Andrea Brandt: Është mirë zhytja në “depo nostalgjike”…

Andrea Brandt - nostalgjia

Nga Andrea Brandt

Nostalgjia: Pse të menduarit për të kaluarën mund të jetë diçka e mirë për ne

Kohët e fundit dola për darkë me një grup miqsh të vjetër, me të cilët nuk kisha kontakte prej kohësh. Pas bisedave të zakonshme mbi atë që kishim humbur gjatë viteve që kaluan, u zhytëm shpejt në një mbrëmje “nostalgjike”.

Ndamë kujtime të bukura, dhe atë natë u ktheva në shtëpi duke u ndjerë ngrohtë, e lumtur dhe e dashur. Sipas shkencës, unë kam përjetuar saktësisht atë që na bën nostalgjia. Të nostalgjizosh do të thotë të kënaqesh me nostalgjinë “një ndjenjë kënaqësie dhe po ashtu një ndjenjë trishtimi e lehtë, kur mendon për gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën”.

Një studim i vitit 2011, i botuar në “Journal of Personality and Social Psychology”, zbuloi se pjesëmarrësit që u nxitën të ndiheshin nostalgjikë duke dëgjuar një këngë hit të preferuar nga e kaluara e tyre, “kishin më shumë gjasa sesa një grup kontrolli, të thoshin se diheshin ‘mirë’ dhe se ‘jeta ia vlen të jetohet”.

Studimi i botuar në revistën “Emotion”, zbuloi se ditët më të ftohta shkaktojnë më shumë nostalgji sesa ato më të ngrohta. “Pjesëmarrësit që kujtuan një ngjarje nostalgjike (në krahasim me atë të zakonshme autobiografike), e përceptuan si më të lartë temperaturën e ambientit”.

Me fjalë të tjera, kujtimet e ngrohta mund t’ju bëjnë të ndiheni më ngrohtë.

Fillimisht e kategorizuar si sëmundje. Nostalgjia vjen nga fjala greke nostos, rikthim në shtëpi, algos dhimbje. E krijuar nga një mjek zviceran në vitin 1688, termi u përdor për të përshkruar një “pacient që vuante shumë nga malli”.

Sot kur e përdorim këtë term, nënkuptojmë zakonisht një “emocion të hidhur, por kryesisht pozitiv”. Një emocion që “lind nga kujtimet e dashura, të përziera me dëshirën”. Nostalgjia na bën të ndihemi më pozitivisht për veten dhe të ardhmen. Ajo na bën ta shohim jetën si kuptimplotë. Nostalgjia forcon edhe lidhjet tona shoqërore.

Nostalgjia, që mund të rrisë mirëqenien tonë psikologjike, është e ndryshme nga procesi i thjeshtë i të kujtuarit, gjë që ndonjëherë mund të na bëjë të ndihemi të trishtuar. Të menduarit për të kaluarën, mund të shkaktojë ndonjëherë dhe ndjenja të tjera keqardhjeje.

“Nostalgjia, një dëshirë sentimentale për të kaluarën, është një përvojë emocionale e zakonshme, universale dhe shumë sociale”- shkruajnë Tejlor Fiorito dhe Klej Rutlexh në studimin e tyre “A është nostalgjia një përvojë e orientuar nga e kaluara apo e ardhmja?”, botuar në “Frontiers in Psychology” në vitin 2020.

“Kur njerëzit sjellin në mendje kujtime që i bëjnë nostalgjikë, ata po rishikojnë ngjarje personale kuptimplota të jetës të përbashkëta me të dashurit e tyre. Nostalgjia përfshin reflektimin mbi përvojat e kaluara. Por ajo motivon edhe gjendjet afektive, sjelljet dhe qëllimet që përmirësojnë jetën e njerëzve në të ardhmen”- theksojnë ata.

Kur mendojmë për ngjarje domethënëse të jetës, të cilat shkaktojnë reagimin tonë nostalgjik, kjo na ndihmon ta kuptojmë jetën tonë. Ne formojmë një narrativë se kush jemi, kush kemi qenë, kush do të dëshironim të bëheshim dhe ku kemi qenë, ku jemi tani dhe ku do të dëshironim të shkonim.

Historia që i tregojmë vetes për veten tonë, është jetike për mirëqenien tonë psikologjike.

Po si t’i tregoni vetes një histori më pozitive? Ndërtoni një “bankë mendore” plot me kujtime pozitive. Në një intervistë të vitit 2013 për New York Times, dr.Sedikides e quan atë “depo nostalgjie”. Kur zhyteni në “depon tuaj nostalgjike”, mos e krahasoni me asgjë tjetër kujtimin që po sillni ndërmend. Përpiquni vetëm të përqendroheni dhe ta shijoni atë.

Vazhdoni ta mbushni depon tuaj nostalgjike gjatë gjithë jetës tuaj. “Unë nuk humbas asnjëherë rastin për të ndërtuar kujtime nostalgjike”-tha dr.Sedikides për NYT. Pra është normale të flasësh me mall për gjërat që sapo kanë ndodhur dje. Në fakt, është mirë diçka e mirë për ju./Psychology Today

ObserverKult

Lexo edhe:

SINDROMI I ANA KARENINËS, DASHURIA QË E DËMTON VETEN