Albana Beqiri: I dua rrudhat e mia, sepse më kujtojnë rrudhat e gjysheve të mia

albana beqiri

Nga: Albana Beqiri

I dua rrudhat e mia, sepse ato më kujtojnë rrudhat e gjysheve të mia. Ato u plakën me dinjitet dhe ishin të bukura deri në fund. I pashë edhe të kërruseshin nga mosha, por jo nga vështirësitë, ishin modeli më i mirë që pata në jetë.

Vërtet nuk e dinin se çka ishte botoksi, shampot, parfumet e kremrat e shtrenjta, por kjo nuk i pengoi të dukeshin të bukura edhe pse bashkë me vitet u shtoheshin rrudhat dhe thinjat.

Nuk ishin aristokrate, por eleganca e sjelljes së tyre ishte për lakmi. Edhe pse nuk ishin të arsimuara, ishin të ditura, aq të ditura sa të më jepnin mësimet më të çmuara të jetës, ato që nuk m’i mësuan as librat, as shkolla, askush tjetër.

Ishin ato që më mësuan se bukuria e një femre fillon nga shpirti, se një shpirt i bukur di të rrezatojë e të ngrohë edhe në acarin më të madh të jetës e ndonëse nuk dinin të flisnin me fjalë të mëdha, me fjalë shpirti më mësuan se lumturia nuk ka pse të kërkohet, ajo thjesht duhet të jetohet sa herë të troket në derë dhe se dashuria është një magji që gjendet vetëm brenda shpirtit e zemrës.

Nuk ishin gra të kauzave të mëdha, asnjëherë nuk i dëgjova të flisnin si feministe, donin familjet e tyre dhe ishin në gjendje të sakrifikoheshin për to, kauza e tyre ishte familja, e cila vinte gjithmonë e para. Pa asnjë diskutim, pa asnjë mëdyshje. Ishin gra të buta e modeste, por nëse ju duhej të mbronin familjen dhe të afërmit ktheheshin në luanesha. Luftëtare të vërteta!

Nuk ankoheshin kurrë, tërë jetën i pashë në këmbë, deri ditën që vdiqën, e morën jetën siç u erdhi, pa pretenduar kurrë se meritonin më shumë. I paluan dhembjet dhe humbjet e shumta, aty në skajet e shpirtit dhe nuk lotuan kurrë, së paku unë nuk i pashë asnjëherë me lot, madje as atëherë kur Zoti ju mori në gjirin e tij njerëz të shtrenjtë.

Ishin veprime e sjellje prej të cilave mësova shumë, pikë së pari të isha vetvetja e pastaj të bëhesha e fortë kur jeta më thyente e më përballte me vështirësi. Modeli që ato më dhanë në vite më bëri që si ato ta marr jetën si të më vijë, pa pretenduar kurrë se kisha lindur për jetë më të mirë apo për punë të mëdha, pa u ankuar kurrë se jeta apo Zoti ishin treguar të padrejtë me mua, madje as atëherë kur sprovohesha me vdekjen, jo vetëm me atë të njerëzve të dashur, por edhe timen.

Ato nuk e jetuan kohën e rrjeteve sociale, por jetuan një jetë të thjeshtë, të vërtetë dhe të dinjitetshme. Me dinjitet ju bënë ballë të gjitha vështirësive dhe sfidave të jetës. Me kokën lart të mbështjellë hijshëm me dinjitetin e moshës.

Ishin gratë më të bukura që kam njohur, të plakura bukur e të cilave rrudhat dhe thinjat ju stoliseshin hijshëm.
Kam vendosur të plakem si ato.

ObserverKult

albana beqiri vdekja

Lexo edhe:

ALBANA BEQIRI: DONTE TË FLINTE PËR TA HARRUAR…