Anagnosti, Xhuvani e Xhepa sjellin veprat e ndaluara. “Zbulohen” poezi të panjohura të Camajt e Asllanit

Germa ‘R’, ajo që damkoste librat në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, mblodhi mbrëmë, nën një re poetike, yje të skenës dhe ekranit shqiptar.

Jo shpeshherë na ndodh të shohim së fundi emra si Roza Anagnosti, Luiza Xhuvani apo Ndriçim Xhepa të dalin në skenë. Së bashku me të riun e palodhur Kristian Koroveshi sollën një kolazh krijimesh të disa prej autorëve të mëdhenj shqiptarë, por të dënuar gjatë regjimit diktatorial, me ndalim të veprës së tyre. Camaj, Asllani, Fishta, erdhën nën interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve në instalacionin “Reja”.

Nën praninë e një spektatori të paktë, duke respektuar masat anti-Covid, ‘Germa R’, një aktivitet i Ministrisë së Kulturës të Shipërisë, ishte një homazh në 100-vjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare. Në regjinë e Kristian Koroveshit, me një lojë dritash, brenda 40 minutash, u shfletua një nga ato faqet më absurde të historisë. Përballë poezive të mrekullueshme (jo atyre që i dëgjojmë rëndom) vendosej vendimi i ndalimit. Teksa shtypte në një makinë shkrimi të viteve të pasçlirimit, një zë jepte “dënimin”. Gjykatorja Popullore e kishte dhënë verdiktin: të ndalohen! E pas atyre goditjesh tastesh, si kërcitje mitralozësh, vinin poezitë e ndjera për tokën, për dashurinë, për mallin, për fëmijët..

E pranishme në këtë mbrëmje ishte ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila u shpreh se ky aktivitet ishte vetëm një ndalesë në atë histori 100-vjeçare të Bibliotekës Kombëtare, që ashtu si jeta e shqiptarëve ka pasur ulje-ngritjet e veta, edhe ndalimi i veprave ishte një nga ato faqe jo të lavdishme të këtij institucioni, imponuar nga politika e kohës. Margariti u shprehu mirënjohjen aktorëve, që sipas saj nuk reshtin së sjelli nga vetja vetëm emocion, edhe në kohë të vështira, si këto që po kalojmë, në kohë pandemie. Ndërsa për drejtorin e Bibliotekës, Piro Misha, mbrëmje të tilla vijnë si një kujtesë e atyre kohëve kur shkrimtarët dënoheshin jo vetëm për pikëpamje politike, por edhe sepse ishin i afërm i dikujt të konsideruar si “armik i popullit”. Ai vërejti se poezitë e zgjedhura ishin të jashtëzakonshme dhe jo fort të njohura për publikun, çka do të thotë se kemi shumë për të zbuluar për Asllanin, Camajn etj.

‘GERMA R’ Mbrëmja poetike u ndërtua mbi një koncept të thjeshtë, që lidhje me një germë, që vuloset librat e ndaluar dhe që ruheshin në fondet e Bibliotekës Kombëtare:

Çfarë fjalësh fillojnë me germën “R”: Rini, Rebel, Revolucion, Rëndësi, Revansh, Reaksionar…

Po ka edhe “Rezervim”!

Me vendimin e Gjykatores Popullore të Tiranës të vitit 1948 nisi edhe historia e germës “R”.

Veprat e Fishtës Mid’hat Frashërit, Ernest Koliqit, Gjon Shllakut, Anton Harapit, por edhe Mitrush Kutelit, Mustafa Krujës, Justin Rrotës, Tajar Zavalanit, Kristo Dakos e dhjetëra të tjerë u damkosën me një “R” të kuqe- të rezervuar!

Por ‘përndjekja’ nuk përfundoi këtu. Qarkore, urdhëresa, vendime nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës dërgonin lista pas listash dhe mbi shpinë librash mëshohej “R”, madje edhe “Sh R”-Shumë të rezervuar apo “R A”-Autor i Rezervuar.

Dhe kishte mes tyre shkrimtarë, përkthyes, redaktorë, gjuhëtarë, ish-politikanë të shpallur “armiq të popullit”.. madje, dënoheshin edhe botime.

Imagjinoni “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, botim i Tiranës, qarkullonte nëpër librari, ndërsa “Gjenerali” i Prishtinës ishte i rezervuar.

Përgjatë 40 viteve pati libra që ndaloheshin pa dalë, që në shtëpinë botuese, të tjerë do të hiqeshin nga qarkullimi, ose do të ktheheshin në karton.

Nëse ata të parët do të vdisnin ende pa lindur, për të tjerat e kishte një shpresë. Ajo germa “R” u mbeti në lëkurë, por ama shpëtuan. Biblioteka nuk i asgjësonte, thjesht i rezervonte, i konservonte dhe ato kanë mbërritur deri sot.

Ama, kontrolli qe i rreptë, skedarë më skedarë e skedë më skedë.

Në një nga dokumentet e kohës shkruhej: “Me gjithë punën e bërë, ekipet e kontrollit konstatuan se në disa raste janë gjetur në skedarë për përdorim masiv titujt që nuk duheshin lënë… Më të theksuara këto gabime dalin në Bibliotekën Kombëtare ku janë lënë në skedarët e lexuesve edhe botime të shkrimtarëve reaksionarë, borgjezë e revizionistë…”.

Skedarët kontrolloheshin, pastroheshin.. deri në ditën, kur mbet./panorama.com.al