
Qëndrojnë pa lëvizur
Plot yje në lartësi
Prej mijëra vitesh e shihen
Me dhimbje për dashuri.
Dhe flasin ata një gjuhë
Të pasur, plot bukuri;
Asnjëri nga filologët
Gjuhën e tyre s’e di.
Po unë atë e mësova
Dhe s’e harrova pastaj;
Më ndihte si gramatikë
Fytyra e dashur e saj.
Përktheu: Petraq Kolevica
———————————————————————————-
LEXO EDHE: Cikël poetik nga Hajnrih Hajne: Unë qava në ëndërr…
Bridh!
Kur një femër të del tradhtare,
Gjej një tjetër vrik e vrik;
Bile, më mirë lëre qytetin fare –
Ngjeshe trastën edhe ik!
Një liqen të kaltër do ta gjesh pastaj,
Rreth me shelgje helm e pikë;
Aty hallin e vogël qaj
Dhe shtrëngimin tënd në grykë.
Malit përpjetë duke u ngjitur,
Sa fort që do të rënkosh;
Po majë shkëmbit kur t’kesh mbërritur,
Zë shqiponjash do dëgjosh.
Atje bëhesh vetë shqiponjë madje,
Je sikur ke lindur qëparë,
Ndihesh i lirë, e ndien që poshtë atje
Nuk ke humbur pale çfarë.
Unë qava në ëndërr
Unë qava në ëndërr,
Ëndërrova sikur ike në paqe.
Kur u zgjova pashë si ende
Loti më rridhte për faqe.
Unë qava në ëndërr,
Ëndërrova sikur më dole besëprerë.
Kur u zgjova qava gjatë
I hidhëruar pikë e vrer.
Unë qava në ëndërr,
Ëndërrova sikur më doje shumë.
Kur u zgjova dhe akoma
Lotët më shkonin lumë.
Ti ke diamante e xhevahire
Ti ke diamante e xhevahire,
Ç’ka vetëm dhe një mbret,
Dhe i ke sytë më të bukur –
E dashur, më tepër ç’pret?
Për sytë e tu të bukur
Kam thurur alamet
Këngësh të paharruara –
E dashur, më tepër ç’pret?
Me sytë e tu të bukur
Më ke munduar kiamet,
Dhe më ke shkallmuar përtokë –
E dashur, më tepër ç’pret?
Asrai
Nur i madh bijë e sulltanit
Përditë vjen edhe shkon
Nga kohë akshami te shatërvani,
Ku ujtë e bardhë gurgullon.
Nga kohë akshami te shatërvani
Përditë qëndron ai skllav i ri,
Ku ujtë e bardhë gurgullon;
Dhe zbehet e zbehet si qiri.
Një mbrëmje princesha
Befas ç’i foli me gojë:
Pa më thuaj si e ke emrin,
Nga ç’vend je dhe nga ç’soj!
E i gjegji robi: Quhem Mohamet,
Vatanit tim Jemen i thonë,
Unë jam nga njai fisi asra,
I cili vdes kur dashuron…
PËR MË SHUMË POEZI KLIKONI KËTU