Alida Hisku, i rikthehet publikut- ja kur vjen me koncertin e shumëpritur

Një koncert recital e rikthen këngëtaren e njohur mes publikut të saj të dashur, nga i cili e larguan me dhunë më 1983-shin. Këngët më të dashura të Alida Hiskut dhe një rrëfim intim për jetën dhe dramat, të shtunën mbrëma në News24…

Erdha sot mes njerëzve të këndoj me dashuri… Ishte ky varg që ngjiti menjëherë në veshët e publikut, që ndiqnin koncertin e Dekadës së Majit e që e lanë sallën duke përsëritur lajtmotivin e këngës.

Sallën e la edhe ajo, këngëtarja, pa e ditur se do të qe e fundit herë dhe se do ta priste një e ardhme tragjike. Vargjet e Agim Doçit tingëllonin thuajse një profeci…Me zërin tim të gjithë njerëzi i përqafoj, këndonte Alida Hisku.

Por profecia nuk u përmbush e gjitha, në ata vite të errët, për fat. Ashtu si në vargjet e saj, kënga e fton edhe njëherë duke i thënë “Eja, mirësevjen”, duke e sjellë pas shumë viteve Alida Hiskun në një koncert recital, mes njerëzve, ashtu siç titullohej ajo këngë e fundit që interpretoi mes viteve ’80, kompozuar nga Avni Mula.

Deti i këngës nuk ka mbaruar për të dhe ajo rikthehet këtë të shtunë, në kërkim të një zemre më shumë, për të prekur me vokalin e saj.

Është Gjergj Leka që e ngjit edhe njëherë në skenë, si një lloj shpagimi për padrejtësitë njerëzore dhe artistike, në koncertin recital “Dëgjoni Këngën time”.

Akuzat për agjitacion dhe propaganda, që ia ngjitën si pusullë pa asnjë bazë dhe etiketimi si armike e partisë nuk e shuan yllin e Alida Hiskut. Këngët e interpretuara prej saj mbetën të ngulitura ndër shqiptarë e madje u kënduan edhe nga brezat e më vonë. Mjafton kënga “Vajzat e fshatit tim”, që njerëzit ta kujtojnë këngëtaren.

E kompozuar nga Enver Shëngjergji dhe e shkruar nga Zhuliana Jorganxhi, kënga u bë e Alidës, pavarësisht se kush e interpretoi më vonë…E solli edhe njëherë me rastin e koncertit për nder të 52-vjetorit të karrierës së Enver Shëngjergjit. Por këtë të shtunë në mbrëmje ajo vjen në kanalin “News 24” dhe “Radio24”, me një koncert dhe rrëfim intim, intervistuar nga Gjergj Leka.

Disa prej sukseseve të saj të padiskutueshme, që janë sot pasuri e muzikës së lehtë shqiptare, por Alida Hisku ka zgjedhur më shumë se kaq.

Rikthimi i saj, mes publikut të dashur vjen me dy këngë të reja, në një bashkëpunim me poeten, mikeshën e vjetër Zhuliana Jorganxhi dhe kompozitorin Leonard Sojli. Sjell me vete edhe përvojën gjermane, vendi që e mirëpriti për tridhjetë vite, me një këngë në gjermanisht.

Një këngë, një ndalesë në jetën e Alida Hiskut. Por ky recital është një festë dhe krahas vështirësive dhe asaj që e ka cilësuar si tragjedi rinore, ajo ndan me publikun ëndrrat e saj.

Dikur, në një intervistë nga shtëpia e saj në Gjermani rrëfente ëndrrat për një ‘musical’ me këngët më të dashura dhe ngjarjet e jetës. Ëndërr që e realizon përmes këtij recitali. Ëndërr që e ka ujitur gjatë këtyre viteve, siç thotë vetë ajo se “ëndrrat duhen ujitur”.

Portret heroine

Nëse do të kishte një titull kënge, nga ato që interpretoi, do të qe “Portret Heroine”, i kompozitorit Agim Krajka, që ia besoi krijimin e tij 13-vjeçares Alida Hisku. Ylli i saj në skenë ishte i destinuar të shkëlqente. Fëmija i talentuar, e nderuar në Festivalet e Pionierit me 3 medalje ari, garonte me këngëtarët e mëdhenj të skenës shqiptare, në Festivalin e Këngës në Radio dhe Televizion. Ishte viti 1971 dhe për 13 vite, Alida Hisku ishte e parapëlqyera e kompozitorëve.

E dëbuan nga skena, në kulmin e karrierës. Ishte viti 1983, ajo kryente studimet Politike edhe madje ishte zgjedhur në Komitetin e Qendror të Rinisë.

Ishte madje edhe prej gjashtë vitesh anëtare e Partisë. Por asnjë nga këto nuk qe siguri përballë akuzave që i ngritën. Pretekst u bë një ditar vajzëror i saj, të cilin ia vodhën tre shoqe, me të cilat bënte praktikën në Konispol.

Shkrimet në ditar, Partia ia interpretoi si deshi. I hoqën teserën dhe e akuzuan për agjitacion e propagandë, duke e internuar dhe larguar nga muzika. Ditarin e pa vetëm një vite më vonë, gjatë procesit gjyqësor. Ajo që e plagosi ishte ndarja me publikun, më shumë sesa largimi nga skena. Dikur e ëma i thoshte se po të shkonte deri në natën e tretë të festivalit, do të thoshte se i qe ngulitur publikut në veshë e në zemra.

E dëbuan dhunshëm nga skena në moshën 23-vjeçare, kur do të duhej të ishte në kulmin e karrierës dhe të suksesit.

Dramën e jetës vendosi ta hidhte në një libër biografik, shkruar në gjuhën gjermane, edhe për të shuar thashethemnajën e veshur me mistere për dënimin e saj, në Tiranë.

Vendosi të niste një jetë të re në Gjermani, duke e lënë Shqipërinë më 1990-n. U largua nga skena, por jo nga kënga. Improvizoi një studio në kopshtin e shtëpisë së saj. Kënga ishte e vetmja që nga Shqipëria nuk lidhej me kujtime të trishtueshme.

Nga Festivali i IX e deri tek ai i XX, mori pesë Çmime të para, shumë të dyta e të treta. Shumë të tjerë në Festivalin Studenti apo atë të Ushtarit, Dekadat e Majit dhe Festivalin e Këngës Popullore. Megjithatë suksesi nuk ndikoi tek e reja, që mbetej me këmbët në tokë dhe për profesion kishte tipografinë, në shtypshkronjën “Mihal Duri”, punë që e bëri për 19 vite, duke ndjekur gjurmët e të atit.

Por, po ashtu pasioni e bënte të ecte në gjurmët e së ëmës. Ajo ishte pjesë e filarmonisë së Teatrit të Operës dhe Baletit, po ashtu edhe e motra Arjana dhe i vëllai, Artani, bas-bariton.

Këngën që e bëri të paharrueshme për publikun “Vajzat e Fshatit tim” e këndoi në Festivalin e XV të Këngës në RTSh, duke marrë çmim të parë. Dhurata për interpretuesen më të mirë të atij viti, do të kujtonte më vonë ajo ishte një termos dhe një orë tryeze, me mbishkrimin “Made in China”.

Vajzat e fshatit tim

Këngën “Vajzat e Fshatit tim”, i a caktoi një komision, që siç ishte procedura e zakoni ato kohë në festivalet e këngës, interpretuesi nuk zgjidhte. Atij apo asaj i caktohej një këngë, edhe sikur të mos e pëlqente.

Me kompozitorin Enver Shëngjergji pat bashkëpunuar edhe në Festivalin Studenti dhe me përgjegjësi mori përsipër të bënte interpretim të patëmetë. Kur u ngjit në skenë, mbylli sytë, u zhyt në botën e saj dhe mrekulloi me zërin. Prej asaj kohe njihej si këngëtarja që këndon me sytë mbyllur.

Rrëfente më vonë se megjithëse ia kishin vënë në dukje e kritikuar kolegët, nuk arriti dot ta korrigjonte. Por ishte detaji që e bënte edhe më të veccantë.

“Vajzat e Fshatit tim” iu bë shoqëruese në çastet më dramatike të jetës. Kujtonte se në qelitë e Brrakës, e zbuste trishtimin duke kënduar nën zë këngën e po njësoj edhe në dy muajt që e çuan në spitalin psikiatrik. Vuajtjet nuk ia përkulën karakterin. I njëjtë, i hekurt edhe sot.

Shqipërisë iu largua dhe vendosi të mos merrte pjesë në festivalet pas viteve ’90. E ruajti këngën me mënyrën e saj, në kopshtin e shtëpisë në pyll.

Ndërtoi familjen në Gjermani, ndërsa Tiranës i kthehej sa herë kishte ftesa që e transportonin edhe njëherë në ato kohë të largëta e të dashura.

Rrëfente se sa herë gjendej në Tiranë, sytë i shkonin kah radio Tirana. Që fëmijë kish marr pjesë në Anketat Muzikore. Të paharrueshme mbeten këngët e Alidës, qysh prej vitit 1969, kur këndoi “Vjelësit e Portokalleve” në Festivalin e Pionierit.

Më pas erdhën “Portret heroine”, “Shqipëria përshëndet”, “Si agim i kuq” “Vajzat e fshatit tim” “Buka e duarve tona” 1975, “Këngët e rinisë”, “Kasollja e Galigatit”, “Nëntori i lirisë” e shumë të tjera, që këngëtarja i sjell për publikun, në mbrëmjen e së shtunës, edhe me një prekje orkestrale nga kompozitori dhe producenti Gjergj Leka, i cili ka ruajtur gjithnjë një vend të veçantë në veprimtaritë e tij muzikore për këngëtaren.

Albumin e saj të parë, të botuar disa vjet të shkuar e titulloi “Kthimi”. Një rikthim pas dy dekadash në një rrëfim të jetës, me 12 këngë, të kompozuara nga Leonard Sojli dhe shkuar nga Zhuliana Jorganxhi. Me recitalin të shtunën mbrëma, ajo rikthehet mes njerëzve, me sytë e mbyllur dhe zërin e ngrohtë, duke bashkuar dy kohë…/gazetamapo.al


Lexo edhe:

FJALËT QË E LARGUAN NGA SKENA ALIDA HISKUN

ObserverKult