Albana Beqiri: Kujtesa që nuk vdes: anatomia artistike e një tiranie

Ka romane që nuk e shpikin historinë, por zbulojnë thelbin e saj të vërtetë, duke e zhveshur deri në esencën e saj më të dhembshme. “Festa e Cjapit” është njëri prej tyre. Në këtë roman, që është një nga veprat më të fuqishme dhe më të guximshme të Mario Vargas Llosas, historia dhe letërsia ndërthuren në një rrëfim tronditës për pushtetin absolut, frikën dhe dehumanizimin. Llosa rindërton artistikisht një nga momentet më të errëta të historisë së Amerikës Latine: diktaturën e Rafael Leónidas Trujillos në Republikën Dominikane, duke e udhëhequr lexuesin përmes një peizazhi të ngrirë nga frika, ku diktatori Trujillo nuk qëndron si një hije mitike mbi njerëzit, por si mishërimi më i dhimbshëm i pushtetit që kalbet nga brenda.

albana beqiri

Nga Albana Beqiri

Në këtë rrëfim të qartë e të ftohtë si guri nuk ka vend për magji, por vetëm për dhunë, nënshtrim dhe degradim të padukshëm që përhapen si helm në mendjet dhe jetët e të gjithë atyre që mbeten nën hijen e tij. Llosa shkruan si një kirurg i pamëshirshëm që i hap pa drojë plagët e një shoqërie, duke e kthyer romanin në një akt të thellë përballjeje me realitetin më të errët të njeriut dhe të historisë.

Në këtë pikë Llosa dallohet prej shumë nga shkrimtarët e “Boom-it” latinoamerikan, të cilët nëpërmjet realizmit magjik përpiqeshin të kapnin kompleksitetin historik dhe kulturor të Amerikës Latine: përkundrazi te “Festa e Cjapit”, Llosa ndjek një rrugë të ftohtë dhe të pamëshirshme të rrëfimit, duke e refuzuar me vetëdije mjegullën poetike të magjisë dhe alegorisë, për t’i qëndruar kështu besnik një realizmi të ashpër dhe analitik. Figura e Trujillos, “Cjapit” (kështu është nofka e tij) nuk mitizohet as si hero, as si demon i përmasave legjendare; përkundrazi, ai paraqitet si produkt dhe prodhues i një makinerie të dhunës dhe frikës, në të cilën njeriu, historia dhe morali janë degraduar. “Festa e Cjapit” e rrëzon vetëdijshëm çdo tentim artistik për ta sublimuar pushtetin në metaforë, duke na përballur me realitetin e papërpunuar të një diktature që ushqehet e jeton jo nëpër mjegull, por me gjakun dhe heshtjen e shoqërisë.

Edhe pse i vendosur në një kontekst konkret historik, romani është një rrëfim me përmasa universale kundër tiranisë. Sepse Llosa arrin të bëjë atë që pak autorë që kanë trajtuar të njëjtën temë kanë mundur: të përshkruajë jo vetëm si funksionon një regjim diktatorial, por edhe si ai mbetet në psikikën kolektive edhe pasi është rrëzuar. Ky është edhe thelbi tragjik i romanit: diktatura nuk është vetëm një e shkuar politike, por edhe një e tashme morale.

Këtë e realizon përmes një strukture narrative komplekse e cila e shndërron rrëfimin jo vetëm në një akt letrar, por edhe në një ritual të kujtesës kolektive. Llosa, mjeshtër i fjalës dhe i introspeksionit politik, në këtë roman ndërton një mozaik të dominuar nga kujtimet, trauma dhe nënvetëdija historike të cilat bëhen akterë të barabartë me protagonistët.

Romani është më shumë se portreti i një diktatori: është një eksplorim i thellë i traumës, heshtjes dhe kujtesës, i shtrirë në tri linja narrative që ndërthuren mjeshtërisht mes vete e që jo pa qëllim identifikohen me kryepersonazhet (romani nuk ka një kryeprotogonist të vetëm):Trujillo, komplotistët e atentatit dhe Urania Cabrali, e bija e një ish funksionari të lartë të regjimit, e cila kthehet pas dekadash për t’u përballur me të kaluarën traumatike. Edhe pse siç thamë më lart, romani nuk ka një kryeprotogonist të vetëm, personazhi i Urania Cabralit, është epiqendra morale e romanit, i cili fillon me kthimin e saj në Santo Domingo pas plot 35 vjetësh, tashmë jo një 14 vjeçare e frikësuar, por një 49 vjeçare- avokate e suksesshme nga Nju Jorku. Kjo linjë rrëfimi është pothuaj tërësisht introspektive, pasi është ndërtuar e gjitha mbi kujtimet e Uranisë, e cila tre dekada e gjysmë më parë (1961) e ndihmuar nga murgeshat u largua nga atdheu me justifikimin se do të studionte jashtë dhe më pas krijon jetën e saj në Nju Jork, ku bëhet një avokate e zonja. E shndërruar në një grua të fortë e të ftohtë, ajo kthehet në atdhe vetëm në 1996, pas plot 35 vjet heshtjeje dhe ndërprerjeje totale të komunikimit me të afërmit e sidomos me të atin, Agustin Cabralin, të cilin e gjen të sëmurë dhe të paralizuar, për t’u përballur jo vetëm me të shkuarën e vet personale, por edhe për të rikthyer në dritë mëkatet e një kombi të nënshtruar nga frika.

Në aspektin metaforik, Urania është simbol i ndërgjegjes së heshtur, e cila vërtet ka mbijetuar jashtë sistemit shtypës, por që mban brenda vetes plagët e së kaluarës. Ajo përfaqëson zërin e refuzuar, kujtimin që është përzënë, por që nuk është shuar. Në kontekstin e diskursit të kujtesës, Urania mishëron vetëdijen kolektive të coptuar nga harresa institucionale, një kujtesë që rikthehet jo për hakmarrje, por për të mos lejuar harresën të fshijë të vërtetën.

U ndalëm më gjatë te figura e Uranisë, sepse ajo është figura përmes së cilës Llosa ndërton një rrëfim të dyfishtë: atë personal dhe atë kolektiv. Kthimi i saj në Republikën Dominikane pas dekadash në SHBA nuk është vetëm një kthim fizik, por një rrugëtim në kujtesë dhe në ndërgjegjen morale të një kombi. Llosas së shërbyer nga materiale e subjekte të shumta historike për atë periudhë dhe degradimin rrënjësor të atij regjimi, megjithatë i duhej të shpikte e krijonte një personazh fiktiv si ai i Urani Cabralit për të mishëruar zërin kritik, që denoncon jo vetëm krimet e regjimit të Trujillos, por edhe heshtjen e atyre që përfituan apo mbijetuan nëpërmjet kompromiseve me diktaturën. Si figurë femërore, Llosa e përball atë me patriarkalizmin brutal të regjimit, duke ofruar një kundërzë që s’ka frikë të përballet me të kaluarën, ndonëse është e lënduar prej saj.

Përmes Uranisë, Llosa shfaq edhe dhimbjen ekzistenciale të njeriut që është dëmtuar thellësisht nga padrejtësia historike, jo vetëm fizikisht (në rastin e saj përmes përdhunimit simbolik që shndërrohet në plagë të përhershme), por edhe shpirtërisht, si një person që ka humbur besimin në lidhjet familjare, atdhe, dashuri dhe Zot.

Linja e dytë e romanit përqendrohet në ditën e fundit të jetës së Trujillos dhe na rrëfen rrethin e ngushtë të regjimit, pjesë e të cilit ishte edhe babai i Uranisë si këshilltari kryesor i udhëheqësit diktator. Por për të mbërritur deri te dita e fundit e jetës së tij Trujillo për 31 vite në pushtet ka krijuar ferrin dantesk të diktaturës së tij. Ai nuk është bërë i tillë brenda një dite, e më së paku përshkrimi i ditës së fundit të jetës së tij do të mund ta përshkruante në përmasat e vërteta gjakatare, prandaj Llosa sidomos përmes kujtimeve të Uranisë arrin ta portretizojë atë artistikisht si një tiran që transformohet nga një shpëtimtar i supozuar në një monstër të gjithanshme, një udhëheqës që me kalimin e kohës është shndërruar në grushtin që mban nën kontroll çdo aspekt të jetës, duke mbushur të gjithë shoqërinë me terror. Me këtë personazh Llosa tregon si një individ mund të manipulojë dhe të dehumanizojë një komb të tërë përmes një psikologjie të ndërtuar mbi dhunën dhe nënshtrimin.

Pjesa e tretë e romanit përshkruan vrasësit e Trujillos, shumë prej të cilëve më parë kishin qenë besnikë të tij. Pas atentatit, kjo linjë historie tregon dhe ekzekutimin e atentatorëve. Vrasësit e Trujillos, të cilët siç thamë dikur ishin pjesë e regjimit, paraqiten si të dyzuar dhe të traumatizuar nga akti i tyre i dhunshëm, duke reflektuar dëmin që ka shkaktuar diktatura jo vetëm për ata që janë viktima të saj, por edhe për ata që janë shndërruar në bashkëpunëtorë të saj.

Ajo që e bën të veçantë rrëfimin e Llosas për diktaturën e Cjapit është mbështetja e tij te kujtesa të cilën pastaj në roman e shndërron në akt rezistence. Faqe pas faqeje lexuesi sheh sesi autori e përdor narrativën jo thjesht për të treguar histori, por për të krijuar një hapësirë kujtese, ku personazhet përballen me të kaluarën si me një realitet të gjallë. Kujtimet nuk janë të ftohta apo të rrëfyera nga një zë objektiv, përkundrazi ato janë të përjetuara në trup dhe në psikikën e personazheve. Vetë struktura e romanit që lëviz midis tri linjave të kohës dhe shumëzimit të zërave, pasqyron mënyrën e fragmentuar dhe shpesh traumatike me të cilën kujtesa ndërtohet dhe ruhet në shoqëritë post-diktatoriale.

Kujtesa që ndërton Llosa nuk është nostalgjike, por një akt rebelimi. Urania nuk kthehet për të rilidhur të kaluarën me të tashmen, por për të ndarë me thikë heshtjen nga e vërteta.

Mario Vargas Llosa, te  “Festa e Cjapit”, siç e kemi potencuar në krye, largohet me vetëdije nga trajtat tradicionale të realizmit magjik të letërsisë latinoamerikane, për të ndërtuar një realizëm brutal, të zhveshur nga elementët fantastikë, por të ngarkuar me një tension dramatik që kufizohet me absurditetin e jetës nën diktaturë. Ndonëse nuk përdor mrekullinë si mjet rrëfimor, ai shpalos një tjetër “magji” të frikshme: realitetin grotesk të pushtetit absolut. Llosa ndërton një rrëfim jo linear, ku kapitujt ndërpriten e ndërthuren me zëra të ndryshëm, duke krijuar një tension të brendshëm që e mban lexuesin vazhdimisht në gjendje ankthi. Monologët e brendshëm, veçanërisht ata të Uranisë janë të mbushur me një dhembje të heshtur dhe shpërfaqen si një reflektim i ndjeshëm për dhunën seksuale, tradhtinë e babait dhe degradimin moral të krejt shoqërisé. Teknika e rrëfimit jolinear nuk është vetëm një zgjedhje stilistike, por edhe një mënyrë për të pasqyruar çrregullimin e kujtesës dhe kufirin mes reales dhe së pathënës.

Stili i Llosas është i kthjellët, brutal dhe poetik në të njëjtën kohë. Ai nuk ngurron të ekspozojë mizorinë në forma të pastra, por gjithmonë me një kuptim më të thellë për natyrën e njeriut. “Cjapi” nuk është vetëm një diktator, por një simbol i asaj çka pushteti absolut mund të bëjë me psikikën individuale e kolektive.

“Festa e Cjapit”, para së gjithash është një alegori e hollë dhe e qartë e pushtetit absolut dhe korruptues, përmes së cilës Llosa rrëfen sesi tirania nuk është vetëm represion nga lart, por një marrëveshje kolektive e heshtur, një bashkëfajësi që përfshin elitat politike deri qytetarët e zakonshëm, madje edhe viktimat.

Në këtë aspekt, Llosa lidhet me autorë si Orwelli (“1984”), Kundera (“Shakaja”) apo Markesi (“Vjeshta e patrirkut”) në mënyrën si e shpërfaq degradimin moral në një sistem totalitar. Por ndryshe nga ata, ai nuk ndërton vetëm një sistem ideor, për më tepër se aq ai u jep trup personazheve, i vendos ata në histori konkrete dhe përmes detajeve intime i bën të ndjeshëm dhe të cënueshëm.

Për fund, “Festa e Cjapit” është një roman i jashtëzakonshëm që flet me gjuhën e trupit, heshtjes dhe dhunës. Përveçse një kronikë e errët e dhunës politike, ky roman është edhe një rrëfim thellësisht njerëzor për shpresën, hakmarrjen dhe mbijetesën. Është një akt letrar dhe politik njëkohësisht, një vepër që, siç ndodh me romanet më të mëdha, nuk na mjafton ta kuptojmë, por na detyron ta ndjejmë.

“Festa e Cjapit” e Mario Vargas Llosas është botim i Skanderbeg Books.

ObserverKult

———————————————–

Lexo edhe:

Albana Beqiri: Autopsia autobiografike e një diktature

Albana Beqiri: 2666, labirinthi i së Keqes dhe fjala si dëshmi

Albana Beqiri: Revolta poetike e Basri Çapriqit

Albana Beqiri: Brisben apo kërkimi i të paarritshmes

Albana Beqiri: Rrëfimi artistik i një shoqërie në shpërbërje

Albana Beqiri: Prishtina ose qyteti i trishtë që nuk di t’i gëzohet lirisë

Albana Beqiri: Figuracioni befasues që kuqlon poezinë

Albana Beqiri: Metafora e një udhëtimi shpirtëror