Albert Kamy: Ka gjëra për të cilat s’kam dashur kurrë të flas…

albert kamy kamyja

Ka gjëra për të cilat s’kam dashur kurrë të flas. Kur hyra në burg, në krye të pak ditëve e kuptova se nuk do të doja të flisja për këtë pjesë të jetës sime.

Më vonë, e gjitha kjo s’kishte më rëndësi. Në të vërtetë, gjatë ditëve të para nuk më dukej vetja si i burgosur: sikur diçka do të ndodhte.

Gjithçka filloi vetëm pas vizitës së parë e të vetme të Maries. Nga dita kur mora letrën e saj (ajo më thoshte se nuk e lejonin më të vinte pasi nuk ishte gruaja ime) nga kjo ditë ndjeva se isha në qeli dhe se jeta ime ishte ndalur aty.

Ditën e arrestimit më mbyllën në fillim në një dhomë ku kishte shumë të burgosur, pjesa më e madhe arabë. Ata qeshën kur më panë. Pastaj më pyetën se çfarë kisha bërë.

U thashë se kisha vrarë një arab dhe ata s’u ndjenë.
Pas pak, ra mbrëmja. Ata më shpjeguan si ta rregulloja rrogozin ku duhej të flija. Duke e rrotulluar në një cep mund të sajoje një jastëk.

Gjatë natës tartabiqet më rendnin mbi fytyrë. Disa ditë më vonë më izoluan në një qeli ku flija mbi një shtrat dërrase. Kisha një govatë për të kryer nevojat dhe një legen hekuri.

Burgu ndodhej në pjesën e sipërme të qytetit dhe mund të shihja detin nga një dritare e vogël. Një ditë, ndërsa isha kapur pas hekurave me fytyrë të nderë drejt ditës, hyri një roje dhe më tha se kisha një vizitë. Mendova se ishte Maria. Ishte pikërisht ajo.


Për të shkuar në sallën e takimeve, kalova nëpër një korridor të gjatë, pastaj një shkallë dhe në fund një korridor tjetër. Hyra në një sallë shumë të madhe të ndriçuar nga një dritare e gjerë. Dy kangjella e ndanin sallën për së gjati në tri pjesë.


Pjesa e mesit prej tetë deri dhjetë metra që ndodhej midis dy kangjellave ndante vizitorët nga të burgosurit.

Pashë Marien përballë meje, me fustan me vija dhe fytyrën e nxirë. Nga ana ime kishte nja dhjetë të burgosur, shumica arabë.

Maria ishte rrethuar nga maure dhe ndodhej midis dy vizitoresh, një plake të shkurtër me buzë të shtrënguara, të veshur me të zeza dhe një gruaje të shëndoshë kokëzbuluar që fliste me zë të lartë e bënte shumë lëvizje.

Vizitorët dhe të burgosurit ishin të detyruar të flisnin me zë të lartë për shkak të largësisë midis kangjellave.

Kur hyra zhurma e zërave që oshëtinin midis mureve të zhveshura të sallës, drita e fortë që derdhej nga qielli mbi xhamat dhe shpërthente në sallë, sikur më trullosën.

Qelia ime ishte më e qetë dhe më e errët. M’u deshën disa sekonda për t’u mësuar. Megjithatë arrita të shquaj çdo fytyrë veç e veç me qartësi si në mes të ditës. Vura re se një roje rrinte ulur në fund të korridorit midis dy kangjellave.

Pjesa me e madhe e të burgosurve arabë si dhe pjesëtarët e familjeve të tyre rrinin të përkulur përballë njëri-tjetrit. Të burgosurit nuk bërtisnin. Në atë rrëmujë ata arrinin të merreshin vesh, edhe pse flisnin me zë të ulët.

Mërmëritjet e tyre të mbytura që fillonin në ton të ulët krijonin një bas shoqërues për bisedat që këmbeheshin sipër kokave tona.

Të gjitha këto i vura re shumë shpejt duke shkuar drejt Maries. Mbështetur pas kangjellave, ajo më buzëqeshte me të gjithë fytyrën. M’u duk shumë e bukur, por s’kisha si t’ia thosha. «Ç’kemi? më tha me zë të lartë. –Ja, ç’të kemi . –Je mirë, s’ke nevojë për gjë? -Jo. s’kam nevojë.


Ne heshtëm dhe Maria vazhdonte të buzëqeshte. Gruaja e shëndoshë ulërinte në drejtim të fqinjit tim, duhet të qe i shoqi, një trupmadh bjond me shikim të çiltër. Qe vazhdimi i një bisede të filluar më parë.


«Zhana nuk desh ta merrte , bërtiste ajo me sa kish në kokë.
-Po, po i thoshte burri.
-I thashë se do ta merrje ti përsëri kur të dilje por ajo s’deshi ta marrë».
Maria bërtiti nga krahu i saj se Rajmondi më dërgonte të fala dhe unë i thashë: «Faleminderit».
Por zëri im u mbyt nga ai i fqinjit që pyeti «nëse ishte mirë. » Gruaja e tij qeshi duke thënë «se kurrë nuk kishte qenë më mirë. » Fqinji im në të majtë, një djalosh i shkurtër me duar delikate, nuk thoshte asgjë.

Vura re se ai ndodhej përballë plakës dhe që të dy ia kishin ngulur sytë njeri tjetrit. Por nuk munda t’i shoh më gjatë sepse Maria bërtiti se duhej shpresuar. I thashë: «Po». Ndërkohë e shihja dhe kisha dëshirë t’i përkëdhelja supet që i dilnin nga fustani.


Kisha dëshirë për këtë fustan të hollë dhe nuk e kisha të qartë se ç’duhet të shpresoja përveç tij. Por me siguri dhe Maria këtë gjë donte të më thoshte sepse buzëqeshte vazhdimisht.

Nuk shihja tjetër veç shkëlqimit të dhëmbëve dhe rrudhave të vogla poshtë syve të saj. Ajo bërtiti prapë: « Do të dalësh dhe do të martohemi!» U përgjigja: « Vërtet? » por ishte sa për të thënë diçka.

Atëherë ajo tha shpejt e me zë shumë të lartë se po, se do të merrja pafajësinë dhe do të shkonim përsëri për t’u larë në plazh. Por gruaja tjetër ulërinte nga ana e saj dhe thoshte se kishte lënë një shportë në hyrje. Ajo numëronte gjërat që kishte vënë brenda.

Duheshin kontrolluar sepse kushtonin shtrenjtë. Fqinji im nga krahu tjetër dhe e ëma vështronin njeri-tjetrin parreshtur. Mërmërimat e arabëve vazhdonin poshtë nesh. Përjashtë dukej sikur drita binte më me forcë mbi dritare.

Nuk ndjehesha mirë dhe do të doja të largohesha. Zhurma më lodhte. Por nga ana tjetër doja të rrija ende me Marien.

Nuk di sa kohë kaloi. Maria më foli për punën e saj dhe ajo buzëqeshte pa pushim. Murmurimat, britmat, bisedat shtoheshin. I vetmi ishull qetësie ndodhej pranë meje, ku ishin djaloshi i shkurtër dhe plaka, të cilët vazhdonin të vështronin njëri-tjetrin. Një nga një i larguan arabët.

Sapo iku i pari pothuajse të gjithë heshtën. Plaka e shkurtër u afrua tek hekurat dhe po në atë çast një roje ia bëri me shenjë të birit.

Ai tha: «Mirupafshim, mama» dhe ajo e kaloi dorën midis dy hekurave për t’i bërë një shenjë të ngadaltë dhe të zgjatur.


Ajo doli në kohën kur hyri një burrë me kapele në dorë dhe zuri vendin e saj. Futën një të burgosur dhe ata filluan të flasin me gjallëri por me zë të ulët sepse dhoma kishte rënë përsëri në heshtje.

Erdhën të marrin fqinjin tim në të djathtë dhe e shoqja i tha pa e ulur zërin sikur të mos kishte vërë re se nuk qe më nevoja të bërtiste: «Shiko veten dhe kujdes. » Pastaj erdhi radha ime. Maria bëri me shenjë se më puthte.

Ktheva edhe një herë kokën para se të largohesha… Ajo s’lëvizi nga vendi, fytyrën ngjeshur pas kangjellës dhe të njëjtën buzqëqeshje të ngrirë.

*Shkëputur nga romani i Alber Kamysë: “I huaji”

Përktheu nga frëngjishtja: Rajmonda Vuçini

Përgatiti: ObserverKult


albert kamy kamyja

Lexo edhe:

ALBERT CAMUS: DASHURI TË PËRJETSHME KA VETËM KUR AJO PENGOHET… A MUND TË DASHUROJMË SHPESH, POR ME PASION?

Nga Albert Camus

Po që se mjaftonte të dashuroje, gjërat do të ishin shumë të thjeshta. Sa më shumë që dashuron, aq më tepër përforcohet absurdi.

Don Zhuani nuk shkon nga një grua te tjera, sepse nuk ndien dashuri, do të ishte qesharake ta përfytyroje një vegimtar në kërkim të dashurisë ideale. Por sepse i dashuron me të njëjtin pasion dhe çdo herë me gjithë qënien e tij, atij i duhet ta përsëris dhe ta thellojë këtë dhunti.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult