishte një nxitje për të qenë pjesë e asaj skene, për të qenë përkrah të gjitha figurave që janë ngjitur në atë skenë dhe që kanë qenë frymëzim dhe mbeten, ai teatër nuk plotësonte më kushtet. Dhe besoj që teatri i ri do të jetë një zgjidhje për shumë vite të tjera dhe do jetë frymëzim për brezat e rinj që do të vijnë”, – tha Zeqja për ATSH-në.
“Unë besoj se Tiranës i duhet një teatër i ri. Unë jam shprehur pro, nuk kam asnjë gjë dhe asnjë problem me ato që janë kundër teatër të ri dhe më vjen keq që bëhet pjesë tinëzare, nuk është debat i pastër. Ne po shihemi si armiq të popullit, por nuk besoj se jam armik i popullit dhe ata artistët që kanë mendim ndryshe për Teatrin Kombëtar kanë mendimin e tyre dhe nuk janë armiq as ata. Ata besojnë në bindjen e tyre, politika po tregohet e ndyrë. Unë përfitoj nga kjo histori një godinë me parametra shumë të mira, ky është interesi im i vetëm, s’më intereson as kulla dhe asgjë tjetër”, – u shpreh Zeqja.
“Me çfarë kam dëgjuar, pasi kam qenë tek të gjitha tavolinat e realizuara për debatin për Teatrin e ri Kombëtar, edhe të gjithë specialistët, nuk besoj se ata gënjenin, ishin burra me thinja dhe s’besoj se janë blerë nga Veliaj e Rama, ishin ekspertë me thinja dhe thonin që ky teatër nuk funksionon. Unë jam shprehur dhe jam për një teatër të ri dhe bisedat e vogla që bëhen nuk më interesojnë. Kam bërë një punë dhe besoj që investimin tim do t’i japë të drejtë koha dhe nuk dua të futem në biseda të vogla. Jam i pastër në këtë që them”, – tha Zeqja për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.