Albin Kurti përkujton Moikom Zeqon e Pirro Milkanin: Historia e një kombi bëhet nga shumë krijues…

Moikom Zeqo

Nga Albin Kurti

Para disa ditësh ishte një datë e zakonshme lindjeje e Moikom Zeqos, e sot është data e vdekjes së tij (në përvjetorin e pestë). Moikomi më rri përherë në mendje sepse ishte pararendës i modernitetit në poezinë shqipe, në vitet ‘70-‘73.

E çau rendin e ngarkesës ideologjike përmes temave universale e metaforave të fuqishme. Moikomi – themelues e inaugurues i zhytjeve nënujore dhe përurues i alpinizmit, deputet kuvendi, ministër kulture, drejtor i muzeut kombëtar, shkrimtar e publicist e përkthyes, dijetar i rrallë.

Sado të zënë të jemi në të përditshmen, çastet e ndërmendjes së personaliteteve të tilla të kulturës sonë janë të pashmangshme.

Para disa javësh humbëm edhe kineastin elegant Pirro Milkani. Me shkollimin e tij në ish-Çekosllovaki, ai i dhuroi kinemasë shqiptare portrete që nga malësori i Shembjes së idhujve deri te Ollga e Zonjës nga qyteti. Do ta gjente gjithsesi perëndimin e rinisë së tij në Trishtimin e zonjës Shnajder.

Historia e një kombi bëhet nga shumë krijues. Vetëdija e një kombi është aftësia jonë për t’i mbajtur sa më gjatë mes nesh.

ObserverKult


Lexo edhe:

ALBIN KURTI: RESTAURIMI I TRASHËGIMISË KULTURORE NDIHMON TURIZMIN DHE EKONOMINË