Alexis Felix Arvers: Përherë afër saj, po i vetëm gjith’një


Në shpirt kam një sekret, në jetën një mister,
Një dashuri pa funt, të kapur në një vrap.
E keqja s’ka derman, pra sheshit nuk e nxjerr,
Dhe ajo që e shkakëtoj s’e mori vesh aspak.

Ajme, kalova pran’ asaj i pashikuar,
Përherë afër saj, po i vetëm gjithënjë,
Dhe jetën përmi dhenë e kam mbaruar
Asgjë pa lypur fare, dhe pa marrë asgjë.

E ëmbl’ e dashur, Zoti siç e ka krijuar,
Vazhdon udhën e saj pa ndjerë e pa dëgjuar
Sevdanë e murmuritur çap për çap kudo.

E lidhur pas detyrës saj së patronditur
Kur ta këndojnë këtë vjershë e çuditur
Pyet se ç’grua qe, dhe s’di që ish vet ajo!

Përktheu: Namik Namazi (Fan Noli)