Andërr e pame me sy çel… poezi nga Bislim Ahmetaj

bislim ahmetaj

Kam dalë me mbledhë yje
po na zë frymën terri në tokë
njerëzia kanë nevojë për pak ma shumë dritë.

Hëna ma ndritë udhën
që të mos shkel mbi folë rrufesh
kur eci mbi kreshta malesh që zbardhojnë.

Yjet që mbledh i vë
lehtshëm n’nji krozhën
Si të ishin vezë shqiponjash.

Për veç hënës
dhe ndonjë zane të vetmuar
askush s’e ndjek ritin tim të vjeljes së yjeve.

Ata, pronarët e errësirës
jetojnë në qytete të ndotura
dhe nuk shohin aq larg, aq më pak, aq qartë.

Edhe pse një re katran t’zezë
bash si lëkurë hiene ja kanë lshue qiellit
donë me ma mlue hanën e yjet me m”i mshefë.

Ngrihem maje gishtash
ndër ma të naltat kreshta malesh
dua t’ja vjelë yjet nji nga nji arushës së vogël.

Kur ta mbushë krozhnen plot yje
druaj se do t’jetë mshefë hana
do t’ketë zbardh drita
do t’jetë fshi reja
do m’dalë gjumi
dhe yjeandrra
do m’digjet.

ObserverKult

Lexo edhe:

BISLIM AHMETAJ: JORGOJA I TROPOJËS

Mehmet M erdhi në jetë pak para se të lindte shekulli i XX-të. Varfëria dhe skamja në shtëpinë e tyre kishte qënë mallkim brezash. Shumë pak tokë dhe për pasojë edhe ma pak bagëti të imta.

E vetmja pasuri e tyre ishin katër- pesë rranjë mana të mbjellur çrregullt në atë copë oborr. Askush se dinte se kush i kish mbjellë ata mana veçse  përiudha maj-qershor kur  piqeshin manat ishte festë në atë familje me shumë fëmijë… ishte koha që ua  shuante urinë. Ndërsa Mehmeti rritej  ekonomia e familjes veç keqësohej, ai vet po shkonte në të kundërt të rrjedhës së familjes së tij përveç që lëshonte shtat bahej përditë dhe më i pashëm dhe më i mençur. Mësoi se lufta po nuk ta mori jetën të banë  të pasur. Vendosi që aty ku do të kishte luftë do të ishte edhe Mehmet M. Luftoj krah për krah austriakëve, turqve, ju bashkua forcave të Isë Boletinit që shkuan drejt Vlorës për ta shpallë Pavarësinë e Shqipërisë. U rrjeshtue në ushtrinë e qeverisë së Vlorës, por kur pa që nuk po i paguanin dezertoi.

Tekstin e plotë e gjeni KËTU