
Poezia më e bukur është ajo që para se të lexohet, ndjehet. Deri në thellësirat e shpirtit. E poezia e Valdete Antonit është e tillë: ndjehet, preket, thithet si ajër që bart njëkohësisht brishtësinë dhe thellësinë e përjetimeve femërore. Në përmbledhjen poetike “Vesë tingulli” Valdete Antoni ndërton një botë poetike ku fjala përveçse formë e komunikimit është edhe materie që merr frymë, rrjedh, thyhet dhe shpërthen në tingull, heshtje apo edhe fragmente endjesh nëpër shpirt.

Nga Albana Beqiri
Libri “Vesë tingulli” krijon një univers të brendshëm poetik, i cili pasqyron shtresime të thella emocionale, ekzistenciale dhe trupore, duke shfrytëzuar gjuhën organike e origjinale dhe ndjeshmërinë e hollë estetike. Pesë ciklet e kësaj përmbledhjeje: “Ëndërr në mur”, “Muri im ka veshur këmishë”, “E pashë fluturimin tim”, “Hyj në kraharor Zoti” dhe “Poezi të viteve 1995- 2007”, vijnë si pesë hapësira tematike dhe stilistike që ndërthuren në rrëfimin e një gruaje që e përjeton botën me një ndjeshmëri të thellë.
Në ciklin e parë “Ëndërr në mur”, poezia vjen si hulumtim i thellë brenda vetmisë të cilën poetja e trajton si territor të vetin shpirtëror, ku trupi dhe mendja bashkëveprojnë nëpërmjet figurave poetike me një dimension metafizik. Në poezinë “Rrumbullakësia e kokës”, Antoni demistifikon metaforën gjeometrike, duke i ofruar lexuesit një imazh “katror me brava të prishura”, simbol ky i kompleksitetit të psikikës dhe bllokimeve të brendshme: “…çelësa të thyer brenda…”. Ndërkaq, këmbëza e drurit në poezinë “Njeriut me këmbën e drunjtë” është një figurë që bashkon trupin, ndjenjën dhe identitetin në një formë që sfidon kufijtë midis vetes dhe tjetrit: “apo jam unë këmbë e drurit vetë”. Stilistika e këtij cikli është e kursyer dhe organike, me përdorim të figurave të frymëzuara nga përditshmëria që përtheksohen me ndjeshmëri të thellë. Poezia “Gezhoja dhe radio” sjell një rezonancë politike e sociale të fillimtranzicionit shqiptar, duke e kthyer gëzhojën nga objekt i dhunës në instrument të kujtesës dhe butësisë: “po ta vija pranë mikrofonit / fëmijëve do t’u ngjante si zilja e shkollës.”
Në poezinë “Somali e bardhë”, poetja sjell imazhin prekës të vajzës së saj ku përmes metaforës së dyfishtë brishtësia e vajzës shndërrohet në forcë shpëtuese. Ajo e quan “Mali im i bardhë”, një përmbysje e fuqishme semantike, ku forca gjendet te dobësia.
Cikli i dytë, “Muri im ka veshur këmishë”, sjell zërin e femrës si një entitet që ruan kujtime, ndjesi dhe plagë të fshehta në trupin dhe hapësirat e përditshme. Muri si metaforë bëhet dëshmitar i kësaj bashkëjetese: “Diku janë format e trupit / diku vizatimet e mendjes”. Poezia e titullit përshfaq një intimitet të trazuar, ku muri bëhet bashkëfajtor dhe dëshmitar i ankthit dhe dëshirës. Ai trupëzon marrëdhënien me tjetrin, ndërsa zhveshjen e “këmishës” e kthen në akt zbulese dhe tradhtie të ëmbël.
Poezia “Shiu im” e trajton dashurinë si dhuratë shëruese që zbut plagët e së shkuarës: “Ti më solle / shiun tim / që më thau trêmbjen e vjetër nga shirat”. Në këtë cikël, përdorimi i paradokseve dhe imazheve shqetësuese si te “Goja e madhe më shtyu” ose “Kur vramë vehten” theksojnë tensionet e brendshme të femrës si dhe vetëdijen mbi vdekjen dhe përhumbjen: “Në fillim na u rrudhën xhaketat / pastaj këmishët”. Gjithashtu, pranë dhembjes dhe mungesës, shfaqet një element loje fëmijësh që ruan magjinë e shpirtit si në vargun: “Unë nuk dukem / jam si një rrudhë e madhe çarçafi / dhe gishtin e thith si bebe”.
Kur i lexon poezitë e ciklit “E pashë fluturimin tim” të krijohet percepsioni i endjes brenda një hapësirë poetike në të cilën trupi dhe mendja e gruas ndërthuren hijshëm me kohën, vetminë, dashurinë, kujtesën dhe humbjen në forma të pazakonta, drithëruese e shpesh të përhimta dhe përvëluese. Gjuha është trupore dhe shpirtërore njëkohësisht, ndërsa figurat ndërtohen jo për të ilustruar ndjenjat, por për t’i mishëruar ato. Në poezinë “E zvogëluara”, gruaja që “ka ngrënë vehten” është metaforë e autoshkatërrimit të heshtur, mbuluar nga një lloj zhdukjeje e çuditshme, sublimuar si një akt mbijetese brenda mungesës së tjetrit.
Te “Ma lidh pak zemrën”, zemra e shndërruar në zog pëllumbi pa pupla, bart një ndjeshmëri që kërkon prekjen, mirëpo “ti paskan vrarë duart”, thotë poetja prandaj tjetri është i paaftë për të përmbushur nevojën e intimitetit. Kjo ndjeshmëri ekstreme është e pranishme edhe te “Tejbutësia”, ku frika nga prekja nuk vjen prej dhunës, por prej tejndjeshmërisë që vetvetiu provokon goditje.
Ky cikël është i tejmbushur me sende që marrin jetë dhe karakter: “Mola”, “Kapakët”, “Karkaleci”, “Gjethe mandarine”. Në të gjitha këto poezi, poetja nuk e vëzhgon botën, por bashkëji
Për shembull, në poezinë “Kapakët”, lista e gjatë e kapakëve të shëmtuar (tenxheresh, kazanësh, shisheve) përfundon në më të tmerrshmin: “kapaku i dashurisë”. Një shpërthim që çliron poetiken nga detyrimi për ta përfytyruar dashurinë si dhuratë, sepse jo gjithmonë është e tillë, nganjëherë është edhe barrë mbytëse.
Dashuria në këto poezi nuk vjen si ngushëllim për shpirtin, përkundrazi është tronditëse. Ajo është akt zhbirues, shpesh i shoqëruar me përhumbje, frikë, por edhe sakrificë. Te poezia “Sikur të ishte lumturia”, trishtimi vishet si vajzë për t’u puthur pa u njohur. Ky kamuflazh emocional nxjerr në pah mungesën e ndjeshmërisë tek tjetri, por edhe nevojën për ta lehtësuar peshën e vetmisë.
Poezia “E balsamosura me diell”, shpërfaq përvojën ndijore të përthithur deri në esencë, ku trupi dhe shpirti përzihen në akt intimiteti që e shndërron “veten” në qiell të ndjeshëm dhe të kafshuar ëmbël.
“Ditari i kamarieres” është një miniaturë poetike e përditshmërisë urbane, ngarkuar me lodhje, tinguj, objekte të gjalla e të vdekura, por ku ndjeshmëria nuk zbehet kurrë. Edhe “xhaketa” lëviz vetë, e veshur me kujtime dhe me “sy të verdhë burrash”. Poetja arrin të ndërtojë një lloj grotesku të trishtë, ku gjithçka merr frymë brenda rraskapitjes.
Në poezitë “Gjergjit”, “Letër e padërguar” dhe “Për të bukurën Pashtart”, kujtesa merr formën e përhumbjejes. Janë këngë malli për të ikurit (të vdekurit), që edhe pse s’e kanë plotnuar rolin e tyre në këtë botë, nuk pushojnë së enduri. Në kujtime!
Poezia e Antonit ndërton një gjuhë të “përmbysur”, ku fjala “e qetë” merr ton alarmi, dhe “heshtja” bëhet personazh. E te poezia “Pas përmbysjes”, një lule ndez një qiri, çka mund të lexohet si një akt i përmbysur sensualiteti që rikrijon rolet gjinore në mënyrë poetike.
Poezitë e ciklit të titulluar “Hyj në kraharor Zoti” janë lirika të thella, shpesh tronditëse në përmbajtjen shpirtërore dhe sensualitetin e sublimuar femëror. Secila poezi mund të lexohet si akt përshkrues i gjendjeve intime dhe metafizike të gruas si trup, shpirt e si ndjesi në përplasje me kohën, natyrën, dashurinë dhe mungesën.
Që te poezia hapëse “Vesë tingulli”, shpallet një lloj estetike intime, e cila zë fill në heshtjen e brendshme. Figurat poetike (metaforë, similitudë, sinestezi) që ngërthejnë jo vetëm vargjet “hyj në një krahëror Zoti / si në një djep fyejsh” përshkruajnë një zhytje të habishme në trupin e tjetrit, ku ndjesia e epifanisë ngjiz transformimin nga misteri në vetëdije femërore.
Te poezia “Skllave e bardhë” trupi shfaqet si vend historik dhe ekzistencial, ku pushteti, dëshira dhe historia përzihen në një metaforë të ngarkuar me ambiguitet.
Te “Zogjtë e trupit”, sensualiteti shndërrohet në zëra që ngjallin jetë e që rrjedhin nga vetë femra-mëmë, duke krijuar një imazh të pazakontë të erotikës dhe maternales. Poezia lëviz në kufijtë mes instinktit trupor dhe ndjeshmërisë poetike, me një figuracion delikat e trupor.
“Përrallë në vesh”, është poezia ku intimiteti përjetohet si shpërbërje, ku fjala humb dhe tingulli bëhet dhembje: “Po më mbushet veshi me lot / Zoti im”. Dashuria është një përrallë që shkon drejt shuarjes, ndërsa “mosbesimi” një kafshatë e heshtur që rrëmben qenien. Lakuriqësia e përrallës është metafora e një brendie që kërkon të mbrohet nga shkatërrimi.
Në poezi si “Pa drita” apo “Mbahem pa u mbajtur”, trupit i hiqet materialja, duke nxjerrë në pah forcën e mungesës si dhe delikatesën dhe pathyeshmërinë e femrës. Kufijtë mes trupit dhe botës, mes kohës dhe kujtesës shuhen, si te “Aromë tingujsh” ku muzika, zëri dhe trupi shkrijnë një përvojë estetike që prek të mbinatyrsmen.
E në poezitë e fundit, figura e nënës dhe gruas përballet me kohën, mëmësinë dhe humbjen, ku kujtesa shfaqet si element biologjik dhe metaforik, si në poezinë “Parauni”, në të cilën arkivoli pa kapak është metaforë për praninë e përjetshme të nënës.
Cikli i fundit i librit, ai që përmbledh poezitë ndërmjet viteve ‘95- 2007 mund të lexohet edhe si trup i dendur ndjesish, metaforash dhe imazhesh të befasishme, ku dashuria, mungesa, shpresa dhe shkatërrimi lëvizin në formë valësh të brendshme. Poezitë rrjedhin si shpirti i një gruaje që ndien thellë, dhimbshëm dhe në plotni.
Dashuria e pranishme edhe në këtë cikël, shenjohet jo vetëm si dritë verbuese, por edhe si thikë që ta pret gëzimin. Ajo ia lidh sytë me “fasha drite” subjektit lirik dhe i pret fytin gëzimit të vogël (poezia “Dashuria”). Është një dashuri e thellë, por edhe shkatërrimtare. Trupat flasin gjuhën e shpirtit, si psh në poezinë “Shpirtja” ku gruaja tretet brenda burrit si ujë që lan plagët e tij. Erosi dhe shkatërrimi ecin bashkë në këto poezi e veçanërisht te “Fjala e harruar” dy trupa kurriz më kurriz ndajnë një fjalë që shkruhet në gjoks me brymë, çka mund të lexohet fare mirë si përqafim i frikës me ftohtësinë.
Poezia “Zogu i amanetit” është elegji e figurshme dhe e dhimbshme për Frederik Rreshpjen, ku gardalina bëhet simbol i brishtësisë së shpirtit të tij poetik, përkulur nga vuajtja dhe magjepsja e trishtimit të heshtur. Figura e “zogut të rrjepun” si amanet i poetit krijon një imazh të prekshëm të krisjes së bukurisë nën peshën e dhembjes, që kërkon të mbrohet përmes kujtimit. Poezia “Kurora e rrënjëve” është udhëtimi poetik nga maja e shpirtit drejt thellësisë së ekzistencës, ku kurora e rrënjëve simbolizon kthimin metafizik në esencë, përtej jetës dhe fjalës së zakonshme. Por akti i prerjes së pemës nga njerëzit, në fund, kthehet në protestë të qetë e tragjike kundër shkatërrimit të burimit, duke i dhënë poezisë një dimension elegjiak e profetik.
Te poezitë “Pasurim” dhe “Diçka si kamilë”, bota e jashtme pasqyron gjendjen e brendshme: një trumcak i njomë të dhuron floririn e diellit dhe një ndjesi e paemër lind me forma të çuditshme dashurie: një Kamilë që mban Rodenin.
“Dënim” dhe “Mëkati”, janë poezi në të cilat fjala është mumje dhe zemra një fole e tharë. Fjalët nuk thuhen, vetëm ndihen dhe ndjesitë bëhen kafshë të mbyllura në trup.
Një nga tiparet më karakteristike dhe origjinale të poezisë së Valdete Antonit është përdorimi i fjalëve të krijuara, që nuk janë pjesë e fjalorit standard të gjuhës shqipe, por që lindin nga bashkimi ose deformimi i fjalëve ekzistuese me qëllim krijimin e një kuptimi të ri e shpesh shumështresor. Këto fjalë jo vetëm pasurojnë gjuhën poetike, por edhe theksojnë gjendjen emocionale dhe perceptuese të subjektit poetik. Fjalë si “pritvdekurit”, “pupëlgushe”, “gjunjëdrangur”, “pamollé”, “rrënjënyje”, “mosardhjen”, “palltogrusur”, “jetpeme”, “fjalpeme” shfaqen si simbole dhe imazhe me një ngarkesë të fortë emocionale, por edhe me një teksturë shqipe që tingëllon natyrshëm, ndonëse është një fjalë e re e krijuar poetikisht.
“Vesë tingulli” është një univers poetik i vetëshprehjes femërore, ku trupi, dashuria, heshtja dhe kujtesa ndërthuren në një gjuhë të fuqishme dhe simbolike, e cila nuk është shpjeguese, por ndez ndjenjën dhe krijon një gjuhë të vetën edhe për atë që mbetet pathënë. Gjuha, e pasur me figura të qarta dhe të papritura e shpërfaq shqipen si një mjet të fuqishëm shpirtëror dhe estetik, duke i dhënë autores një profil të spikatur dhe origjinal. Ajo (gjuha) është e mbështetur te imagjinata e guximshme, ku imazhi shpesh tejkalon rrëfimin. Kufijtë mes trupit dhe botës, njeriut dhe natyrës janë të rrëzuar, duke krijuar një poetikë intime, sensuale dhe mistike.
Poezia e Antonit nuk është thjesht poezi, por një organ i gjallë ndjesish femërore, ku figurat lindin nga një shpirt që sheh, përjeton dhe digjet përmes trupit, dashurisë, humbjes dhe kujtimit. Një botë ku “zemra zbutet në ortekë” dhe ku fjala dashuri ka fytyrë, zë, gjak e sy. Poetja shkruan një poezi të mishëruar, intime dhe të pangjashme me trajtat konvencionale të ligjërimit dashuror, social apo filozofik. Ajo qëndron në kufirin mes shqisës dhe ëndrrës, mes përditshmërisë dhe mitit personal.
Përmes poezive të veta, poetja ndërton një arkitekturë shpirtërore ku secili varg është një hapësirë e vogël, një “katror” i kokës që pret çelësin për t’u hapur dhe zbuluar. Është poezi për kujtesën që nuk harron, për heshtjen që flet dhe për dashurinë që nuk shuhet.
Vëllimi poetik “Vesë tingulli” është botim i SH.B “Toena”.
Lexo edhe:
ALBANA BEQIRI: KUJTESA QË NUK VDES: ANATOMIA ARTISTIKE E NJË TIRANIE






