Alida Hisku: Nuk më ka pëlqyer kurrë të viktimizohem, por kam ecur para edhe pse me shpirt të thyer…

Përtej pasionit, personalisht e kam konsideruar edhe fat të madh që në jetë kam ushtruar profesionin të cilin gjithmonë kam dashur, pra gazetarinë. Të zgjohesh e të shkosh në punë me dëshirë them se është pikënisja e një dite që premton të ecë mbarë dhe nga ku energjia pozitive nuk ndjehet vetëm në ty, por pasqyrohet edhe brenda stafit!

Intervistoi: Albina Gjergji

Zakonisht, pas mbledhjes së mëngjesit, ku në prani të drejtorit dhe kryeredaktorit diskutojmë mbi temat dhe personazhet e ditës, të gjithë gazetarët shpërndahen për të realizuar objektivat e tyre. Në axhendën e ditës unë kisha lënë takim me të madhen Alida Hisku, këngëtaren e mirënjohur, së cilës për vite me radhë në periudhën e soc-realizmit i ishte mohuar e drejta për të ushqyer shpirtin e saj dhe të spektatorëve me muzikë. Kishim shumë çfarë të diskutonim, kisha shumë për ta pyetur dhe kishte shumë çfarë të më thoshte. Duke u kthyer pas, shumë pas në kohë, znj. Hisku, tashmë një zonjë e fisme, me pamje elegante, ndalet e më rrëfen kujtimet e 34 viteve më parë. Kohën kur sapo kishte nisur të lulëzonte në muzikë, por që e këputën në momentin kur hapi fletët e lirisë në komunizëm. Herë-herë përlotet nga malli, herë-herë qesh me ironi me ata që u bënë pengesë për jetën e saj. Madje… ka raste që gjatë bisedës edhe rebelohet. Jo më me çfarë i bënë dikur komunistët, sepse ata i ka falur, por me atë që s’bënë dot “demokratët” për të, qoftë edhe për ta pritur në mënyrë dinjitoze një herë të vetme në tokën e saj…

Rikthimi në skenë në festivalin e 50 të RTSH-së është përjetuar fort emocionalisht nga ana juaj, por jo më pak nga publiku shqiptar, i cili ju duartrokiti me minuta të tëra në skenë. Si e ruan përjetimin e asaj mbrëmjeje Alida?
Është e vërtetë që në Festivalin e 50-të u ftova për të përshëndetur Festivalin. Ishte një emocion i papërshkrueshëm, sepse mbas 34 vitesh u ktheva edhe një herë aty ku unë u “rrëmbeva”, pra që më larguan nga skena. Ishin emocione, të cilat kombinuan bukur edhe me spektatorin dhe ky kombinim e bëri atë sukses të paparë në Festival. Me të vërtetë edhe publiku më kishte pritur, ashtu siç edhe unë e kisha pritur atë rikthim. Një harmonizim emocionesh dhe e njëjta linjë dëshire për t’u parë me njëri-tjetrin.

Një rikthim i thjeshtë deri në madhështi nga ana juaj, por duhet pranuar pak i vonuar nga ana e organizatorëve tanë. A kishit momente që pezmatoheshit me ne, që s’të kishim ftuar më herët në skenën tënde?
E kam pritur me vite, me vite e kam pritur këtë ngjitje në skenë dhe jam e sigurtë që edhe dashamirësit e mi e kanë pritur prej kohësh rikthimin tim. Sa herë vija në Shqipëri ndjehesha si e fyer, sepse asnjë nuk m’u afronte. As kompozitorët, askush!

Pse?
Nuk e di, nuk mund të gjej asnjë justifikim, apo argument në këtë pikë, veç di të them se me keqardhje e lot në sy shikoj sesi muzika shqiptare dhe që neve me bukë e groshë e kultivuam, po deformohet. Që të mos dal nga tema, patjetër që ishte e vonuar kjo ftesë për t’u rikthyer unë në skenë.

Ç’mendim keni për muzikën që bëhet sot. E keni ndjekur nga Gjermania, ku edhe jetoni prej shumë vitesh?
Mendoj se muzika në këto vite po shkon drejt biznesit, drejt show-t, jo drejt talentit, jo shpirtit, jo zemrës dhe duke qenë se producentët, apo kompozitorët u fokusuan në biznes, më harruan edhe mua. Më vjen shumë keq kur shikoj që po shkojmë drejt Europës me deformime në muzikë, me skena seksuale në klipe dhe me materiale të bastarduara. Sigurisht, këtu nuk përfshij talentet e shumta që Shqipëria prodhon dhe që këta talente krijojnë identitetin e tyre serioz në këtë profesion.

Kompozitorët veteranë, me të cilët ju keni bashkëpunuar shumë vite më parë, si e arsyetonin mungesën tënde pas ‘90-ës në skenë?
Kam takuar disa prej tyre, Enver Shëngjergjin, Aleksandër Lalon, etj. dhe më thonin që, “Alida kërkohen në skenë fytyra të reja, vajza me guxim që të zhvishen në skenë, jo vetëm që të këndojnë. Pra, jemi të detyruar të marrim këngëtare të reja gjithmonë, që edhe kompozimet tona t’ua japim këtyre”. Sinqerisht më vinte shumë keq që dëgjoja me veshët e mi, që ne të vjetrit nuk kishim më vlerë.

Mendon se në këtë reagim, deri diku edhe pajtim me frymën e show-t kanë një pjesë faji edhe vetë bashkëpunëtorët e këtyre “vajzave të reja”, që më shumë sesa këndojnë, dhurojnë spektakël e rrjedhimisht krijohet një traditë absurde anti-vlerash gjithnjë e në rritje?
Kështu duhet të jetë e vërteta në fakt dhe është e çuditshme, kur në një kohë që bota me idetë pozitive për muzikën i mbajnë si flamuj artistët e vjetër, Shqipëria po i neglizhon, po i mbulon, po i gropos. Kjo është një plagë shumë e madhe. Kështu që të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësitë e veta në këtë faj, sepse të gjithë muzikantët deri para pak kohësh po shkonin në një rrugë të mjegullt. Them se po harrove origjinën nuk ke sesi të ndriçosh përpara, por besoj se nuk do zgjasë shumë koha e anti-vlerave, pasi do të jetë vetë kjo kohë që do t’i eliminojë.

Shumë sakrifica numëron jeta jote, vullnete të ndrydhura e pasion deri në shpërthim. Për çfarë nuk pendohesh kurrë Alida?

Nuk pendohem për sakrificat që kam bërë e të qaj për këto sakrifica. Nuk më ka pëlqyer kurrë të viktimizohem, por kam ecur para edhe pse me shpirt të thyer. Nuk pendohem që u largova, sepse unë jam arratisur. Nuk kam ikur nga ambasadat prej vendit tim, por me dy fëmijët në krahë, me datën 13 dhjetor të vitit 1990 jam arratisur duke hipur në një maune domatesh. Kështu që edhe sot nuk pendohem për sakrificat që kam bërë, sepse pendimin personalisht e shikoj si një kthim mbrapa.

Duke lexuar për rifreskim mbi jetën tënde ajo çfarë hasim më së shumti është censura që të është bërë ty si artiste. Kjo censurë të goditi ty më shumë, sesa koleget e tua, pse?
Mbase, sepse krahasuar me koleget e mia unë isha më e reja në moshë, mbase më me perspektivë, më kërkuesja, jo vetëm për muzikën, por edhe në një rrugë të re të muzikës. Dëshiroja ta ngrija muzikën shqiptare në një piedestal. Them se kam qenë pionierja e parë për një muzikë të brendshme, për një muzikë pa censurë. Neve na vinte teksti nga Komiteti i Partisë çfarë duhej të këndonim dhe asaj kënge ne i jepnim shpirt, emocione, ndjenjë.

Merrje pjesë në krijimet e teksteve të këngëve që këndoje Alida, lejohej dhe në cilën prej tyre mban mend që ke hedhur edhe ti vargje?
Në të gjitha kam marrë pjesë; “Shqipërinë përshëndet”, “Vajzat e fshatit tim”, “Këngët e rinisë”, etj.. Këto janë tekste që bashkë me poetët i mendonim me perspektivë, që t’u ndiznim shkëndija e shpresa njerëzve.

Ndjesitë e tua, të hedhura në ditar u bënë shkak i pezullimit tënd nga skena e Festivalit të RTSH-së. Si e kujton sot atë ditë Alida, reagimin tënd në momentin që t’u komunikua që s’do ishe më pjesë e festivaleve, sepse sipas sistemit diktatorial nëpërmjet ditarit tënd ju bënit thirrje për agjitacion e propagandë?
Pasi ma vodhën, ditarin tim e kam parë vetëm në gjyq. Në gjyq më është faktuar, kurse akt-akuza ishte e shkëputur, pra nuk m’u fol për ditarin dhe nuk u përmend, por dëgjoja vetëm që unë bëja “agjitacion, propagandë”, ndërsa kur dola në gjyq, më nxorën përpara tre shoqet që më kishin marrë nga valixhja ditarin tim për të ma faktuar që gjoja në ditar bëja thirrje për agjitacion e propagandë.

Tri shoqe, që me këtë ngjarje të privuan të drejtën për t’u ngjitur përsëri në skenën që aq shumë e doje. Cili ishte reagimi yt në momentin që u përballe me to? I more inat, u flisje më vonë, i fale, s’i fale?
Është e vërtetë kjo që po ju them. Unë nuk di të urrej njeri dhe as të mbaj inat. Edhe pse e keqja që m’u bë ishte shumë e madhe, nuk i urreva asnjëherë, sepse edhe ato mbase ishin të detyruara të vepronin ashtu nga sistemi. Kam qenë gjithmonë natyrë që mendoja me vete dhe thoja, që me urrejtje dhe përçmim s’do fitoja asgjë, përkundrazi do plagosja vetveten, kështu që mbeta gjithmonë e njëjtë. Unë nuk di dhe nuk mund të urrej askënd. As tre shoqet e mia të atëhershme. Nuk jam e aftë ta bëj këtë.

I ke takuar vite më pas këto “tri shoqet”?

Jo dhe nuk i kam përmendur kurrë emrat e tyre

Po t’i takoje sot, si do reagoje përballë tyre?
Mbase do u jepja nga një kafe. Unë e kam pranuar fatin tim. Nga njëra anë ato më bënë keq, por nga ana tjetër më bënë shumë mirë, sepse mësova shumë gjëra. U burrërova dhe arrita këtu ku sot jam.

Në fletën e ditarit tënd të datës 13 qershor (‘78-‘79), datë e cila përkonte me 1-vjetorin e vdekjes së nënës tënde, i cili edhe u bë shkak për përjashtimin nga skena shkruhej: “Pikërisht sot, në përvjetorin e vdekjes së nënës sime të dashur jam shumë e mërzitur dhe jeta më duket skëterrë. Këtu ku jam, ha pula gurë. Fshatarët rropaten gjithë ditën në punë dhe bëjnë jetë të keqe” (në Konispolin e soc-realizmit), etj.. Cila fjali e kishte nervozuar më së shumti profesorin e shkollës së Partisë së Punës, i cili më pas ju çoi edhe në Komitetin e Partisë?
Shumë. Janë disa fjali të rrëfimit tim në ditar në fakt që i kishte acaruar. Janë marrë shumë citate, të cilat janë bashkuar dhe janë bërë material kundër meje. Data 13 ishte e fundit fare, por kanë qenë shumë momente të çuditshme që unë i hidhja në ditar. Për shembull, kur kishim shkuar në Malësi dhe unë shkruaja në ditar që “fëmija dhe lopa flenë bashkë në kullë, etj.”. E pasi shikoja gjithë këto skena të trishta thoja me vete, “si mund t’u këndoj unë këtyre fshatarëve, kur fëmija i gjorë hante bukë misri të verdhë dhe varfëria ishte e tejskajshme?”! Ishin ‘78-‘79 dhe unë e dija ç’bëhej përtej kufijve tanë nëpër botë, çfarë hanin ato dhe si ushqeheshim ne. Kështu, vetë-rrëfimin në ditar unë e kisha si shiringë për të shprehur dhimbjen që ndjeja.

Ke mbajtur më pas kësaj ngjarjeje?
Jo!

Pse?
Nuk e di! Nuk e kam pyetur më veten kurrë pse s’mbaj më ditar. Mbase s’kam pasur as kohë, mbase ritmi i jetës më ka bërë të mos mbaj më, por që prej asaj dite unë s’kam mbajtur më ditar. Ai ka qenë i pari dhe i fundit ditar i imi. Një bllok i trashë, miku im më i mirë, ku bisedoja me veten dhe shprehja gjithçka shihja e më prekte.

Si kanë qenë ditët e tua më pas, larg muzikës dhe censurës?
Për një kohë të gjatë m’u duk jeta, që pa muzikë jeta ime nuk kishte vlerë. Pas kësaj ngjarjeje e nënvlerësova vlerën e të shkruarit, e dialogut me ditar, më zuri një panik dhe më pas mendoja vetëm për dy fëmijët. Pastaj erdhi demokracia dhe ndjeva që nuk kisha më nevojë, sepse pashë dhe preka lirinë edhe pse me çmim të lartë.

Avantazhet dhe disavantazhet e asaj kohe krahasuar me sot? Cilat ishin prioritetet që një artist kishte asokohe?

Sinqerisht nuk po rrëfehem që t’i them popullit, apo artistëve sot se kush kam qenë, sepse unë sot jam një pensioniste e thjeshtë me 12 vite në skenat e Shqipërisë. Pavarësisht sistemit, unë e kam jetuar edhe atë kohë me art dhe pavarësisht se m’u hoq e drejta për të kënduar, përsëri unë e kam ndjekur artin shqiptar me shpirt. Ne, artistët e asaj kohe kishim të mirën që luftonim shumë për artin, nuk shpërbleheshim. Shpërblimi material ndonjëherë të degjeneron dhe kjo është mënyra që sot i ka bërë artistët materialistë deri në ekstrem, duke prodhuar edhe gjëra pa vlerë.

Si shpërbleheshit ju në ato vite?
Neve nuk shpërbleheshim me lekë. Unë kam fituar çmime të para, medalje në Festivalet e Shkodrës me Tish Dainë e artistët e mëdhenj dhe kam marrë vetëm gjëra simbolike, si për shembull një termus, një orë tavoline, një stilograf, një kornizë me pupla nga Artistikja “Migjeni”. Këto ishin simbolikat tona që na ushqenin shpirtërisht, sepse ne nuk mund të bënim dallim nga populli i thjeshtë, sepse konsideroheshim të gjithë njëlloj. Nuk kishim privilegje. Ndërsa sot e shikoni vetë sesi janë transformuar vlerat dhe sesi kërkojnë vetë artistët të jenë “të privilegjuar” e të vlerësuar materialisht, qoftë edhe pa i dhënë asgjë popullit. Përkundrazi, duke i marrë. Më thoni mua, cili prej artistëve ngrihet të sjellë në Shqipëri 5 avionë ndihma, 63 ton ndihma spitalesh, ndihma humanitare? Cili prej tyre? Unë i kam bërë këto pra me ndihmën e bashkëshortit tim gjerman dhe askush nuk e di. Dhe ua them pastërtisht që nuk i kam bërë kurrë që të më përmenden, por më thoni ju mua, edhe pas gjithë këtyre që kam bërë, kur populli im kishte nevojë kush është ai artist që nuk pritet kur shkel në tokën e vet? Alida Hisku! Por kjo është krenaria ime si shqiptare, kjo më mban mua të jem artiste. Them se i kam dhënë artit dhe popullit, sepse pikërisht ky popull më ka duartrokitur mua.

Dashuria asokohe, e sforcuar, apo më e bukur?
Dashuria si ndjenjë them se përjetohet njësoj, por ka ndryshuar forma, mënyra e të shprehurit dhe toleranca mes njëri-tjetrit. Kjo kuptohet në varësi të rrethanave e kohës. Është pak më shumë seç duhet hapur, në kuptimin pa frena dhe kjo “pa frena” them se të çon disi në dekadencë.

Po miqësia?
Miqësia ka qenë shumë e pastër dhe më lejo ta them që, aty ku nuk futet leku, aty është sinqeriteti. Ne kemi qenë më të varfër, por pikërisht sakrifica na ka mbajtur më të lidhur e më të vërtetë si njerëz. Zilia dhe paraja tani krijojnë ndarje, përçarje.

Nëse do ta kritikoje sot vendin tënd sot në aspektin politik, cila do të ishte kritika e parë?
Qeverisë shqiptare i mungon transparenca. Ju lutem, bëhuni të ndërgjegjshëm, në mënyrë që t’i tregojmë vendit tonë dhe botës që vlejmë. Në këtë aspekt do e kritikoja.

Çfarë të ka munguar më shumë asokohe?
Liria e fjalës, liria e veprimit, pra e të kënduarit lirshëm materialet që na pëlqenin. Kjo na ka munduar ne artistëve atëherë.

Na rrëfe një kujtim nga prapaskenat e një festivali në vitet e rinisë tënde?
Mbaj mend një herë që edhe pse na mungonin shumë gjëra ishim të lumtur. Për shembull me Ema Qazimin dhe Liljana Kondakçiun përpara se të dilnim në skenë ndërronim këpucët, sepse përdornim të trija të njëjtat. Një herë kam dalë deri afër skenës me një këpucë, sepse nuk kisha kohë dhe vajzat që më thërrisnin, “prit, prit, prit…” dhe ma hodhën këpucën nga larg. Ah, sa kujtime të bukura. Sa vlerë mbartin. Ndërsa sot për fat të keq vërej që në skenë ngjiten femra, që më shumë sesa këndojnë, ekspozojnë veshjet.

Me cilat prej këngëtarëve ke qenë më e lidhur?
Me Irma Libohovën, me Ema Qazimin, me Liljana Kondakçiun, me Luan Zhegun, Bashkim Alibalin, Lindita Theodhorin, etj.. Mblidheshim te kafe “Flora” në Tiranë, ose në Shkodër, ku takoheshim me Myfarete Lazen në klubin “Rinia”, etj..

Keqardhja jote më e madhe?
Që u injorova më shumë në vitet e demokracisë. U harrova dhe për një kohë të gjatë më shoqëroi një shije e keqe edhe pse me kalimin e kohës u zbeh. Por për një farë kohë më vrau, sepse prisja qoftë një shenjë “mirëseardhjeje”. Artistët e huaj i presin me lajle-lule, ndërsa artistët e vet vendi im i harron.

Para pak kohësh ju keni hedhur në treg albumin muzikor me titull “Kthimi”. Çfarë mbart në vetvete më shumë ky album… gëzim, dhimbje, mall, apo trishtim?
Albumi im vjen në njëfarë mënyre edhe si një shenjë proteste e asaj harrese që palët shqiptare më bënë për disa vite me radhë edhe në demokraci. Kisha akumuluar brenda vetes shumë poezi, ndjenja, thënie, mungesë shprehjeje muzikore, e kështu të gjitha këto më ishin mbledhur në shpirt e po më shpërthenin fytin. Në këtë mënyrë doja edhe të provoja veten, në formë testi që “ku jam, deri ku mund të arrij, sa mund të jap”, etj.. Për këtë album kam bashkëpunuar me Zhuljana Jorganxhiun, si dhe me një talent të ri që jeton në Francë, Leonard Sojli.

“Lolot e diktatorit”, titullohet libri juaj i parë. Në pamje të parë ky titull ngjan pak ironik, autoironik dhe shpues. Në thelb kë godisni më shumë?
Artistët. Të gjithë neve. Në atë kohë të gjithë kemi qenë lolo, përfshirë edhe emrat e mëdhenj të zhanreve të tjera artistike. Pa dashje, me frikë, me diktaturë. Edhe kur bëheshin revolucione të vogla, ata që i bënin shtypeshin menjëherë. Frika ruajti vreshtin. Kështu, duke bërë paralelizëm, kujtoj që edhe në kohën e mbretërve ka pasur lolo që bënin mbretërit për të qeshur. Edhe neve të tillë ishim përpara diktatorit. Edhe sot ekziston “loloja”, por në një formë tjetër. Artistët për fat të keq mbeten gjithmonë në shërbim të politikës zotëruese, sepse pasqyrohen ato që do politika. Ky libër është një autobiografi.

Një dëshmi jete në dy sisteme. Konkretisht, cila është kryefjala që merr më shumë hapësirë në këtë libër?
Cila kohë është më shumë fajtore, ky është thelbi. Pra ai sistem, apo edhe ky tjetri. Ky është vëllimi i parë i librit, sepse akoma nuk kam mbaruar tjetrin. Nëpërmjet rrugës sime artistike, jam përpjekur t’i tregoj gjermanit (sepse është botuar në gjermanisht), t’ia gërshetoj biografinë time në përputhje me sistemin e asaj kohe. Dhe në fund fare e mbyll me konkluzionin, “një artiste e ardhur këtu, si e përballon gjithë këtë, si e jeton këtë sparkatë në këtë shtet të zhvilluar demokratik, siç është Gjermania, sa është në gjendje ajo, në ç’nivel është ajo në skarën e numrave”?! Këtë jam munduar të sqaroj.

Si është pritur në momentin që doli libri?
Jashtëzakonisht mirë. Është shitur i gjithi edhe pse nuk bëra më shumë se 5 mijë kopje. Kam bërë disa prezantime të librit, përfshirë dhe mediatikisht. Fillimisht isha e ftuar në Radio Berlini, ku është bërë edhe një reportazh për jetën time dhe Shqipërinë.
Nga Festivali i 9-të deri ë Festivalin e 20-të karriera juaj numëron çmime të përvitshme.

Mungon festivali i 11?
Në Festivalin e 11-të më kanë përjashtuar. Më hoqën, sepse debatova me organizatorët.

A jeni e lumtur sot Alida dhe çfarë jua bën ditët e bukura?
Po. Jam shumë e lumtur, sepse gëzoj shëndet të plotë. Jam e lumtur, sepse kam fëmijët shumë mirë, të shkolluar dhe edukuar. Jam e lumtur, sepse kam dy mbesa. Jam e lumtur, sepse kam gjithçka dua dhe ia kam arritur vetë me sakrifica. Jam e lumtur, sepse jam e pavarur dhe pavarësia është lumturi.

Në Gjermani tashmë ju keni biznesin tuaj, të cilin e keni nisur dhe zhvilluar me bashkëshortin. Një restorant, ku përveç zërit tuaj dhe të shumë artistëve të famshëm gjermanë, ju gatuani e servirni edhe ushqim tradicional shqiptar. Na flisni pak për këtë iniciativë dhe sukses në biznes Alida?
Po, është e vërtetë. Në Gjermani, tashmë unë kam biznesin tim. Me forcat e mia kam blerë një shtëpi në periferi të Frankfurtit, kam pronat e mia, pjesë e të cilit është edhe një pyll. Në këtë hapësirë pylli kam krijuar në skenë të madhe prej druri me 25 tavolina me 140 vende. Çdo të shtunë e të diel në këtë skenë ngjiten artistë gjermanë, të cilët këndojnë.

Pse vetëm artistë gjermanë?
Oh, këtu dua të ndalem! Unë aty marr pikërisht gjermanë, që t’i tregoj edhe gjermanit, që kjo këtu, pra unë jam bijë shqiptare; që po të jep mundësinë të këndosh në një skenë gjermane të ngritur nga një shqiptare, që ha gjellën e një shqiptareje, që i serviret nga dy kamarierë shqiptarë, që janë fëmijët e mi dhe nga burri i im që e kam mjek dhe që bën baristin të shtunë e të diel që e ka pushim. Në fund pastaj, del ajo kuzhinierja që jam unë, në mes të skenës dhe i përshëndet të gjithë njerëzit, duke u thënë: “Unë jam ajo kuzhinierja me lugën e drurit, që ju bëra gjellën shqiptare. A ju ka pëlqyer”? Dhe pasi më duartrokasin duke pohuar, përshëndes edhe grupin e ftuar që janë emra të mëdhenj në Gjermani e në fund të mbrëmjes shpërndaj CD time. E pasi i kam përshëndetur të gjithë, gjatë mbrëmjes ju këndoj akapela me gjithë fuqinë e shpirtit. Ata mahniten nga gjithë këto punë që ne shqiptarët bëjmë e që njëkohësisht këndojmë.

Bashkëshorti juaj, sa ju mbështetur në iniciativat tuaja?
Them se ka gjetur tenxherja kapakun. Unë i jam përshtatur Tomit në artin gjerman, në korrektësinë e xhentilesë, ndërsa Tomi mua në artin shpirtëror. Ai më ka gjetur telat e shpirtit, di të vlerësojë brendësinë e njeriut dhe kjo më ka mahnitur tek karakteri i tij, gjë që më ka bërë të dashurohem pas tij që prej 20 vitesh.

Vjen shpesh në Shqipëri?
Sigurisht që vij. Më merr malli shumë për tokën time.

Një mesazh për brezin e artistëve të rinj Alida?
Brezit të ri artistik në çdo fushë të artit dua t’i them që të bëjë e gjenerojë atë që i do shpirti. Të mos e vlerësojë punën e vet me para, por ta bëjë, sepse duhet ta ndjejë me shpirt. Një ditë do t’i vlerësohet në çdo aspekt./kohajone

*Intervista u botua më 2014

LEXO EDHE: ALIDA HISKU: TI JE PËR MUA NGUSHËLLIM… (TEKSTI DHE KËNGA)