Poezi nga Aleksandër Pushkin
Mbaj mend të shtrenjtin çast gëzimi,
Kur para sysh m’u shfaqe ti,
Si vezullim i një vegimi,
Si engjëll plot me bukuri.
N’andrralla jete zhurmëkote,
Në dhëmbje brengash e mërzi,
Më grishte larg fytyra jote
Dhe zëri yt plot ëmbëlsi.
Nga shqotë e kohrave që shkuan,
Kështjellë e ëndrrave m’u shëmb.
Me mjegull vitet ma mbuluan
Fytyrën tënde, zërin tënd.
Ç’i ngrysa ditët gjithë brengë,
I zymtë dhe në shkretëti,
Pa perëndi, pa shpresë e këngë,
Pa lotë, jetë e dashuri.
Po ja, më shkrepi prap’ agimi,
Se përsëri m’u shfaqe ti,
Si vezullim i një vegimi,
Si engjëll plot me bukuri.
Dhe rreh me gaz kjo zemra ime,
Sepse iu kthyen përsëri
Dhe perëndi, dhe frymëzime,
Dhe lotë, jetë e dashuri.
Përktheu: Jorgo Bllaci
—————————————
LEXO EDHE: KUSH ISHTE “FAJTOR” PËR VDEKJEN E PUSHKINIT?
Aleksandër Sergejeviç Pushkin lindi në një familje oborrtare dhe vlerësohet gjerësisht, si themeluesi i letërsisë moderne ruse. Ky poet i shkëlqyer, elegant dhe romantik, u rrit në kulturën franceze dhe e njihte më së miri si veprën e Volterit, ashtu edhe atë të La Fontenit.
Poeti, dramaturgu dhe romancieri rus, Aleksandër Pushkin, vepra e të cilit, e ushqyer nga trashëgimia klasike evropiane, e hapur ndaj ndikimeve romantike, por shumë e lirë në zgjedhjen e temave dhe formave të saj, çliroi letërsinë ruse nga varësia e rregullave të huaja, Pushkini i ofroi letrat e fisnikërisë gjuhës ruse, duke hapur rrugën për një letërsi të madhe kombëtare me shtrirje universale.
Që prej shkollës së mesme, në Tsarskoie-Selo, Pushkini afirmoi talentin letrar. Në 1820, famën e kërkuar ia dha poema “Rusllana dhe Ludmilla”… po dhe një dëbim në Kaukaz për mendime liberale. U rikthye falë carit Nikolas I në 1826, ku rigjeti jetën shoqërore të Moskës dhe në veçanti botoi dramën kombëtare “Boris Godunovi”…