Alain Bosquet: Dialog të dashuruarish

Poezi nga Alain Bosquet

I them: “Cili është emri juaj?”
Ajo përgjigjet: “Si të të pëlqejë.”
I them: “Të zgjedhim p.sh. Karolë?”
Ajo: “Për momentin, po e pranoj”.
I them: “Jini vetëm?”
Ndërsa ajo: “Sigurisht, jam me ju”.
I them: “A mund të dashurohemi?”
Ajo: “Dëshira juaj i ka të gjithë të drejtat”
I them: “Cilët janë burrat tuaj?”
Ndërsa ajo: “Njerëzit e kazinosë, industrialistë, mjeshtra noti.”
I them: “Po preferencat tuaja?”
Ajo: “Ata që janë të trishtë, por jo dhe aq”.
I them: “A shkojmë të hamë bashkë?”
Ndërsa ajo: “Guackat janë një prelud i mirë”.
I them: “Ndonjëherë a lexoni?”
Ndërsa ajo: “Sartrin, Kamynë, Tomas Manin.”
I them: ” Ju keni gjinj të bukur?”
Ajo: “Edhe mua më pëlqejnë”.
I them: “Jeni pothuajse hyjnore”
Ndërsa ajo: “Keni shumë të drejtë”.
I them: ” Ja një dhuratë. ..”
Ajo:”Ndoshta është falas”
Ne u dashuruam të hënën, të martën, të dielën,
dhe të hënën e ardhshme.
Ne folëm për Floberin,
pastaj për Tolstoin.
I them: “Keni gjunj që s’mund t’i harrosh”
Ajo:”Vetëm gjunjët?”
Dhe ne u lodhëm me njëri tjetrin,
në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë,
çka është e rrallë dhe e virtytshme.

Përktheu: Luan Rama

ObserverKult


Lexo edhe:

(VIDEO) NIMON MUÇAJ LEXON NJË CIKËL TË ZGJEDHUR POEZISH TË ADEM GASHIT/ FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS 2