Anastas Kostandini- piktori i Pogradecit

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë piktorit, Anastas Kostandinit.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Për piktorin Anastas Kostandini (Pogradec, 1954) kisha dëgjuar shumë vite më herët nga shtypi dhe televizioni i vetëm i kohës, ndoshta bashkë me emrat e artistëve të grupit realizues të mozaikut “Shqipëria” në fasadën e MHK në Tiranë të ndërtuar aty nga mesi i viteve ’80.

Nga Qerim Vrioni

Ishte kënaqësi njohja me të në vitin 2006, ku biseda u vërtit më shumë rreth pikturës dhe fotografisë. Prej atëherë piktorin nga Pogradeci e takoj shpesh kur ai vjen në Tiranë ose sa herë shkoj unë në qytetin e tij. Kafet me të kanë edhe pak shijen e paqme të Poradecit.

Taso, siç i thonë familjarët, miqtë dhe dashamirët e tij të shumtë, pas kryerjes së studimeve për pikturë monumentale në Institutin e Lartë të Arteve më 1978, filloi të ekspozojë krijimtarinë e tij të begatë në qytete e vende të ndryshme. Kështu, pas Pogradecit, Taso hapi ekspozita vetjake me piktura dhe grafika në Tiranë, Korçë, Durrës, Gjirokastër, Fier dhe mandej në Ohër (Maqedoni), Balley (Francë), Boston (SHBA), Dortmund dhe Lauf (Gjermani), Bukuresht (Rumani) etj.

Në vitin 1991 Tasoja u vlerësua me titullin “Piktor i Merituar”, më vonë edhe “Qytetar Nderi” i Pogradecit. Ai ka botuar edhe 2-3 albume mbresëlënëse ku paraqitet me piktura dhe grafika. Në vitin 2008 ai hapi në GKA ekspozitën me titull “Wine Day” (Dita e verës), ku në disa tablo kompozicionale himnizohej pija e verës, duke nisur nga mirërritja e rrushit, kthimi në verë, ruajtja dhe sidomos përdorimi i saj tradicional dhe i bekuar në Pogradec e rrethina.

Sot e gjithë ditës, Taso punon vazhdimisht, por edhe ekspozon, pa i dhënë rëndësi publicitetit në krahasim me procesin e krijimit.

Tasoja, ashtu si edhe disa kolegë, me krijimtarinë e tij ka zhvleftësuar thënien që qarkullon në kryeqytet, sidomos kohëve të fundit se “Art bëhet vetëm në Tiranë“, duke e ndryshuar atë me: ”Art bëhet atje ku ka artistë“ dhe ai mbetet nga më të dalluarit, por dhe më të thjeshtët e këtyre të fundit.

Nga takimi i parë me Tason në vitin 2006 vjen edhe kjo shkrepje çasti.

ObserverKult

Qerim Vrioni dhe Anastas Kostandini

Lexo edhe:

QERIM VRIONI: PIRO MOSI- FOTOGRAFI SIMBOL I SARANDËS