Ditën që do të ikësh nga unë,
drita do të ketë të njëjtin shkëlqim.
Zogjtë do të këndojnë njësoj.
E pemët rreth meje e teje,
njësoj do të rriten.
Ditën që do të ikësh nga unë,
do të mblidhen çastet e gëzimit,
kujtimet të paveshura do të jenë.
E fjalët,
fjalët do të tingëllojnë pa frikë.
Ditën që do të shohësh përpara,
e njëjta erë do të fryjë.
Unë njësoj do të marr frymë.
E ti do të gjesh brenda teje
fjalë të pazgjuara ende.
Ditën që pas do ta kesh vështrimin,
do të jem atje.
Mendjet tona,
ndoshta do të gjenden në fjalë të pashqiptuara.
Dhe kur kujtimet të shuhen,
vetëm ne do ta dimë çfarë takohet në humbje.
Dhe kur ëndrrat të harrohen,
një e vetme do të gjendet.
Unë atje.
Ti atje.
Ditën kur fjala ime të dëgjohet,
një rrahje zemre jo e rregullt do të ndihet.
Sa këtu mund të gjenden,
në një të padhënë atje?
ObserverKult
Lexo edhe:
ALMA BRAJA, PJESË E ANTOLOGJISË SË POETEVE SHQIPTARE “MAGMA”
Alma Braja është pjesë e Antologjisë së poeteve shqiptare “Magma”, përpiluar dhe përkthyer nga Vlora Konushevci dhe botuar nga SHB “Littera”, Prishtinë.
Alma Braja u lind në Gjirokastër, Shqipëri, më 1974. Krijime të saj janë botuar në tri antologji, njëra në anglisht, si edhe në gazeta letrare në Shqipëri, Kosovë e
Greqi.
Vëllimi i saj i parë me poezi “Rërë në grusht”, u botua më 2020. Pak kohë më parë, përktheu dhe përgatiti një antologji me poetë shqiptarë në gjuhën greke
që u botuan në revistën greke Φρεαρ – frear.gr
Në “Magma” tridhjetë poete nga gjithë hapësira shqiptare në “Magma”, përmes vargjeve të zgjedhura, flasin në gjuhën shqipe dhe angleze.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult