Albana Beqiri: Figuracioni befasues që kuqlon poezinë

Emine Maliqi pem'za

Libri “Kuqmi flokët e thimë” i autores Emine Maliqi mund dhe duhet të lexohet si një libër që të befason me gjuhën dhe figuracionin e pasur, të veçantë e gati gati eksentrik në pazakontësinë e perceptimit të materies poetike. Libri mund të konceptohet edhe si një ekspozitë befasuese poetike (poezitë edhe kur janë miniatura poezish me tre katër vargje ngjasojnë si piktura të shkruara) përthekuar kujdesshëm prej një koleksioni poezish të thella, në të cilat ndjenjat e fuqishme janë ndërthurur këndshëm me një estetikë të pasur që e shenjon nga fillimi në fund poezinë e Maliqit. Autorja ka zgjedhur subjekte të thjeshta, por të shprehura me një figuracion gati të pazakontë (së paku për poezinë shqipe) të cilat mbajnë vulën e origjinalitetit nga njëra anë e që nga ana tjetër sado provokuese të duken sërish mbartin ngarkesën e domethënieve të thella. Në penën e Maliqit, histori të jetës dhe ngjarje të përditshme përmes këtij figuracioni shndërrohen në poezi të spikatura sidomos për intensitetin e veçantë emocional. 

albana beqiri vdekja

Nga Albana Beqiri

Ndër veçoritë që e spikasin “Kuqmi flokët e thimë” është se libri është i shkruar në gegnisht, një zgjedhje kjo me gjasë e natyrshme për autoren, çka edhe i jep ton e ngjyrim autentik dhe të thellë secilës poezi. Tërheqja kah gegnishtja i vjen siç thamë jo vețëm natyrshëm, pasi në të ndihet në habitatin e saj të përkryer, por edhe si një zgjedhje e mençur, pasi Maliqi ka ditur të marrë më të mirën prej pasurisë kulturore e stilistikore të gegnishtes. Thënë ndryshe duke shkruar gegnisht ajo ndihet bash si në shtëpinë e saj, për më tepër gegnishtja e ndihmon në krijimin e një lidhjeje të fortë me traditat dhe identitetin shqiptar, çka edhe e bën librin më të afërt me lexuesin gegë, të cilit çdo fjalë i gurgullon ëmbël si kujtim i një kohe të shkuar (përdorimi i disa fjalëve arkaike), por çuditërisht i ngulitur hijshëm në të tashmen.

Poezitë e Emine Maliqit e shqiptojnë zëlartë trishtimin e thellë i cili vjen kryesisht nga ndjenja e humbjes. Sidomos ajo e nanës. Te poezia “Varrimi i Nanës”, Maliqi përdor imazhe të fuqishme, si cepi i buzëve i ngrimë mes bore, fëmija i rrënqethun jetim – që del të jetë vetvetja- me sytë ka vorri i nanës duke na e vizatuar kështu me ndjeshmëri të thellë dhembjen e pafund për vdekjen e nanës.

Por më shumë se kaq, ajo përshkruan drithërueshëm procesin emocional të mbijetesës pas humbjes, një gjendje që ndjehet e perceptohet shumë më mirë nga ngarkesa shpirtërore që mbart secila fjalë në poezi. “deka e Nanës/ ish krejt ndryshe/ ai fëmijë mbrenda meje/ s’kish pa/ diçka ma të ftohtë kurrë“. Fëmija nuk është thjesht një metaforë, është e vërteta e shqiptuar poetikisht se vdekja e nanës pikë së pari godet e shkatërron fëmijën në kuptimin parësor (pavarësisht moshës para nanës secili është fëmijë ). Sintagma “diçka ma të ftohtë kurrë” për fund e përforcon dhembjen e papërshkrueshme që vjen nga humbja e njeriut më të dashur në këtë botë. Vdekja e cila në këte poezi është kryefjala e saj, është një temë që përsëritet shpesh edhe në poezi të tjera duke i dhënë librit karakter reflektiv dhe tragjik. Por vdekja gjithashtu është pjesë e jetës dhe përmes poezive në të cilat e kthen në lajtmotiv, pavarësisht dhembjes së madhe, autorja, në një mënyrë ose në një tjetër e pranon atë. Poezia “Nana”, e cila edhe hap librin, është portretizimi rrënqethës i vdekjes së nanës, por jeta vazhdon e tash e tutje vajzave të saj ju mbetet të jetojnë me kujtimet, prandaj “secila mori nga nji copë nanë”. “Nana -ma të zorshme e ka pas jetën/ ma të lehtë e ka ba dekën”, thotë ajo te poezia “Nanoo” ku nana tashmë ështe kujtim, asi kujtimi që ngjallet përditë nga e para pasi siç konstaton vetë “kam nisë me ngja me ty”, çka edhe i jep kuptim vargut “Baba nuk më sheh ma në sy”, i cili është ndërtuar i tëri si një figurë e vetme dhe e fuqishme.

Dashuria është fryma e këtij libri, dashuria në shumë dimensione, ajo për nënën, babanë, familjen, natyrën, e sidomos ajo për të dashurin- burrin real e eterik që ndodh të jetë edhe prej letre.  “I dashuni jem prej letre”, është një poezi impresionuese, për dashurinë e rrëfyer me një ndjeshmëri të stërholluar përmes imazheve të thjeshta mbase, por të fuqishme si “të palova degermi / e të fsheha në xhep setre”. Kësisoj ajo e vizaton dashurinë (jo prej letre) si një balancim të bukur mes pasionit dhe humbjes, mes ëndrrave dhe realitetit. Në këte frymë pak a shumë janë shkruar krejt poezitë e dashurisë e për dashurinë të Maliqit, me figura befasuese, jo të zakonshme të cilat e “fshehin” dashurinë “brenda poezisë si dy veta që nuk folin”. Ajo vazhdimisht e thërret dashurinë, i dhemb humbja, por megjithatë “ka vendosë me ja kthye zemrën që ai e ka lëne tek ajo”, lutet që ai të mos e ketë harruar, por edhe nëse nuk është vështirë për ta gjetur “mozot e më ke harru/ lehtë â me më gjetë/ pëllambën e dorës/ e kam ngjy/ me dy gishta vjeshtë”. Diku tjetër i gëzohet faktit që nuk jetojnë bashkë, jo se “jemi dy duej të këqij/ që dergjen veç e veç”, por “mirë që s‘banon me mue/ po në mue”. E në fund fare edhe dashuria kaplohet nga vdekja. Poetja e shpall vdekjen e saj:
“Vdiq…vdiq edhe dashnia/ s’po di ku m’e vorrosë/ asht mort i mortjes”.  Poezitë e Maliqit nuk e lakojnë rrugën, nuk e fshehin vrazhdësinë e jetës, as nuk mundohen ta zbukurojnë botën, përkundrazi shpesh e përshkruajnë të errët, plot dhembje dhe humbje, por gjithashtu i ndriçojnë edhe dritat e kujtimeve dhe ngushëllimeve të vogla që burojnë nga dashuria dhe afërsia njerëzore.

Autorja nuk e fsheh tërheqjen e saj ndaj natyrës, për më tepër e përdor natyrën si një metaforë për jetën dhe pasionet njerëzore. Në poezi si “Vjeshta jote”, “Vjeshtë” dhe “Kuqmi”, natyra bëhet një reflektim i brendshëm i ndjenjave të autores, duke i dhënë poezive një dimension të dytë – një lidhje të thellë mes natyrës dhe njeriut. Dukshëm vjeshta është stina më e dashur për të, e këtë e pranon edhe vetë “oj vjeshtë kam shkru/ për ty aq shumë sa s’po dij/ je a s’je veç stinë”. E vjeshta e Emine Maliqit është stinë dhe metaforë, është  koha që shkon si gjethet e vjeshtës që bien, por është edhe vjeshta që e mëson të durojë gjithçka që i bie në shpinë. Vetëm se duhet pranuar që as jeta e as poezia e Maliqit nuk janë veç një stinë, përkundrazi janë të gjitha stinët, edhe dimri i akulluar madje. Pranvera çel si blini i saj, e jeta buis si ai. Mjeshtërisht ajo përdor figura që i huazon nga natyra si “fluturat”, “gjethet”, dhe “vjeshta” të cilave u jep një dimension poetik, në të cilin ciklet e natyrës pasqyrojnë ciklet e jetës dhe të dashurisë. “Vjeshtë” dhe “Kuqmi” janë simbole të fuqishme të stinëve dhe humbjes, por gjithashtu të ripërtëritjes dhe të kërkimit të një kuptimi të ri.

Secila poezi mund të lexohet si udhëtim plot të papritura në shpirtin e njeriut ku gjithçka ravijëzohet si nënshkrim i brishtë i kujtimeve dhe dhembjes. Poetja ka një aftësi të jashtëzakonshme për të lidhur poezinë me realitetin e përditshëm dhe për ta shprehur atë në atë mënyrë që ngjall ndjenja të thella tek lexuesi. Psh ajo i merr përditshmërisë figurën e fustanit me të cilin krijon një metaforë të fuqishme që mund të lexohet si fillimi i një jete të re. “e qepa nji fustan/ me të gjitha copat që pata/ ma të zi se nata/ ma të shkurtë se dita e dimnit/ e të hollë si drita/ i hollë/ i shkurtë/ i zi/ mbet i ri”. Jetë e re me copa të së shkuarës (me të gjitha copat që pata), me pasiguritë e misterin e të panjohurës (zi si nata, shkurt si dita e dimnit etj), por gjithsesi jetë e re (mbet i ri).

Për fund,  “Kuqmi flokët e thimë” është libër që rrëfen poetikisht për jetën, vdekjen, mallin, dashurinë dhe humbjen në mënyrë tejet personale dhe të thellë. Poezia e Emine Maliqit duhet të lexohet para së gjithash si udhëtim simbolik brenda vetes dhe me veten. Është poezi e shkruar me sinqeritet çarmatosës sidomos kur e përball veten me humbjen dhe dashurinë, duke i ofruar kështu lexuesit mundësi të pafundme të përjetimit të një bote të pasur mendimesh dhe ndjenjash të shprehura guximshëm me një figuracion befasues e të pazakontë.
Libri “Kuqmi flokët e thimë” është botim i Shtëpisë botuese LITTERA.

ObserverKult

Lexo edhe:

Albana Beqiri: Metafora e një udhëtimi shpirtëror