
Gjithçka nis nga një trokitje në derën e shtëpisë së Ajlish Stakut shkencëtare e nënë e përkushtuar e katër fëmijëve. Ajo hap derën pa e ditur se ka hapur kështu derën e të këqijave dhe fatkeqësive që shenjojnë familjen e saj për të shkuar më tej – krejt shoqërinë irlandeze që po rrëshqet pakthyeshëm në totalitarizëm. Pas këtij momenti asgjë më nuk është si dikur: pasi policia sekrete ia rrëmben të shoqin një sindikalist të njohur të arsimit, Ajlishi sheh sesi familja po i shkatërrohet, njerëzit nuk janë më ata që kanë qenë, as kolegët, as fqinjtë, as miqtë. Fatkeqësitë personale dhe ato publike vijnë duke u rritur dhe lexuesi i sheh tek ndodhin, jo aq me sytë e tij sesa me sytë e kryeprotogonistes Ajlishit. Ajlishi e ndjek rrjedhën e ngjarjeve tragjike që e godasin atë personalisht, por edhe krejt shoqërinë irlandeze fillimisht me padijen për atë që po ndodh, pastaj me pasigurinë e më tej me pamundësinë për të ndryshuar diçka, më tej akoma me frikën e madhe për fatin e të afërmëve, por edhe me guximin për të rezistuar me dinjitet e në fund me përpjekjen titanike për të shpëtuar atë pjesë të familjes që i ka mbetur, me fjalë të tjera për të mbijetuar.

Nga Albana Beqiri
Ky është rrëfimi tronditës i romanit “Kënga e Profetit” të autorit Paul Lynch, i cili të përthith brenda makthit të një historie sa marramendëse e mbytëse aq edhe reale në krejt tragjedicitetin që përçon. Ajo që të çudit si lexues është se romani lexohet me një frymë, ndonëse historia nuk është as e bukur, as e këndshme e as e zakonshme. Përkundrazi është e dhimshme, e tmerrshme dhe e zymtë. Historia e Ajlishit dhe shumë e shumë të tjerëve si ajo e shkund lexuesin, duke i kujtuar atij faqe pas faqeje se sa lehtësisht mund të shkatërrohet e shpërbëhet një shoqëri sado e zhvilluar dhe e emancipuar të duket apo qoftë ajo, sesa i cënueshëm dhe i thyeshëm është individi përballë tiranisë së regjimit dhe dhunës.
Kur Leri, bashkëshorti i Ajlishit zhduket pa gjurmë pasi rrëmbehet në një grevë të mësuesve nga policia sekrete apo Zyra Kombëtare e Shërbimit të Gardës jeta e Alishjas dhe familjes së saj ndryshon për keq dhe merr një teposhtë që pasohet nga fatkeqësia në fatkeqësi. Në fillim ajo ende beson te përralla e lirisë së individit, kërkon shpjegime për zhdukjen e Lerit, angazhon avokat- ende nuk e sheh të keqen që i ka trokitur në derë gjithë shoqërisë. Pastaj gjithçka i ngjan një efekti domino: ajo duhet të rrisë e vetme katër fëmijë, dy adoleshentë, një tinejxher e një të mitur, duhet të kujdeset për Simonin të atin që po sëmuret nga demenca, por e keqja s’ka fund, nis përjashtimi dhe etiketimi si familje tradhtarësh, Marku 17 vjeçar- djali i madh thirret në shërbimin ushtarak, por ai i bashkohet ushtrisë rebele dhe zhduket dhe ai po ashtu pa gjurmë, Alishjan e pushojnë nga puna, pastaj Bejli djali i dytë aksidentohet, ajo përshkon qytetin mespërmes plumbave e luftimeve për ta dërguar nga njëri spital në tjetrin e të nesërmen pas operacionit nuk e gjen në spital. Pas një odisejade kërkimesh e gjen të birin pothuaj 13 vjeçar në morg e të vdekur nga torturat. Në gjithë këtë udhëtim të vështirë periferive, por edhe zemrës së një regjimi totalitar, Alishja përjeton shpërbërjen e realitetit të njohur për të dhe bën përpjekje titanike të mbajë familjen e saj të bashkuar në një shoqëri që po zhbëhet plotësisht.
“Kënga e profetit” tingëllon si një roman distopik, por në thelb nuk është dhe aq i tillë, ose jo plotësisht i tillë. Përgjatë rrëfimit ngjethës gjen plot elementë të këtij zhanri romanor si p.sh. rendi autoritar, kontrolli mbi informacionin dhe shkatërrimi i strukturave shoqërore tradicionale (pas fitores së Partisë Aleanca Kombëtare Irlanda fillimisht kthehet në shtet policor e pastaj rrëshqet frikshëm në shtet totalitar), por ai shkon përtej përshkrimit të një bote të ndarë në dysh (ata- armiqtë e pushtetit dhe ne- përkrahësit e tij) dhe të kontrolluar prej të dytëve. Kënga e profetit në vetvete është kënga e dhimshme e një shpirti të thyer e të vrarë, por edhe luftëtar, ai i ngjason më shumë një meditimi mbi natyrën e lirisë, historisë dhe identitetit personal si dhe mbi ndjenjat dhe zgjedhjet njerëzore në një realitet që ka humbur çdo kuptim të tij parësor. Qëllimshëm autori përdor imazhe të forta dhe një gjuhë të ndjeshme për të krijuar një atmosferë të ngarkuar me tension dhe pasiguri. Pikërisht gjuha e dhe imazhet e përdorura në roman ngjasojnë me peizazhe që sikur e pikturojnë botën që është në prag të shpërbërjes, ku natyra dhe shoqëria po bëhen gjithnjë e më të pasigura dhe të rrezikshme, ato (gjuhë dhe imazhet) jo vetëm që ngjallin ndjenjën e pashmangshme të pasigurisë, por gjithashtu të krijojnë një ndjenjë të thellë të panikut dhe kaosit, që karakterizon zhvillimin e ngjarjeve të romanit.
Stili i rrëfimit është gjetja me të cilën autori e “shpëton” të themi kështu lexuesin nga përballja me ngjarje tmerrësisht të dhimshme, e bën atë ta kapërdijë më lehtë tensionin dhe tragjicitetin e historisë të rrëfyer nga Alishja. Rrëfimi rrjedh si një lirikë e këndshme e cila bazohet te kujtesa. Përmes kujtesës së Alishjas ngjarjet alternohen në dritëhijet e mendjes së kryeprotogonistes, ku e kaluara dhe e tashmja nuk kanë pothuaj kufinj, ato shkrihen organikisht ne një dhe dialogët po ashtu alternohen me monologun e përhershëm të heroinës së romanit duke u karakterizuar nga shtresime të shumta psikologjike, emocionale e filozofike. Autori ka krijuar një rrjedhë të vazhdueshme dhe të ngjeshur mendimesh, e cila reflekton gjendjen shpirtërore dhe mendore të personazheve, kryesisht të Alishjas. Dhe është pikërisht ky stil i pasur dhe i ngarkuar me informacion që bën që lexuesi tashmë empatik të ndërlidhet me mendimet dhe veprimet e personazhit pa kufizime të dukshme që mund të krijonin distancë, duke krijuar afërsi empatike me gjendjen shpirtërore të personazheve si dhe me ndjesinë e ankthit dhe tensionit që ata përjetojnë. Gjithçka është e fiksuar në mendjen e Alishjas, ajo madje vazhdon të bisedojë me Lerin për të cilin thuhet sesi të gjithë të zhdukurit e atyre ditëve është i vdekur e t’i tregojë vazhdimisht për problemet me fëmijët, më pas ajo flet edhe me Markun, i cili humb edhe ai pa gjurmë e në fund edhe me Bejlin, vdekjen e të cilit e ka të dëshmuar.
Heshtja ndaj tij dhe bashkëpunimi me regjimin e ri janë një tjetër element i romanit që e përthekon krejt rebusin e një shoqërie që nuk e kupton sesi një ditë të bukur u gjend para shpërbërjes të të gjitha normave demokratike në të cilat kishte besuar dhe aspiruar. Po të mos ishte ky pajtim i heshtur me të keqen, Irlanda nuk do kishte rrëshqitur kurrë në një lloj fashizmi të tillë distopik (në roman). “Diçka ende e patrajtë në vetëdijen e saj ka folur dhe ajo ka frikë, e dëgjon dhe ja thotë në heshtje vetes. Gjithë jetën ke qenë në gjumë, të gjithë ne duke fjetur dhe tani ka nisur zgjimi i madh” (fq. 44),- diku në fillim të romanit Ajlishi e parashikon zgjimin e madh shoqëror, por nuk e di se ai megjithatë nuk është zgjim i vërtetë, ose së paku nuk do kalonte pa shumë pasoja. Pasojat në të vërtetë janë apokaliptike, sepse të kèqijat që ndodhin asi përmasash kanë, të ngjashme me fundin e botës e realisht kemi një fund, atë të një bote demokratike. Këtij fundi i ka ndihmuar gjumi i madh kolektiv dhe heshtja. Diku nga fundi i romanit Ajlishi e mundur dhe e pafuqishme për të ndryshuar diç në rrjedhën e ngjarjeve dhe të fatit pyet pa pritur përgjigje: pse askush nuk ka bërtitur stop? Pyetja e saj retorike në të vërtetë është klithmë e pafuqisë dhe zemërimit si dhe një reflektim thelbësor për pasivitetin dhe frikën që ka mbërthyer shoqërinë irlandeze. Ajlishi nuk mund ta ndryshojë dot qasjen e shoqërisë, por ajo është e vetmja që mund të mbrojë atë që mund të ruhet ende, të shpëtojë familjen e saj dhe të gjitha këto t’i bëjë duke e ruajtur dinjitetin.
Alishja e jeton jetën e re nën diktatin shtetëror si një somnambul, por edhe si një luftëtare e paepur. Nata është jeta e saj e somnambulit ku dialogon me ndërgjegjen e vet, me të kaluarën e të tashmen, me Lerin, me dhembjen e saj, me gjithçka që dhemb. Por ditën ajo është luftëtarja që fillimisht nuk heq dorë nga përpjekja për të gjetur drejtësi për Lerin, është luftëtarja që pasi shet makinën vrapon në këmbë tek supermarket për të siguruar ushqimet që shiten me çmime marramendëse, po në këmbë kalon postoblloqet dhe vrapon te i ati në anën tjetër të Dublinit të shkatërruar nga lufta civile, e dërgon atë në spital, e kërkon si e çmendur kur ai zhduket papritur, pastaj ua heq nga duart patrullave të rebeleve një djalë të ri që kishte thyer orën policore dhe në fund mes plumbave kërkon të shpëtojë të birin 13 vjeçar duke e dërguar në spital e pas zhdukjes së tij të çuditshme nuk resht së kërkuari derisa e gjen kufomën e tij. Në të gjitha këto ngarendje ajo ka dilemat e veta e më e madhja është të largohet ose jo. Në një moment motra nga Kanadaja i thotë në telefon se “Historia është rrëfenja e heshtur e atyre njerëzve që nuk e kuptuan kur duhet të largoheshin” (fq. 108), por Ajlishi e injoron thirrjen e qartë të së motrës për t’u larguar me kohë, ajo gjatë gjithë kohës është në luftë me veten, heziton të largohet sepse e ka të vështirë të lërë pas një pjesë të vetes që e ka mbajtur të lidhur me të kaluarën për të shkuar drejt një të ardhmeje të pasigurt. Për më tepër ajo mendon se “kjo thënie afërmendësh që është e gabuar” (fq.189), sepse historia “është rrëfenja e atyre njerëzve që nuk kishin alternativa, ti nuk mund të ikësh kur nuk ke ku të shkosh …., nuk mund të ikësh kur këmbët i ke të rrënjosura në dhé e të ikësh është njësoj si t’i shqyesh këmbët vendit” (fq. 189). Vetëm kur apokalipsi duket i pandalshëm, Ajlishi zgjedh zemërthyer të largohet me pjesën e mbetur të familjes, ta shpëtojë së paku atë. Nuk kishte pranuar ta linte Irlandën, pavarësisht kaosit rrotull saj sepse i dukej sikur po tradhëtonte Lerin dhe pastaj Markun, por zhdukja e tyre megjithatë në mendjen e saj nuk është ende vdekja e tyre, së paku sa nuk e ka parë me sytë e vet si kufomën e Bejlit gati 13 vjeçar. Ky ishte dhe fundi. Tani duhet të mendojë për të shpëtuar Mollin dhe Benin, dy fëmijët e mbetur me të dhe… po, mbase historia është vërtet rrëfenja e heshtur e atyre njerëzve që nuk e kuptuan kur duhet të largoheshin.
“Kënga e Profetit” është një roman që duhet lexuar patjetër. I shkruar për Irlandën nga një irlandez megjithatë ky roman trajton një temë universale, atë të totalitarizmit, duke na tërhequr vërejtjen se asnjë shoqëri nuk është imune nga ky fenomen. Diktati shtetëror dhe autoritarizmi në thelb kanë qenë dhe janë njësoj, pavarësisht a ndodhin në Irlandë, Siri, Gaza apo në secilin vend demokratik të botës. Frikësimi, manipulimi i kujtesës dhe përdorimi i heshtjes si mjet kontrolli- janë mjetet e tij. Dhe, këto mjete nuk janë kurrë një distopi, janë realitet i cili mund të prekë në çdo kohë secilën shoqëri dhe individët e saj.
“Kënga e Profetit” është botim i “Albas” dhe vjen në shqip në përkthim të Loran Gamit.
ObserverKult
lexo edhe:
Albana Beqiri: Prishtina ose qyteti i trishtë që nuk di t’i gëzohet lirisë