Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, mohoi që Amfiteatri i Durrësit do të jepet me koncesion.
E ftuar në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, ministrja Margariti tha se “nuk do të ketë asnjë koncesion për amfiteatrin”.
Ndërkohë, Margariti shtoi se do të shpronësohen të gjithë banorët përreth zonës, duke sqaruar se “Vlerat që marrim parasysh, janë edhe vlerat e shitjeve të tre muajve të fundit”.
“Amfiteatri i Durrësit ka disa ndërhyrje, që janë pasojë e disa evenimenteve. E para është tërmeti. Pas tërmetit, qeveria shqiptare bëri një P2V më të veçantë se në zonat e tjera, pasi ishte zona më e prekur. Kemi vepruar me pasaportat e secilës godinë, me ato që duhej ristauruar, me ato që duheshin prishur e rindërtuar. Jemi në nivelin e një zone arkeologjike, jo si në Vorë apo Krujë.
Kemi fondin e ambasadorit, që është fond që vjen nga shteti amerikan. Për herë të parë në histori, ky fond prej 800 mijë dollarësh, shkon vetëm në Shqipëri. Shteti amerikan vendos të mbrojë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, që u dëmtua nga tërmeti. Kemi një tjetër fond nga qeveria suedeze, që është po ashtu në formën e grantit.
Kemi kaq shumë partnerë, ku shtohet edhe gjithë ideja jonë e zhvillimit të kësaj zone në Durrës. Duke qenë zonë historike, por edhe një qendër urbane e jetuar, është evidentuar bulevardi në Durrës, që mund të sjellë një bum zhvillimi në vend.
I kemi vendosur detyrimin Bashkisë së Durrësit dhe Fondit Amerikan për Zhvillim, që të bëhen pjesë e planit të menaxhimit të integruar të të gjithë zonës”, u shpreh ministrja.
– Çfarë do të ndodhë me banorët?
Margariti: Për pjesën rreth amfiteatrit, kemi bërë gjithë pjesën e detajuar të planit, dhe po, do të ketë shpronësime. Kemi bërë takime me banorët. Kjo është një kërkesë e kahershme e shumë qeverive. Vlerat që marrim parasysh, janë edhe vlerat e shitjeve të tre muajve të fundit. Kemi përgatitur gjithë dosjen, e cila këto ditë shkon pranë Agjencisë së Shpronësimeve, e më pas do të ketë komunikim publik, ku do të presim pastaj pjesën e ankimimeve.
– A do të ketë koncesion?
Margariti: Jo, nuk do të ketë asnjë koncesion për amfiteatrin. Plani i menaxhimit këshillon që qendra muzeore, që ka muzeun arkeologjik dhe amfiteatrin, të administrojë më shumë objekte, si dhe këshillon që kjo qendër të ketë mundësinë e krijimit të fondacionit të saj, thjesht për zhvillimin e aktiviteteve, apo thithjen e granteve të tjera. Është një fondacion direkt i Ministrisë së Kulturës. Pra, të shihet mundësia që struktura ekzistente të bëhet më e zhdërvjelltë për marrjen e fondeve dhe çuarjen përpara të aktiviteteve. Absolutisht, nuk ka asnjë privat. Kur themi menaxhim, flitet menjëherë sikur menaxhimin e bëjnë vetëm privatët. Asnjë bashkëpunim me privatin nuk bëhet në dëm të trashëgimisë kulturore./(BW)
Lexo edhe:
MARGARITI: RRITEN PAGAT PËR 281 ARTISTË
ObserverKult