Bislim Ahmetaj: Jorgoja i Tropojës

bislim ahmetaj

Mehmet M erdhi në jetë pak para se të lindte shekulli i XX-të. Varfëria dhe skamja në shtëpinë e tyre kishte qenë mallkim brezash. Shumë pak tokë dhe për pasojë edhe ma pak bagëti të imta.

E vetmja pasuri e tyre ishin katër- pesë rranjë mana të mbjellur çrregullt në atë copë oborr.

Askush se dinte se kush i kish mbjellë ato mana veçëse periudha maj-qershor kur  piqeshin manat ishte festë në atë familje me shumë fëmijë… ishte koha që ua shuante urinë. Ndërsa Mehmeti rritej ekonomia e familjes veç keqësohej, ai vet po shkonte në të kundërt të rrjedhës së familjes së tij përveç që lëshonte shtat bahej përditë dhe më i pashëm dhe më i mençur. Mësoi se lufta po nuk ta mori jetën të banë të pasur. Vendosi që aty ku do të kishte luftë do të ishte edhe Mehmet M.

Luftoj krah për krah austriakëve, turqve, ju bashkua forcave të Isë Boletinit që shkuan drejt Vlorës për ta shpallë Pavarësinë e Shqipërisë. U rrjeshtue në ushtrinë e qeverisë së Vlorës, por kur pa që nuk po i paguanin dezertoi.

Më pas krijoj një çetë të vogël të armatosur me një uniformë të çuditshme që si përkiste asnjë shteti dhe u soll nëpër Shqipërinë e Mesme derisa ju bashkua trupave rebele të Haxhi Qamilit.

Me ta bani plaçkë sa në dy luftëra të marra së bashku. Për do kohë u tërhoq, ndërtoi një shtëpi si gjithë katundi, bleu lopë dhe vuni një tufë dhishë. Kalin e tij se kish kush në gjithë katundin, një vraç i zi që i shkëlqente qimja si mëndafsh Kine.


Në 1920 mbërriti në Vlorë, por jo për t’u rezistuar italianëve, por për t’u bashkuar me ta. Kur u tërhoqën italianët Mehmeti u kthye prapë në shtëpi edhe kësaj radhe me plaçkë bajagi të majme.

Gjatë qeverisjes së Mbretit Zog pa punët e tija dhe su përzie asnjë ditë me të. Sa mori vesh që vendi u pushtua nga Italia u bashkua rishtazi me ta ku u emërue komandant i një njësie territoriale në Kosovë. Shumë shpesh kthehet në fshat me kuaj të ngarkuar më gjithfarë mallrash. Për shkak të aftësive të tij luftarake e çuan në frontin e luftës me grekët. Kur grekët merrnin vesh që po vjen kompania e Mehmet M lëshonin fshatrat dhe ja mësynin Anadollit.

Diku ndër ato fshatra të Thesalisë në Kalabaka, Mehmet M do të njihte një grua që do t’ja ndryshonte krejt rrjedhën e jetës dhe sidomos mendimin për luftën. Diçka i mbeti peng gjithë jetën, ai  s’mundi kurrë ta shqiptonte të plotë emrin dhe mbiemrin e saj edhe pse i çahej zemra sa herë e shihte dhe sa herë e kujtonte. S’ishte për t’i vu shumë  faj edhe pse Mehmet M ishte njeri i shëtitur dhe i shkolluar, sepse në të vertetë emri dhe mbiemri i saj ishin jo vetëm të gjatë por edhe shumë të ngatërruar dhe jo vetëm në lexim por më keq akoma në shqiptim. Grekja e bukur në dokumentat e saj e kishte emrin Anaksimandhros, emrin e të jatit Jorgos dhe mbiemrin Aleksandrukos.

Mehmet M kishte shkuar me shumë gra në 43 vitet të tij por kurrë s’kishte provuar të binte në dashuri me një grua, s’kishte pasur kohë për atë punë.

Grekja e bukur nga Kalabaka e gjunjëzoj, ra brenda këmbë e krye aq sa dezertoi nga ushtria italiane dhe bashkë me të i hypi rrezikut të udhëtonte mespërmes Shqipërisë, tashmë prej tri vitesh nën kurorën e Viktor e Emanuelit të III drejt shtëpisë së tij në veri të vendit në një udhëtim plot peripeci vuajtje dhe rreziqe.

Vetëm dashuria bëri të mundur që ata të dy pas më shumë se një muaji të mbërrinin në fshatin e tij të lindjes shëndosh e mirë. Dy javë pasi mbërritën në katund u ba dasëm e madhe, grekja e bukur që s’ja mësoj askush emrin ndenji tri ditë divan, herë e veshur me vello të bardhë, herë me pshtjellak të gjanë dhe herë me veshë reke.

S’mbet kush në krahinë pa e çmue bukurinë e saj, aq sa e morën vesh edhe autoritetet italiane që Mehmet M kishte mbërritur në fshatin e tij të lindjes dhe e shpallën person shumë të kërkuar.

Miqtë e tij në komandën rajonale e lajmëruan Mehmet M para se ta arrestonin  dhe prej asaj kohe ai doli komit nëpër male.

Gjashtë muaj pasi grekja e bukur mbërriti në fshatin e lindjes së Mehmet M e zunë dhimbjet e lindjes, plakat e shpisë edhe pse u munduan s’ja dolën t’ja shpëtonin jetën. I biri lindi si kokrra e mollës dhe u pagëzua me emrin e të jatit të grekes së bukur e cila ja kishte vu emrin para se të lindte.

Mehmet M për shkak të humbjes së lidhjeve të gruas së tij të dashur me njerëzit e saj e kishte pranuar atë emër të çuditshëm për zonën. Grekja e bukur që s’ja mësoj kush emrin u përcoll për në varrezat e fshatit me po aq madhështi sa edhe kur ishte martuar. 

Ngaqë emri Jorgo ishte krejtësisht i panatyrshëm për zonën të gjithë e thirrën Bebi. Kurrë se mori kush vesh që Jorgo ishte i biri gjenetik i Mehmet M, ndoshta për këtë s’ishte i sigurtë as vet Mehmeti. Ky mbeti një mister që u varros bashkë me greken e bukur. Pas humbjes së dashurisë së tij të parë dhe të fundit Mehmet M ju  kthye pasionit të tij të vjetër, luftës. Midis dashurisë dhe luftës fatkeqësisht te ky njeri i rrallë triumfoi pasioni i hershëm, lufta. Duke qenë në mal si komit i kërkuar ju bashkua çetave partizane, si gjithmonë pa asnjë ideal, por thjesht për mbijetesë dhe plaçkë. Kur ikën gjermanët Mehmet M u vesh ushtarak i regjimit të ri që u vendos në Shqipërinë e pasluftës së Dytë Botërore.

Ndërsa Jorgon, të birin pranvera e vitit 45 e gjeti rreth katër vjeç. Ai u rrit, jetoi dhe është gjallë sot e kësaj dite.

Në historinë e Mehmet M pa pikën e dyshimit që ka jo pak triller shkrimtari ndërsa që Jorgo Papa është greku i vetëm prej Tropoje nuk e luan as topi i turkut, as mortajat e grekut.

Sarandë me 13 Korrik 2020

ObserverKult


bislim ahmetaj

Lexo edhe:

BISLIM AHMETAJ: S’MUJ ME T’DASHTË MA

oezi nga Bislim Ahmetaj

Një mëngjes
Gushti
E mora në telefon
Të dashurën time
Dhe pa i thanë hala “Mgjes”
Ju luta me përgjërim
Ik shpejt te pema ky u pamë për herë të parë.
Aty do t’i gjesh
Të varura të gjitha puthjet tona
Ato në buzë,
Në sy, në rranza të veshëve,
Në qafë,
E deri te majat e thojve të kamës.
Po t’lutem
çou shpejt
Pa ra dielli hala
Se puthjet kan me na u tha
Gjej ashtu, të lame me vesë

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


BISLIM AHMETAJ: ZEMRA RREH VEÇ PËR DASHURINË

Zemra rreh veç për dashurinë.

Unë e pashë.
Po, po e pashë vajzën,
Që ja shkruaja dikur emrin
Me gurë lumi të lëmuar si vezë pëllumbash të egër,
Në rudinën ku ajo kulloste delet e saj të pakta në numër.

Po, po mu kujtua,
Unë e gdhendja emrin e saj
Mbi barin e njomur që e kish kap lagshta,
Mbrëmjeve vonë kur dielli kish pushuar me kohë pas kreshtave.

Po, po e mbaj mend kur,
Ajo çohej më herët se gjithë njerëzia,
Hala pa dalë drita mirë e i turrej teposhtë rudinës,
Dhe gurët e bardhë si vezë pëllumbash të egër i rreknente drejt lumit.

Po, po e kujtoj mirë,
Vetën time fshehur mbas gardhieve,
Duke marrë frymë thellë gati me e shkye këmishën e vetme,
E, ajo, duke i gjuajtë gurët- shkronja  pamëshirshëm kah hiç-i, kah mos-i .

Po, po s’mund ta harroj,
Mbrëmjen pasuese kur unë ju qepa bregut të lumit,
Dhe mblodha rishtaz gurë të bardhë, si vezë pëllumbash të egër.
E në vend të emrit të saj vizatova mbi rudinë një zemër që e shponin dy shigjeta.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult