
35 sekonda. Kaq kohë ke në dispozicion për të ndryshuar skenën në Eurovision.
35 sekonda që balerinët të ndërrohen dhe grupi tjetër të zënë vendet e tyre.
35 sekonda për t’u siguruar se të gjitha kanë mikrofonët dhe kufjet e duhura.
35 sekonda për të parë se mjetet skenike janë në vendin e duhur dhe të montuara.
Ndërsa ne shijojmë nga shtëpia kartolinat e bukura, dhjetëra njerëz dynden në skenë për të bërë gati aktin e radhës.
“Ne e quajmë ndërrimi i gomave të Formula 1”, thotë menaxheri hollandez Richard van Rouwendaal që qëndron pas gjithë kësaj. “Çdo person mund të bëjë vetëm një gjë. Ti vrapon në skenë me një mjet skenik apo një llambë. Ti ecën gjithnjë në të njëjtin drejtim. Nëse devijon, do të godasësh dikë. Është pak si patinazh në akull.”

Ekipi nis të bëjë prova me “ndërrimin e gomave” javë përpara se të mbërrijnë konkurrentët. Çdo shtet duhet të dërgojë planimetri të detajuara të skenës dhe Eurovision punëson persona për t’i realizuar aktet, ndërsa asistentët nisin të reduktojnë sekondat.
“Kemi rreth dy javë në dispozicion”, thotë Van Rouwendaal. “Kompania ime ka rreth 13 hollandezë dhe 30 vajza e djem vendas që ‘e tundin’ Zvicrën. Në këto dy javë, duhet të kuptoj se cili është i duhuri për çdo punë. Dikush është i mirë në vrapim, dikush në ngritjen e peshave, dikush në organizimin e prapaskenës. Është si të jesh i mirë në lojën Tetris sepse duhet të rendisësh gjithçka në një hapësirë të vogël, në mënyrë të përsosur.”
Sapo kënga mbaron, ekipi është gati. Veç asistentëve, ka persona që merren me pozicionimin e dritës, mjeteve piroteknike dhe 10 sanitarë që ‘i përvishen’ skenës me lecka e fshesa korrenti para çdo performance. “Sanitarët janë po aq të rëndësishëm sa asistentët. Të duhet një skenë e pastër për balerinët, por nëse ka një moment kur kamera filmon nga lart dikë që është shtrirë,nuk ta ka ënda të shohësh gjurmë këmbësh në dysheme.”

Vëmendja ndaj detajeve është e paimagjinueshme. Në prapaskenë, çdo këngëtar ka mbajtësen e vet të mikrofonit që ka lartësinë dhe këndin e duhur për t’u siguruar që çdo performancë del e përsosur në kamera.
“Ndonjëherë delegacioni mund të thotë se artisti do të veshë këpucë të tjera për finalen. Por nëse kjo ndodh, mbajtësja s’është në lartësinë e duhur kështu që kemi një problem!”, thotë Van Rouwendaal. Sigurisht, ky mund të jetë më i vogli sepse andrallat përgjatë viteve s’kanë munguar.
Gjatë spektaklit, ka rrugë sekrete për të kaluar mjetet skenike, sidomos kur në mes të performancës nevojiten elemente të reja. “Organizohet deri në milimetra. Nuk jemi të padukshëm, por duhet të jemi të padukshëm.”

Por nëse shkon keq?
Ka disa truke që publiku nuk i vë re. Nëse Van Rouwendaal thotë “skena s’është e pastër”, regjisori ‘blen’ kohë duke shfaqur një pamje të gjerë të publikut.
Nëse ndodh një incident më i madh, “një kamera thyhet, bie një mjet skenik”, prezantuesi në dhomën e gjelbër mund të flasë për ca minuta.
Në dhomën e kontrollit, një kasetë nga prova gjenerale luhet në sinkron me shfaqjen e drejtpërdrejtë, duke lejuar regjisorët që të përdorin menjëherë versionin e regjistruar në rast se ndodh ndonjë avari.

S’është aspak habi që pjesa skenike e një spektakli të drejtpërdrejtë prej tri orësh është stresues. Këtë vit, organizatorët kanë marrë masa për mirëqenien e konkurrentëve dhe ekipit duke bërë prova me dyer të mbyllura, pushime më të gjata midis shfaqjeve dhe krijimin e një “zone të shkëputur” ku nuk lejohen kamerat./tvklan.al
ObserverKult
lexo edhe:
Eurovisioni rikthehet sonte me gjysmëfinalen e dytë/Lista e vendeve që do të ngjiten në…
Nga Anjeza Shahini te Shkodra Elektronike/ Historia e Shqipërisë në finalet e Eurovision