“Teatri i ri Kombëtar që pritet të ndërtohet nga Bashkia e Tiranës, do të adresojë të gjitha nevojat e komunitetit të artistëve për të ardhmen e teatrit në Shqipëri, pasi teatri i vjetër nuk plotësonte asnjë rekuizitë për t’u cilësuar si një i tillë”.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), regjisori i njohur Altin Basha, deklaron se Teatri Kombëtar asnjëherë nuk është konceptuar si i tillë.
Sipas tij, ai është nisur si një teatër provizor, por kurrë nuk mori trajtën e plotë të një Teatri Kombëtar me të gjitha rekuizitet që i nevojiten një skene teatrore.
“Siç është dhe tashmë e njohur, janë bërë disa takime publike dhe analiza për gjendjen e Teatrit Kombëtar. Pas analizave doli që gjendja e tij ishte plotësisht e amortizuar. Ambientet ishin krejtësisht problematike nga pikëpamja e konstruksionit, e gjendjes së tyre teknike, masave kundër zjarrit etj. etj., dhe për këtë arsye u sugjerua mbyllja e aktivitetit të Teatrit Kombëtar”, shprehet regjisori Basha.
“Një analizë e hollësishme e asaj se çfarë humbim nëse e shohim ndërtesën dhe çfarë fitojmë ne me përkrahjen ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, duhet të shohim historinë e teatrit. Prej se është themeluar teatri profesionist në Shqipëri, rezidenca e përkohshme në teatrin popullore, në kinoteatrin, siç edhe cilësohej… ka qenë e përkohshme dhe është diskutuar se me kalimin e kohës, në një moment të caktuar, në një moment të dytë, do të ndërtohej një teatër i plotë popullor sepse atëherë, në ato vite, deri në vitin 91’ nuk ekzistonte nocioni kombëtar. Pra, kemi 70 vite që e kemi këtë debat. Në vitet 50’-60’ është bërë edhe më i fortë ky debat pasi aktorët e asaj kohë, Kadri Roshi dhe Naim Frashëri kanë këmbëngulur pranë qeverisë për nevojën e një teatri të ri, pasi ai teatër nuk përmbushte as kërkesat e kohës dhe nuk ishte konceptuar si teatër”,- tha Basha.
“Por asnjëherë nuk u bë një teatër i ri teksa në vitet ’70 u bë një ndërhyrje në strukturën e tij për të zmadhuar oxhakun, skenën dhe disa elementë të tjerë që mungonin, u mbyll kati i tretë, që u bë garderobë…etj. Por dhe ato të pamjaftueshme pasi me kalimin e viteve u kuptua se adoptimi i vazhdueshëm nuk përmirësonte përfundimisht gjendjen e tij pasi mbetej gjithnjë një ndërtesë hibride mes kinemasë dhe teatrit”,- vijon regjisori Basha.
“Në kushtet kur ndërtesa sugjerohej si e papërdorshme dhe i vetmi opsion ishte rikonstruksioni i saj përmes shembjes, normalisht të shkon mëndja që teatri do të ndërtohej po aty. Por ajo ndërtesë që ishte, nuk vlente më. Nëse mund të ruhej ose jo, kjo është çështje ekspertëve. Ka ekspertë që thonë se duhet ruajtur, ka që thonë jo, por të gjithë bien dakord se ndërtesa duhej shembur dhe opsioni i teatri të ri për mua ishte më i vlefshëm pasi adreson të gjitha problematikat. Gjendja ishte tejet e rënduar. Ishte krejtësisht jashtë kontrollit. Krejtësisht pa kujdes dhe gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë. Në vitin 2008 ka qenë dora e fundit që i është dhënë dhe prej asaj kohe nuk është ndërhyrë. Njerëzit që kanë punuar në atë godinë e dinë se problem më i madh ishin facilitetet skenike që ishin të amortizuara dhe të improvizuara. Nuk kishte infrastrukturë dhe funksionalitetin e një teatri”,- deklaron Basha në intervistë.
“Ndërhyrjet ishin bërë për ta sjell në atë gjendje, por pa vizionin për ta zgjidhur përfundimisht problematikën me një vizion të qartë, por vetëm për të shtyrë kohën pa e marrë asnjëherë seriozisht ndërtimin e plotë të Teatrit Kombëtar. Ajo nuk kishte mundësi për garderobën, e nuk flas për garderobën e spektatorit, por vendet ku prodhohet dhe ruhet garderoba e shfaqjeve apo kabina e fonisë apo dhoma e grimit e improvizuar. Salla e dekoreve..etj. Pra ishte një ndërtesë me mbivendosje të improvizuara. Teatri adreson të gjitha këto probleme dhe e përmbyll krejtësisht atë që mund të quhet nevojë teatrore për të ardhmen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë”, deklaroi regjisori i njohur Altin Basha.