Ali Podrimja: Toka ime digjet…

Ali Podrimja

Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë…

Caqet e tua herët t’i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m’i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje…

Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë
e ngrirë n’ajër?

Nipave ç’tu them për këngën time të vdekjes?
Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t’më
kish mbirë!

Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar…

*Titulli i origjinalit: Ankthi

ObserverKult


Lexo edhe:

ALI PODRIMJA E DESHI PA FUND ATDHEUN, SHQIPËRIA E TIJ NUK NDAHEJ NË VILAJETE…

Në kujtim të Ali Podrimjes
(28.8.1942 – 21.7.2012)

GJAKU QË NUK FALET

Nga Fatmir Sulejmani

Gjatë jetës kam njohur shumë krijues, por të rrallë janë ata që i kam dashur e çmuar si poetin e gjakut që nuk falet, më të veçantin e më shumë brezave krijues. I natyrshëm, i afërt dhe i këndshëm, si poezia që shkruante, të gjitha temat e bisedës Ai i orientonte aty ku ishte sovran – te mbretëresha e artit letrar. Për këtë vijë identitare të Ali Podrimjes, Fatos Arapi, një bard tjetër i poezisë shqipe, do të thotë: Kudo që ndodhet, në tryezë të punës, në udhëtim e sipër, në gjumë, truri i tij i përndezur punon…

Ali Podrimja e donte shumë Tetovën e miqve të jetës dhe krijimtarisë. E donte shkaku i filantropit Lazim Destani, i cili u është gjendur krijuesve të Kosovës në kohën kur u pamundësua tërësisht aktiviteti i tyre artistik e atdhetar; shkaku i filozofit, publicistit e politikanit Arbër Xhaferi, me të cilin e lidhte dhe miqësia familjare; shkaku i poetit e studiuesit Salajdin Saliu; shkaku i poeteshës së vargjeve rubai Linditë Ahmeti; shkaku i respektit të sinqertë për aktorin e madh Refet Abazin dhe piktorin eruptiv Nehat Beqirin, me të cilët i pëlqente të takohet e të bisedojë lirshëm për obsesionin, privilegjin dhe mallkimin e jetës së tij – poezinë, pas së cilës rendte pa kursyer as shëndetin, si një dashnor i marrë pas së dashurës së tij hyjnore…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult