Alain Bosquet: I vetëm jam, i vetëm…

I vetëm jam, i vetëm jam, është ora e rrëmujës.
Fjalët-u flas-kanë frikë të më flasin.
Nata më rrethon, për planetën time kapem.
Vallë është jugu n’veri? Ylli im piku në tokë.

I vetëm jam, i vetëm jam, nga anijet bie borë.
Ekuatori është i mbuluar me kuvertë të thyer.
Oqeanin e kujtova merr-e-jep-e-le.
Lëkundje e mishit tim, kur do t’marrësh
                                                   qetësim?

I vetëm jam. Qeshja ime më ve në lojë.
Ai hëngri hënën, shqiponjat bëjnë kështu.
Spiranca kafshën ma shpon: do t’thosha
                                            lëvozhgë veze
Që sillet, përsillet e vijat më nuk i njihen.

I vetëm jam, tash edhe skeleti më braktis.
Shkon të shitesh, skeleti im? Ke të drejtë.
Verbi im më tradhëton, por asgjë nuk më habit.
Nëse vdes unë bota s’do të jetë më e ftohtë.

I mësova detyrat; duhet të them “egzistoj”,
Paj nëse edhe poleni zemër t’mu ketë bërë.
Kush i frigohet vdekjes? Vdekja s’do të jetë
                                          pikëllimtare;
Skaj saj dhe lëkura do t’më mbulohet lule.

I mësova detyrat, të bukurën njerëzit!
Për çdo dëshpërim duhet thënë “falemnderit”-
Unë nuk them gjë, jam i gozhduar në heshtje.
Për një fjalë të mbrapshtë trupi më ngushtohet.

Jam i urtë; çdo shpikje e poetit
Nuk vlen një trëndafile të bartur në valë palë.
Trëndafile, trëndafile pa emër, ju jeni më të
                                                           gjalla
Se emri juaj që kurrë s’do të marrë dalë.

Jam i urtë; njerëzve duhet t’u shërbej.
Guxim nuk kam dhe të gjendem nuk mund!
Fshimëni, ua thashë, me një t’lëvizur gome,
O brejtje gurore, o urrejtje bimore!

Po të doni-është pelegrinazh i funtmë-
Po shkoj në fund të botës pa ditur fare pse.
Bota është e dyshimtë, m’kërkon kafshatë
Dashurie a miqësie nën diellin borgjez.

Po të doni- është sprovë e funtme-
Për mbretërinë e së mirës gjakun do ta derdh.
Gjaku tashmë po bëhet vetëm pak pështymë;
Zogu i parajsës zog tregëtar.

Përktheu: Rexhep Ismajli