
18 qershori i vitit 1999 nuk është kurrfarë date historike për Kosovën, madje datë aspak historike nuk ishte as për kryepersonazhin e romanit “Prishtina” të Mehmet Krajës, narratorin- shkrimtar, i cili kthehet në shtëpinë e tij pas përfundimit të luftës së Kosovës, pa ndonjë ide të qartë për pasluftën. E në të vërtetë asgjë historike, pompoze e heroike nuk ka as në ngjarjet pasuese të romanit që vijonë në një gjendje status quoje të pezullt në kohë e hapësirë për t’u ndalur më 16 tetor të vitit pasues, i cili jo pa qëllim përkon me ditën e lindjes së diktatorit Enver Hoxha, për të cilën në një mbledhje të fshehtë përkujtimore nga nostalgjikët e tij kosovarë gjendet krejt rastësisht narratori.

Nga Albana Beqiri
Gjithçka dhe pothuaj asgjë nuk ndodh gjatë kësaj periudhe, autori i mishëruar brenda rrëfimtarit shkrimtar bën një udhëtim të shumëfishtë e shumëdimensional, ai udhëton i patrazuar hapësirave të qytetit të tij të jetës e zemrës – Prishtinës duke udhëtuar njëkohësisht brenda vetes si një përfaqësues (a)tipik i këtij qyteti të rrënuar nga lufta si dhe duke udhëtuar brenda psikologjisë kolektive, atë të një shoqërie të traumatizuar jo vetëm nga lufta, por edhe nga jetesa nën represionin e paraluftës. Prandaj gjithçka që ndodh brenda këtij harku kohor ngjan me një absurditet vrastar, i cili ia humb kuptimin gjithçkaje, veçmas lirisë. Asaj të ëndërruarës dhe asaj reales.
Rrëfimtari, i cili që në krye e ka identifikuar veten me shkrimtarin, por edhe personazhet e tjerë – një galeri e vërtetë personazhesh dytësorë që duket sikur janë vendosur në roman për t’i “shërbyer” jo aq rrëfimtarit sesa mesazheve që ai do të përcjellë, mbështillen brenda një bote të pezullt e të mjegullt, ku çdo gjë humbet kuptimin dhe në këtë kontekst, liria shndërrohet në një koncept të shpërfytyruar, i cili nuk mund të arrihet as në ëndërr, as në realitet. Thjesht është iluzore, si çdo gjë e bukur që nuk ju ndodh njerëzve të Prishtinës së Mehmet Krajës apo edhe vetë narratorit, i cili për 16 muaj endet si somnambul skutave, veçmas atyre shpirtërore të një qyteti që as vdes e as rilind, thjesht qëndron aty ku ka qenë gjithmonë duke pritur fundin apo fillimin e ri, pa i ndodhur kurrgjë, ndërsa realisht ndodhin gjithë absurditetet shenjuese të tranzicioneve të pasluftrave. Ndodhin vrasje, vetëvrasje, plaçkitje, orë letrare, “biseda informative” qoftë në zyrat e UNMIK-ut, qoftë në shtëpinë e narratorit (SHIK-u), imoralitet shpirtëror e trupor etj., etj., por të gjitha këto ndodhi të marra nga realiteti i njëmendtë sikur e humbin kuptimin parësor kur përpunohen brenda aparatit krijues të autorit, i cili i vesh personazhet dhe situatat e rënda me një rrobe të hollë surrealizmi, grotesku e ironie, e cila nuk e zhvlerëson tragjicitetin e tyre, përkundrazi e përforcon edhe më tepër.
Kraja ka zgjedhur që realitetin e vrazhdë e të rëndë të pasluftës ta përpunojë artistikisht e stilistikisht asisoj që në një farë mënyre të bëhet i pranueshëm për lexuesin, i cili rresht pas rreshti e gjen veten të përmbytur në habitatin e një kryeqyteti sa real, aq edhe fiksional.
Pikat e referimit (rrugët, lagjet, objektet etj) janë të njëmendta, shumë prej tyre egzistojnë dhe sot e janë shenja identifikuese për Prishtinën, edhe shumë emra të nxjerra nga shënimet e dikurshme të rrëfimtarit janë realë dhe figura të njohura si Pashku, Konica, Azem Shkreli, Martin Camaj, Ali Podrimja, Ibrahim Rugova etj., po ashtu real është misioni i UNMIK-ut dhe shefat e tij, por rrëfimtari nuk i ka letrarizuar në roman vetëm sa për t’i përmendur dhe aq, por me ta dhe përtej tyre ai ndërton një qytet metaforik, një Prishtinë imagjinare, simbolike a surreale – quaje si të duash, e cila frymon brenda absurdit të një shoqërie të dalë nga lufta, e mbetur apo e ngrirë në kohë e hapësirë – peng i paqartësisë, pasigurisë dhe kaosit të realitetit të turbullt që sjell liria.
Personazhet, duke nisur nga rrëfimtari, i cili duke e identifikuar veten si shkrimtar të Prishtinës e ka luksin të mendojë e vërtisë situatat me “lehtësinë e padurueshme” të të qenit shkrimtar (ai nuk e ka për gjë që hera herës të përdorë fraza të tilla prej shkrimtari si psh “duke qenë shkrimtar, unë nuk e kam të vështirë të sjell në përfytyrim një situatë që mund të jetë ndryshe nga realiteti. Ta zëmë,…fq.61, ose “edhe pak çaste duhet të qëndrojmë në aeroportin e Prishtinës për të ndjekur nga afër praninë e një gruaje,…fq. 275, ose …vetëm se unë kisha përpara një problem të pazgjidhur: nuk e dija si të gjeja një dalje në rrëfimin për të birin e Mustafës, fq.300) ngjasojnë me marionetat në një teatër të madh absurd. Kanë emra, por edhe nuk kanë, sepse shumë prej tyre sipas narratorit mund të quheshin edhe me një emër tjetër ta zëmë Qamil, Ismet ose Shani, Bardh, Besnik, Mahmut, Ahmet apo Mustafë (ishte fqinji im, të cilin nëse nuk kam harruar, njëherë e kam quajtur Mustafë, fq.86), më shumë se emra- personazhet pavarësisht se duken si satelitë të kryepersonazhit i cili pothuaj gjithmonë i ndesh rastësisht,- janë personazhe të zgjedhur me kujdes me një rol të caktuar në rrëfimin e trishtë të historisë së një qyteti që s’di t’i gëzohet lirisë. Mbase edhe nuk do apo mbase nuk e kuptuar ende se liria ka ardhur në një formë kaotike e traumatike.
Gjithsesi, të gjithë personazhet janë pjesë sado e vogël apo më e madhe e një mozaiku të ndërlikuar e të fshehur brenda imagjinatës së autorit. Me apo pa emra. Me apo pa histori. Indiferenca dhe shpërfillja me të cilat narratori i përjeton ngjarjet nuk janë reale, njësoj si indiferenca dhe shpërfillja me të cilat i takon apo flet për personazhet që i ndesh rrugës së tij. Ai thjesht është i pafuqishëm ta zbërthejë absurdin e botës, të luftës e paqes, e, edhe të lirisë -as të gjejë kuptimin e egzistencës së botës, luftës e paqes, e edhe lirisë. E këtë e vesh me një tis indiference e shkujdesjeje mbresëlënëse që duket sikur bërtet: ç’ më duhet mua çfarë më ndodh mua! Njëjtë edhe personazhet e tjerë, po ashtu mbështillen në të njëjtat koordinata të indiferentizmit apo distancimit nga ajo që është ndodhi vetjake apo shoqërore- kolektive. Të gjithë janë personazhe të dëshpëruar në thelbin e tyre, të tillë madje edhe kur duken të gëzuar, të fortë, bullizues e mbisundues ndaj të tjerëve.
Rrëfimtari ndonëse gjatë gjithë kohës është në kërkim të gjetjes së kuptimit të lirisë, pa e ditur mbase as vetë e ka gjetur atë që në fillim. Një cop m… para banesës është kontakti i parë me Prishtinën e lirë, më pastaj jashtëqitja sillet gjithandej e jo vetëm në vaskën me kufomën e plakës serbe të vrarë. Kudo, sidomos në atmosferën e përgjithshme e në arealin shpirtëror të personazheve. Ajo është bërë njësh me aromën e lirisë, prandaj narratorin nuk e shqetëson më asgjë. Dy burra relativisht të rinj të veshur me uniformë ushtarësh të UÇK (që afërmendësh mund t’i kishin blerë për 50 marka apo më pak) e zhveshin rrëfimtarin mu para banesës së tij, aty narratori e kupton se e keqja e ka humbur kuptimin njësoj si e mira dhe gjëja më e mirë në ato rrethana është të mos shqetësohesh më.
Kjo aksiomë jetësore i ndjek natyrshëm edhe personazhet e tjerë. Secili prej tyre pavarësisht peshës që ka në roman është unik, duke ndihmuar në shtresimet dhe nuancimet e krejt veprës. E ato janë të shumta, sepse romani nuk e duron dot leximin linear, si një rrëfim i pashkëputur dhe aq. Përkundrazi, kërkon një lexim të thelluar e hulumtues nëpër shtresimet e forta psikologjike, historike e filozofike. Ky është “kurthi” ku autori e fut lexuesin: ajo që nis si një histori e trishtë e një shkrimtari të sapokthyer pas përfundimit të luftës shndërrohet në historinë edhe më të trishtë të një qyteti dhe kolektiviteti, e cila duhet lexuar si një rrëfim shumëdimensional. Sepse me mjeshtërinë e tij karakteristike, Kraja brenda Prishtinës së tij reale e iluzore, të dashur e të urryer, krijon një botë shumëdimensionale, ku përmes historisë së tij personale secili karakter ofron një “zë” të ndryshëm në atë që mund ta quajmë ose jo “dialog” me të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës. Pasojat e represionit të mëhershëm dhe atij të luftës janë të pranishme në çdo qelizë të jetës së qytetit dhe njerëzve të tij, ndaj dhe brenda rrëfimit ndërveprojnë fort me ndjeshmërinë e individëve, duke krijuar një tension të dukshëm mes tyre dhe lirisë.
Ajo që të befason kur lexon romanin Prishtina është aftësia e autorit që ngjarje aq reale e të njohura mbase edhe për lexuesin, t’i sendërtojë artistikisht në mënyrë të tillë që të japin edhe kënaqësi estetike, por edhe ndjesinë sikur për to dëgjon për herë të parë. Ani pse gjithçka është e trishtë e nganjëherë edhe brutale: gjuha, sjelljet, personazhet e mendësia e tyre. Po aq befasues është gjindshmëria dhe zhdërvjelltësia e autorit që përmes personazheve minorë apo situatave gati absurde në të cilat ata gjenden të eksplorojë tema universale si lufta, identiteti, vetmia, ekzistenca ose marrëdhëniet ndërnjerëzore. E të gjitha këto t’i realizojë përmes një mjegullimi të kufirit mes jetës reale dhe asaj letrare, ku pyetjet egzistenciale fillojnë e ngrenë krye, jo aq të tipit: çka është jeta?, por më të prekshme, më afër realitetit absurd ku mbështillet qyteti dhe njerëzit e tij.
Liria e Prishtinës së pasluftës i ngjan atij fëmijës së pasherr që ishte i vetmi që i tregoi mbretit se është lakuriq. Me të njëjtën logjikë liria tregoi lakuriqësinë e të vërtetave të një shoqërie të traumatizuar. Dhe jo vetëm nga lufta. Tradhëtarë e heronj defilojnë bashkë për të treguar se asgjë më nuk ka kuptim. Prandaj personazhe si përkthyesja e quajtur Flora, bija e një ish spiuni te vrarë, Ardita pianistja melankolike që vuan pasojat e burrit po spiun, Agimi, ish funksionari që pa vrarje ndërgjegje e pranon se ka persekutuar shqiptarë, Mustafa fqinji i parë i narratorit që i kërkon 10 marka të shkojë me një prostitutë, Besa asistentja- dashnore e një shefi të UNMIK-ut, poeti Berisha, bufetieri Sahit, Zeka gazetari që mëton të dëshmojë se nuk i ka denoncuar minatorët e Trepçes, poetja Qefsere që vuan nga palumturia, Petriti një marksist që punon si një nga përgjegjësit në zyrën e Përkthimeve të UNMIK-ut, Tomori e Korabi- pseudonimet e dy marksistëve që flasin toskërisht e që tash janë në SHIK e plot të tjerë- janë personazhe bindës në rrëfimet e tyre personale që e bëjnë të mrekullueshëm brenda zymtësisë së vet, rrëfimin e përgjithshëm.
Dhe po ashtu kësaj lakuriqësie vrasëse nuk mund t’i shpëtojë as rrëfimi për luftën që si çdo rrëfim tjetër vjen jo si qëllim më vete, por si një garniturë plotësuese. Vrasjet, dhunimet e grave, dëbimi- këto janë elementë që e paqyrojnë shkurt luftën, por në dimensionin më tronditës të saj, rrëfyer nga personazhe që narratori i takon përgjatë udhëtimit të tij nëpër Prishtinën e pushtuar nga “trishtimi i saj historik”.
Gjuha si gjithmonë është nga pikat më të forta të autorit, në këtë rrëfim për Prishtinën e pasluftës, ai arrin që mjeshtërisht ta krijojë koherencën e romanit në një kombinim perfekt mes gjuhës së thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe nganjëherë të vrazhdë të personazheve me gjuhën e figurshme, ku metaforat, simbolet dhe aluzionet i krijojnë lehtësisht shtresimet kuptimore të tekstit letrar. Prandaj, gjuha rrjedh hijshëm edhe kur është e vrazhdë.
Për fund, romani “Prishtina” i ngjan një pikture surreale, ku ngjyrat dhe format janë zëvendësuar me fjalë e mendime të figurshme, që ndërthuren guximshëm për të sfiduar realitetin. Autori e ka shndërruar qytetin e shkatërruar në një hapësirë letrare të mbushur me tensione, emocione dhe, mbi të gjitha me ndjenjën e thellë të pasigurisë. Përmes rrëfimit të pasur dhe të rrjedhshëm ai sjell te lexuesi fytyrën e një lirie që del të jetë e pamjaftueshme e pse jo dhe barrë për njerëzit e pamësuar me të.
Romani “Prishtina” i Mehmet Krajës është botim i SH.B “ONUFRI”.
ObserverKult
Lexo edhe:
Albana Beqiri: Metafora e një udhëtimi shpirtëror
Albana Beqiri: Figuracioni befasues që kuqlon poezinë