Sabri Hamiti: Bioletra poetike

Sabri Hamiti

Nga Sabri Hamiti

(Imagjinata)

Poezia është arti më personal e më universal.
Për të parë fazat e abstragimit të saj në pamje më konkrete le të përdorim rrethin si figurë universale, pra rrethin universal të krijimit, duke e matur atë me rrethin personal të krijimit.

Fig. 1

Rrethin universal të krijimit e ndajnë dy boshtet: ai vertikal, ku rrijnë Dheu e Qielli, dhe ai horizontal ku rrijnë Uji e Zjarri, katër figurat themelore të krijimit. Për të parë më qartë faza të krijimit të poezisë, duhet të provohet që ky rreth universal të matet me rrethin personal të krijimit të poezisë ky hyjnë elemente të reja.

Fig. 2

Në këtë fazë krijuese Ëndërrimi pushton hapësirën më të madhe dhe është i barazuar me Qiellin. Përkundrazi, Kujtimi ka hapësirë të vogël dhe, duke qenë i barazuar me Dheun, vetëm sa përmban harkun e madh të ëndërrimit përmbi. Pra, komunikimi më i madh është Dhe-Qiell, kurse Uji e Zjarri në boshtin horizontal janë në gjendje qetësie.

Fig. 3

Në fazën e dytë Ëndërrimi e Kujtimi (Qielli e Dheu) janë në baraspeshë, pra boshti vertikal rri i qetë. Mirëpo, ndeshja e madhe e papërballueshme ngjet në boshtin horizontal ndërmjet Ujit e Zjarrit duke shfaqur pamjen më dramatike të krijimit të artit, të poezisë.

Fig. 4

Në fazën e tretë të krijimit, sërish rri në qetësi boshti horizontal: Uji e Zjarri, duke pushuar dramatikën, mirëpo rimerr ballafaqimi i ri në boshtin vertikal. Po, tashti në kundërshtim me fazën e parë Qielli-Ëndërrimi zvogëlohet si sektor dhe ai është gati i përmbytur, gati duke notuar në Kujtimin-Tokën.
Pra, kjo fazë e zotërimit të Kujtimit mbi Ëndërrimin, madje i kujtimit të përqendruar vetëm në pikat e forta, që nuk i ka mundur tirania e harresës.

Në universalitetin e vet poezia lidhet me kohën personale në procesin e krijimit. Hipotetikisht ajo ka një të shkuar e një të tashme, duke gjakuar të përjetshmen, siç e kërkonte dhe konceptonte Lasgushi Përjetësinë.

Në vështrimin e kohës tradicionale, që lidhet me trashëgiminë letrare, poezia është origjinale kur nuk e përfill traditën, duke qenë vetë e pushtuar nga imagjinata e ëndërrimi. Atëherë ajo është zbuluese, e veçantë dhe e papërsëritshme. Kjo tregon (provon) që poeti origjinal duket në fillime, në rini, e jo në pjekuri a në pleqëri. Lidhja me traditën, si dhe me përvojën, kujtimin, e krijon përshtatjen, atë që quhet standardizim, me domosdonë e hyrjes në rrjetin e sistemit të vlerave. Në këtë mënyrë, krejt padiktueshëm, nis të zvogëlohet malli për origjinalitetin.

Secili zbulim i madh si akt krijues, apo sicila jetë personale dhe e veçantë, fillon me ëndrra dhe mbaron me kujtime.

Figura e ritmi janë karakteristika të poezisë. Veta e poezisë mbatet thelbësisht veta e parë njejës: Unë. Të gjitha vetat e tjera janë vetëm variante imagjinare të kësaj vete, Kurse forma më e preferuar e shprehjes është monologu, që korrespodon me veten dhe me universin. Adresimet e veçanta janë më të rralla dhe janë të lidhura zakonisht me poezitë e rastit.

Referenca e vërtetë e poezisë është uni, dhe pikërisht ky referencialitet e bën atë jo më reale por më imagjinare, më universale.

Përpjekjet e poezisë që të dalë nga monologu në dialog, qoftë të shpifur, duke krijuar një dramaticitet të jashtëm, si formë të zjarrmisë së mbrendshme, shpesh mund ta trondisin formën, por jo esencën e saj solitare (vetmitare) e universale. Ajo është gjithnjë dëshmi personale e një jete edhe kur ka në vete shenja referenciale të një jete e të një ambienti.

Do të shtrihem
Të venitem
Si kandili kur s’ka vaj

këndon Naimi në bioletrën e vet.

Poezia nuk ka të kaluar e të tashme, ajo jeton në kohën universale, në përjetësi, dhe lindet me kapakun e kokës të hapur kah Qielli.

*Shkëputur nga libri “BIOLETRA –Një teori e shkrimit dhe e leximit”, Sabri Hamiti, FAIK KONICA, Prishtinë 2000

ObserverKult

Lexo edhe:

SABRI HAMITI: BIOLETRA: SHKRIMI I JETËS – JETA E SHKRIMIT