Amiri Baraka: Dhe kush janë këto qenie të pacipë. Ata thonë se janë njerëz…

Nga Amiri Baraka  

Kam kujtuar, kam kujtuar se patën thënë se të gjithë nazistët kanë ikur nga këtu përgjithmonë.

Mbaj mend kur 20 vjet më parë erdha në qytet nga tuneli Holland dhe atmosfera ishte e keqe kam shkruar: “Po i ndiej nazistët. Këtu ka nazistë”. Dhe me kalimin e viteve do ta thoja përsëri ngandonjëherë duke vënë në dukje gjëra specifike dhe atmosfera bile edhe Creepus Dungus.

Si Rudy i Poshtër apo Dubya vrasësi ndërkombëtar. Ama këta ishin në qeveri, kështu që kur u larguan merrje frymë më lehtë. Por tash këta vrasës nuk janë në qeveri, ata thonë se nuk u pëlqen qeveria se ata janë armiq të qeverisë.

Ama çka do të thotë kjo. Kjo do të thotë se ju nuk mund t’ua merrni mandatin, t’i dërgoni në shtëpi në Teksas për të ndihmuar në kultivimin e të korrave?

Dhe kush janë këto qenie të pacipë. Ata thonë se janë njerëz.

Ata kanë ligjin në anën e tyre, duke thënë se janë njerëz bash si ne. Por pashë një shenjë në Occupy që thoshte nëse Korporatat janë njerëzore dua të shoh Teksasin të ekzekutojë një!

Atëherë do të jemi të sigurt. Ama jo tash, kjo e qarë njerëzore është sall rrenë e hamamtë, ndërsa ti je hajvan që i beson! Janë banda goxha të mekanizuara të telekomunikuara, qëllimi i vetëm i të cilave është të na shtrydhin për përfitim maksimal.

Kjo është arsyeja e tyre e vetme, nuk ka rëndësi me vrasje a me tradhëti. Ata hapin vende pune në vendet e varfra për paga kriminale, dikush ju thërret për faturën tuaj të telefonit, ju i pyetni se nga janë, nga India thonë ata, jo nga Bronksi.

Këqyrni rrobat tuaja, në ato etiketa, për ato punë që vodhën. Ngulfatja e njerëzve në të gjithë botën për t’i lënë të papunë dhe për të përhapur varfërinë kudo në botë. Nuk është koincidencë që Wall Street ishte plantacion. Tash duan të qeverisin krejt kombin. Jo si Weise Ubermensch

Supermeni i Bardhë, me Adolfin në krye, por ende si Diktaturë Fashiste, Superpacs, Kufoma uber alles. Jo si qeveri, por mbi qeveri, në vend të qeverisë.

Udhëheqësit e tyre janë Romneys, gjunjët e Romës, Cezarët e Rinj në një fron Ndërkombëtar. Përsëri në gjunjë përpara Romës.

Jo me mustaqet e Charlie Chaplinit dhe me kapardisjen lehtësisht të satirizuar për të na çuar në dhomat e gazit dhe kampet e përqendrimit, Sall blej! Shit!

Krejt falas (rrëqethuni kur i dëgjoni ta thonë atë fjalë) Falas! Të nxijmë jetën tonë për përfitimin e tyre. Duke mos paguar taksa, mishmashi i radhës Himmlerët si Tom Bythec Clarence dhe gruaja e tij kriminele duke iu lutur Zotit të tyre inekzistent, të cilin e kujtojnë teksa shkelin nëpër gjak duke kakarisur “Citizens United” këngën përvëluese të vampirëve që e mërmërisin në tërë botën derisa vijnë të na dëbojnë nga shtëpitë tona dhe shkollat tona, arsimi publik është gjithashtu në listën e tyre për likuidim.

Pavarësisht se a flisni spanjisht a greqisht, pavarësisht se a del nga goja e Christies apo Booker’s, Bloomberg ose ndonjë Çorodi tjetër.

Këtë luftë të re antifashiste duhet ta luftojmë. Kundër sundimit të Kufomave. Diktaturës së Korporatave që po formohet para syve tanë. Kjo nuk mund të na befasojë më. Bëjini gati tërfurqit tuaj. Mëshoni Fort dhe Rrastë. Ju ua shkurtoni ymrin atyre ose ata ua nxijnë jetën juve.

Përktheu: Fadil Bajraj

Titulli i origjinalit: “Ç’ËSHTË KJO KUSH ËSHTË KY NË ATO RROBA TË VJETRA NAZISTE? NAZIZMI KA VDEKUR



ObserverKult


Lexo edhe:

DAN FANTE: I VETËM U KURSEVA DHE SHPËTOVA

Për një kohë të gatë kam ekzistuar
në errësirë
duke e preferuar atë

Pa pasur nevojë të flisja aq as të kërkoja miq
ishte lehtë

Në çdo perëndim dielli futesha dhe çlajmërohesha, merrja taksinë time,
pastaj ia mësyja natës
për t’u çliruar
nga çdo gjë

vit pas viti
i shpëtuar në një anije kozmike endesha
nëpër lagje pa fytyra dhe pa emra

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult