Ç’është një njerí i revoltuar? Një njerí që thotë jo. Mirëpo, nëse ai kundërshton, ai nuk heq dorë: ai është gjithashtu një njerí që thotë po, sapo bën lëvizjen e parë. Një skllav, i cili ka marrë urdhra gjithë jetën, por që papritur e gjykon të papranueshme një urdhëresë të re. Cila është përmbajtja e kësaj “jo”-je?
Ajo do të thotë, për shembull, “gjërat kanë zgjatur së tepërmi”, “deri këtu po, përtej jo”, “po shkoni tepër larg”, apo dhe, “ka një kufi që nuk do ta kapërceni”. Shkurt, kjo “jo” pohon ekzistencën e një kufiri. Të njëjtën ide të një kufiri e ndeshim sërish në ndjesinë e të revoltuarit se tjetri po “e tepron”, se ai po e shtrin të drejtën e tij përtej një kufiri nga ku një tjetër e drejtë i del përpara dhe e kufizon atë.
Kësisoj, fryma e revoltës mbështetet, njëherazi, mbi kundërshtimin e prerë të një ndërhyrjeje të gjykuar si të papranueshme dhe mbi sigurinë e vagullt për një të drejtë të pamohueshme, ose më saktë përshtypjen, tek i revoltuari, se ai është “në të drejtën e tij për…” Revolta nuk mund të mendohet pa ndjesinë se ti vetë, në njëfarë mënyre, dhe diku, ke të drejtë.
Pikërisht për këtë skllavi i revoltuar thotë njëherazi po dhe jo. Ai pohon, në të njëjtën kohë me kufirin, gjithçka që ai vë në dyshim dhe kërkon të mbrojë brenda këtij kufiri. Ai demonstron, me vendosmëri, se tek ai ka diçka për të cilën “ia vlen të…”, që kërkon të mbahet parasysh. Në njëfarë mënyre, ai i kundërvë rendit që e shtyp një lloj të drejte për të mos qenë i shtypur përtej asaj që ai mund të pranojë.
Brenda çdo revolte, në të njëjtën kohë me neverinë për furacakun, ka një aderim të plotë dhe të atypëratyshëm të njeriut me një pjesë të caktuar të vetë atij. Ai vë kështu në veprim në mënyrë të vetëvetishme një gjykim vlerësues, dhe aq pak të papërfillshëm sa që i përmbahet atij përballë çdo rreziku. Deri atëherë, ai heshtte të paktën, duke e lëshuar veten nga dëshpërimi kur një gjendje, edhe kur gjykohet si e padrejtë, pranohet. Duke heshtur, lë të besohet se nuk gjykon dhe nuk dëshiron asgjë dhe, në disa raste, do të të thotë vërtet të mos dëshirosh asgjë.
Dëshpërimi, si dhe absurdja, gjykon dhe dëshiron, përgjithësisht, gjithçka, dhe asgjë, në veçanti. Heshtja e shpreh mirë këtë gjë. Mirëpo, nga çasti kur ai flet, edhe duke thënë jo, ai dëshiron dhe gjykon. I revoltuari, në kuptimin etimologjik, bën prapakthehu. Ai ecte nën kamxhikun e të zotit. Dhe ja ku i kthehet përballë. Ai ballafaqon atë që është e pëlqyeshme me atë që nuk është e tillë. Jo çdo vlerë bën që të lindë revolta, por çdo frymë revolte i referohet heshtas një vlere. Por a kemi të bëjmë të paktën me një vlerë?
Sado paqartësisht qoftë, nga fryma e revoltës lind një vetëdijesim: perceptimi, befas shkëlqimtar, se te njeriu ekziston diçka me të cilën njeriu mund të njëjtësohet, qoftë dhe për një kohë të caktuar. Deri atëherë, ky njëjtësim nuk ishte përjetuar në mënyrë të njëmendtë. Të gjitha keqtrajtimet e kohës para frymës kryengritëse, skllavi i duronte. Madje shpesh, ai u ishte bindur pa kundërshtim dhe urdhrave më revoltuese se ai që shkakton mosbindjen e tij.
Ai bënte durim, duke i flakur tej ndoshta brenda vetes, por, përderisa heshtte, ishte më i shqetësuar për interesa të atypëratyshme sesa i vetëdijesuar edhe për të drejtën e tij. Me humbjen e durimit, lind përkundrazi një frymë e cila shtrihet mbi gjithçka që, më parë, ishte pranuar. Ky vrull është thuajse gjithmonë pasveprues. Në çastin kur hedh poshtë urdhrin poshtërues të eprorit të vet, skllavi hedh poshtë njëherazi vetë gjendjen e tij prej skllavi.
Fryma e revoltës e çon më larg se ç’ishte në kundërshtimin e thjeshtë. Ai kapërcen madje kufirin që kishte përcaktuar për kundërshtarin e tij, duke kërkuar tani të trajtohet në mënyrë të barabartë.
Ajo çka ishte fillimisht një qëndresë e paepur e njeriut, bëhet tërë qenia e tij, e cila njëjtësohet me këtë qëndresë dhe pëmblidhet në të. Këtë pjesë të vetvetes që ai kërkonte të respektohej, ai e vendos tashmë mbi gjithçka tjetër, dhe e shpall më të parapëlqyerën nga çdo gjë, madje dhe në raport me jetën. Ajo shndërrohet për të në pasurinë më të epërme. Skllavi, që deri atëherë gjente strehë brenda një kompromisi, rend befas (“përderisa është kështu…”) drejt kërkesës “Gjithçka ose Asgjë”. Vetëdija lind bashkë me revoltën.
Përktheu: Ilia Lëngu
ObserverKult
LEXO EDHE:
Vdekja enigmatike e Kamysë: Një aksident tragjik me makinë, apo një atentat i orkestruar nga KGB?