
E përshpirtshmja mund të gjendet kudo: te filozofia dhe habitë e saj ende tě pazgjidhura për jetën, vdekjen dhe kuptimin e tyre, te muzika dhe te gjuha, te feja, te dashuria dhe natyra e saj e (pa)ndërlikuar, te e shkuara që kur alternohet me të tashmen e zvogëlon disi frikën nga e panjohura e njohur e së ardhmes (kur pak a shumë e di se çka të pret), te identiteti që lundron mes dy etniteteve që të tërheqin me forcën shterruese të gjakut, te ëndrrat që mund të jenë njësoj të realizueshme apo edhe të parealizueshme pavarësisht se ku përket apo edhe te gjithçka që mund të mbetet përjetësisht pyetje pa përgjigje.
Të gjitha këto i gjen brenda një romani e të mishëruar te një personazh, i cili duket sikur është vazhdimisht në kërkim të një qëllimi e ëndrre të paarritshme të materializuar në trajtën e një qyteti imagjinar, Brisban të cilin ëndrra e nënës së tij e ndërton në anën tjetër të globit, në Australi -si mishërim të lumturisë tokësore.

Nga Albana Beqiri
Në romanin “Brisben” të shkrimtarit bashkëkohor rus Eugene Vodolazkin, gjithçka sillet rreth kryepersonazhit Gleb Yanovskyt, i cili është një prej muzikantëve më të mëdhenj të brezit të tij, kitarist i njohur botërisht. Pas një koncerti të mbajtur në Paris e të ndërprerë nga mpirja e pakontrolluar e dorës, gjatë rrugës së kthimit, në avion Glebi takon një shkrimtar, Nestorin, i cili i vetofrohet t’ia shkruajë biografinë. Me gjithë dilemat e shumta, pa e ditur pse, Glebi pranon dhe fillon t’i rrëfehet. Në të njëjtën kohë mëson se ka sëmundjen e Parkinsonit.
Tani gjithçka që ai kishte arritur e bërë në jetë reduktohet dhimbshëm vetëm në pak pyetje: si ta pranosh pa hezitim të papranueshmen që tashmë ka ndodhur dhe si të vazhdosh të ecësh përpara kur gjithçka ka ndryshuar për keq e është kthyer mbrapsht?
Në të pesëdhjetat e tij, me një karrierë në kulmin e saj, Glebit i duhet të ndryshojë dhe rishikojë të gjitha aspiratat dhe synimet e tij dhe pse jo edhe ta rishpikë apo ribëjë veten. Ky është çmimi i mbijetesës së mëpasshme. Ai nuk ka më iluzione, e di se karriera i ka marrë fund mu në kulmin e saj. Sëmundja që mund të përparojë me shpejtësi do ta pengojë që të vazhdojë jetën koncertore. Kështu, falë Nestorit (shkrimtarit) duke u përballur me këtë realitet të ashpër, Glebi kujton fëmijërinë e tij si dhe pikëtakimin e parë e krejt vazhdimësinë e raportit të tij me muzikën.
Mënyra e rrëfimit është nga elementët më interesantë të romanit. Vodolazkini ka zgjedhur që kapitujt e romanit të tij t’i shkruajë si rrëfime të alternuara në dy forma. Kemi aty rrëfimet e të tashmes nga viti 2012 deri në 2014, të shkruara në vetën e parë nga Gleb Yanovsky si një ditar i tij dhe rrëfimet e jetës së mëhershme të Glebit të shkruara në mënyrë kronologjike (1971- 2000) nga një narrator i mirëinformuar për jetën e Glebit, cili fare mirë mund të jetë Nestori, shkrimtari të cilit ai i besoi t’ia shkruante biografinë. Romani sikur shkruhet nga dy duar, të cilat alternohen njësoj si duart që i bien pianos, violinës apo kitarës. Por duart në këtë rast përdorin jo tingujt, por fjalët. Dhe kemi fjalët e fëmijës, ku rrëfimtari zbulon rininë e Glebit, ndërsa fjalët e të rriturit, në këtë rast të vetë Glebit e shpërfaqin atë me sukseset, të metat, dhembjet, plagët, keqardhjet, pengjet dhe gjithçka që e ka ndërtuar jetën e tij prej kitaristi virtuoz. Epiqendra e gjithçkaje është kujtesa. Kujtimet vërshojnë të pabindura dhe lexuesi e sheh veten bashkëudhëtar me kujtimet e Glebit. Bashkëudhëtar në një endje të vazhdueshme artistike mes të shkuarës dhe të tashmes, mes një të riu me mbindjeshmëri muzikore, i rritur në Ukrainën sovjetike të viteve shtatëdhjetë dhe muzikantit famoz të viteve 2010 që e shijon suksesin e tij në Gjermani.
Secila periudhë e jetës së Glebit është pasqyruar me vërtetësinë e kohës dhe vendit ku ai ka jetuar. Djaloshi i dy prindërve të ndarë, jeton me nënën e tij ruse dhe edukohet nga gjyshja nga ana e nënës, lidhet me muzikën, jeton me të e për të, por kur të gjithë e marrin të mirëqenë talentin e tij, ai vendos të lërë Kievin dhe muzikën e shkon drejt Leningradit, i cili më pas bëhet sërish shën Peterburgs ku studion gjuhësi, aty njihet me gruan e tij të ardhshme, Katian një gjermanolindore e dashuruar me rusishten me të cilën pastaj shkojnë përfundimisht në Gjermani. Aty më pas rifillon karriera e tij muzikore e cila kulmon me suksesin dhe famën e tij si kitarist i kalibrit botëror.
Muzika zë një vend qendror në roman. Biri i një violinisti ukrainas, Glebi e ushqen dashurinë për muzikën nga i ati, i cili në fillim mendon se i biri nuk ka talent. Në Kievin e viteve 70, Glebi nis mësimet në shkollën e muzikës në domra, një instrument tradicional ukrainas, fillon të përparojë derisa e lë befas shkollën e muzikës, siç i thotë gjyshit të tij Mefody, “sepse unë do të vdes”. Ukrainasi Mefody, e takon Glebin me priftin vendas, i cili i thotë djaloshit të fiksuar nga ideja e vdekjes se, muzika nuk është përjetësi. Sipas priftit është Zoti ai që po kërkonte Gelbi, i cili pas kësaj bisede kthehet në shkollën e muzikës. Glebi e thotë vetë gjatë një bisede me Nestorin se “ne nuk e kuptojmë se muzika buron nga njeriu”. Romani mund të quhet edhe si një libër i mrekullueshëm për muzikën, pasi aty jepen përshkrime të detajuara për pjesë muzikore apo edhe hollësira teknike e teorike prej njohësi ekselent të muzikës, çka edhe fillimisht ta krijon përshtypjen se MUZIKA është metafora mbi të cilën autori e ka konceptuar krejt romanin.
Por jo, metafora e vërtetë është një qytet, i shënuar si emër në një hartë si dhe dy artistë, karriera e të cilëve ndërpritet në kulmin e saj. Qyteti është Brisbane, që i ka dhënë edhe emrin librit e që nga autori shihet si metafora e të paarritshmes, e lirisë së pakufi, e vendit të të gjitha fantazive duke ta krijuar përshtypjen se ky qytet që e ëma e Glebit thotë se gjendet në Australi, është një lloj parajse, për të cilën dihet apo thuhet (në librat religjiozë) se ekziston, por askush nuk e ka parë. Ndërkaq dyshja e artistëve, nuk janë Glebi dhe e shoqja Katia. Por Gelbi dhe Vera, një 13 vjeçare, pianiste shumë e talentuar, e cila nuk është vajza e tij, pasi ai dhe Katia nuk mund të kenë fëmijë. Katia toleron gjithçka, madje edhe tradhëtinë e Glebit para syve të saj vetëm e vetëm që të bëhen prindër çka edhe e arrijnë kur në jetën e tyre shfaqet Vera- 13 vjeçarja super e talentuar, e cila është diagnostifikuar me kancer në mëlçi. Bashkë me Verën që është bija e një vajze me të cilën Gelbi ishte i dashuruar dikur në adoleshencën e vet, vjen edhe shpresa e humbur dhe po ashtu një mundësi e re. Duke i ndihmuar asaj ai mund të bëjë ende muzikë, e pse jo dhe të performojë. Dhe ndodh që në promovimin e talentit të Verës, Glebi dhe Katia gjejnë një qëllim të ri duke i realizuar dëshirat e tyre të vrara: Katia për amësinë e Glebi për të bërë sërish muzikë. Dy janë gjërat që i afrojnë Glebin dhe Verën: muzika dhe sëmundja. Muzika për ta kthehet në një strehë mbrojtëse prej fundit që po afron. Prandaj edhe lidhja e tyre është një metaforë që tregon se koha në të vërtetë nuk ekziston, ekziston vetëm momenti aktual që duhet jetuar plotësisht.
Por muzika nuk është i vetmi pasion i Glebit. Është edhe gjuha, prandaj jo më kot ai zgjodhi të studionte filologji në universitet. Mbase është e kuptueshme kjo tërheqje e tij ndaj gjuhës, sepse edhe fëmijëria i kishte kaluar mes dy gjuhëve asaj ruse- gjuha e nënës dhe gjuhës ukrainase- gjuha e babait. Dhe për të, gjuha dhe muzika kanë lidhje sinjifikative mes tyre, gjë që ai, pas një kalvari studimesh muzikë- filologji më në fund e kupton kur pranon se muzika është gjuhë dhe vetë gjuha është muzikë.
Këto dyzime të tipit gjuha apo muzika apo edhe gjuha ruse apo ukrainase e çojnë edhe në një dyzim tjetër, atë të identitetit kombëtar të cilin Glebi nuk di ta ndajë as kur kthehet në Ukrainë, në Kiev dhe Maidan menjëherë pas revolucionit të shkurtit. Sepse në thelb identiteti i Glebit nuk përcaktohet nga kombi, prandaj dhe për të Ukraina dhe Rusia janë e njëjta tokë, ndonëse lufta atje tregon se kjo nuk është e vërtetë.
Për fund, “Brisben”, romani i autorit bashkëkohor rus Eugene Vodolazkin vjen si një vazhdimësi e traditës së letërsisë së madhe ruse, ku autori rreket t’u japë përgjigje pyetjeve të mëdha si: vdekja, jeta e kuptimi i tyre, natyra e dashurisë, roli i besimit, qëllimi i artit etj. Dhe po ashtu ai duhet lexuar si një roman polifonik i cili na tregon se vdekjen nuk e mundim dot vetëm me muzikë e as vetëm me dashuri, por veçmas me fuqinë e kujtesës dhe të fjalës.
“Brisben” është botim i shtëpisë botuese Fan Noli dhe vjen në shqip në përkthimin e Rexhep Hidës.
ObserverKult
Lexo edhe:
Albana Beqiri: Rrëfimi artistik i një shoqërie në shpërbërje
Albana Beqiri: Prishtina ose qyteti i trishtë që nuk di t’i gëzohet lirisë