Albana Beqiri: Donte të flinte për ta harruar…

albana beqiri vdekja

Nga Albana Beqiri

Zot, sa e lodhur jam tha me vete dhe mbylli sytë. I flihej, më shumë se për gjumë ndjente nevojën e një ikjeje pa kthim prej gjithçkaje: prej trupit të vet të drobitur që i dhembte në secilën qelizë, prej nervave që i ishin bërë copë e ishin gati në shpërthim, prej asaj dashurie që me gjasë e kishte mbaruar ciklin e vet, sepse gjithmonë e më tepër po i shkaktonte dhembje, prej atij njeriu të cilit i kishte falur gjithçka, por ose as kjo nuk kishte mjaftuar, ose ose kishte qenë tepër e madhe dashuria e saj dhe ai nuk e kishte përballuar dot, por çfarëdo që të ishte, kishte qenë e gabuar, ndryshe nuk kishte si shpjegohej ajo lodhja e tij e menjëhershme, apo gadishmëria për t’i ndejtur gati secilës fjalë të saj në pritje që ta sulmonte me to.

Nuk donte të mendonte më, thjesht donte të binte në një gjumë të thellë e kur të zgjohej, pas një ore, pas një dite apo pas një shekulli, të ndjehej e shëruar nga të gjitha plagët, ato të trupit e ato të shpirtit.

Vështirë të ndodhte kjo, por ajo donte shumë, Zot, sa shumë donte që të zgjohej e lehtë si pendël, pa dhembjet që po ja brenin shpirtin. Ndërsa donte vetëm të mbyllte sytë e të fundosej diku në një hiç të paformë, ndjeu frymën t’i merrej, kishte kohë që nuk kishte ndier ngulfatje të tillë, prandaj brofi nga shtrati e pa ja zënë hapi hapin doli në ballkon. Era që frynte si një puhizë e lehtë e freskoi paksa, aq sa të mbështetej pas hekurave të ballkonit e t’i hidhte një sy pamjes që shtrihej para saj.

Në të vërtetë nuk ishte ndonjë pamje kushedi se çfarë: ndërtesa e shtëpi të kapura keq pas njëra tjetrës me një dis harmoni kaotike, nga ato që ta vrasin shpejt syrin e të japin ndjenjën e ngulfatjes.

Kaq e pati dhe çlirimi, sërish ndjeu ngulfatjen që po i ngjitej atje ku ishte fyti, u kap edhe më fort pas hekurave të ballkonit, nuk mundej të lëvizte prej aty, një si rrymë e padukshme e kishte kapur fort, sikur ta kishte paralizuar dhe nuk e linte të lëvizte as andej e as këndej. Të vetmet pjesë të trupit që mund t’i lëvizte ende ishin sytë, i zbriti poshtë, përtej atyre pesë kateve ku gjendej dhe sërish gjithçka ju turbullua. Për një moment të vetëm, që zgjati sa një fraksion sekondi tha me vete: po sikur të hidhem?

Shpëtoj nga të gjitha vuajtjet që Zoti mi ka dërguar me bollëk.
Për një fraksion tjetër sekondi bëri të hidhej, por Zoti që kishte vendosur ta shpëtonte sërish, këtë herë nga vetvetja, vuri dorën dhe e ndali, në të vërtetë jo se ajo pa gjëkundi ndonjë dorë të Zotit, por fakti që pak më herët ia kishte dërguar atë si paralizë, e ndihmoi që të mos mund të lëvizte as dorën, jo më të mund të hidhej nga ballkoni.

Pas këtyre mendimeve të errëta, filloi të ndihej keq e më keq, e ndërsa ndjeu se ajo si paralizë po largohej dalëngadalë, një tis mërzie filloi të endej brenda saj, e një dhembje hileqare u riformësua për të satën herë, filloi të rritej dalëngadalë derisa e kaploi të tërën dhe u duk se donte ta shqyente së brendshmi. Ishin një kallabllak ndjenjash që i ishin sulur në të njëjtën kohë e shpirti i saj i vrarë po dukej që nuk i përballonte dot: mall e dëshirë me e pa sërish, pastaj vrushkuj të tërë fyerjeje për mënyrën sesi ai zgjodhi të largohej, pastaj sërish mall, pastaj dhembje, pastaj …

Zot, i tha vetes, po si mund të ndryshojë njeriu aq shumë, aq përmenjëherë, prej njeriut që betohej për dashuri deri te ai idhnaku i mbushur pezm deri në grykë? I kujtohej fare mirë koha kur ishin dashur aq shumë, dhe filloi të çuditej me veten sesi kishte besuar aq naivisht se gjithë ajo dashuri ishte e vërtetë. Jo, jo, s’mund të ishte, sepse ishte tepër e bukur për të qenë e vërtetë.

Ndërsa po shkapej ngadalë prej hekurave të ballkonit, iu rikthye ajo dëshira për tu hedhur e për të fluturuar prej katit të pestë. “Kë do lija keq nëse do hidhesha, pyeti sërish veten? Askënd, u përgjigj po vetë, askush nuk do mërzitej për mua.

Provoi edhe një herë të hidhej, por gjymtyrët sërish nuk iu bindën, mbetën aty të kapura pas hekurave mbrojtës të ballkonit dhe ajo filloi të ëndërronte sikur po hidhej nga ai ballkon i shkretë. Shihte veten sesi fluturonte në ajër e ndërsa forca e gravitacionit e zbriste poshtë me një shpejtësi që ishte në proporcion me peshën e trupit të saj të drobitur, jeta filloi t’i sillej para syve si një film bardh e zi. Ishte e lehtë pendël, fluturonte në bazë të drejtimit të erës dhe nuk e shihte fundin.

Filloi të ndihej mirë dhe e lehtësuar. Sikur një barrë e madhe i ishte hequr nga shpirti. Po fluturonte ende, prej atyre hekurave të ballkonit ku ishte ngjitur si me mastic, e shihte veten duke fluturuar dhe nuk arrinte ta kuptonte pse ajo situatë ishte përmbysur asisoj.
Lamtumirë itha vetes që po fluturonte duke qeshur drejt vdekjes, lamtumirë derisa të takohemi në anën tjetër.

Ndihej e lehtësuar, lamtumira sillej rrotull saj si një bisht i thyer dallëndysheje dhe befas iu qa. Qau herë pa zë e herë me gulçima, qau pa turp, pa ndrojtje, pa dhembje.
Qau për veten dhe për dashurinë e humbur.
Vështroi për të fundmin herë trupin e saj që valvitej në erë si flamur.
Po i jepej qetësisht vdekjes, pa asnjë peng, pa asnjë dhembje.

Lamtumirë i tha për të fundit herë.
Vetes, dashurisë dhe atij!

*Titulli i origjinalit: “Skicë për një vetëvrasje të paparalajmëruar…”

ObserverKult

Lexo edhe:

ALBANA BEQIRI: TI MË MËSOVE TË JETOJ EDHE KUR DUKET E PAMUNDUR…