“Kujtohu të ngrihesh herët”, poezi nga Andrew Faber
Është një energji misterioze, e mahnitshme
që jeton vetëm për disa orë
kur lind dita.
Është takimi yt me universin
Bëhu gati.
Të bën të ndihesh jashtë kohës
teksa në lutje falesh
teksa i rrëfen dikujt për veten
teksa përkëdhel një qen
apo ndjek me sy një mace që skanon boshllëkun.
Teksa lexon një libër e mëson fjalë të reja
teksa ndjen të tjera heshtje
teksa i kërkon ndjesë dhimbjes tënde
e gëzimit që vjen të të mahnisë.
Teksa në rrugën tënde takon
njerëz të aftë të ecin brenda teje .
Qarkuar nga e njëjta dashuri mbuluar me dritën e kësaj përkujdesje.
Promovo artin e mirësisë
dhe merr largësi
nga çdo konflikt që nuk të përket .
Mësohu të shikosh, të vëzhgosh.
Stërvite gjatë vështrimin tënd
gjithçka fillon nga aty
ku bota të shfaqet
ku perceptohet, nga sytë e tu.
Tregoi zemërimit tënd se ekziston falja
e rrëfehu për atë përqafim që do të doje të kishe
dhe që prej kohësh të mungon.
Dil jashtë dhe merr frymë.
Falëndero që je i lirë, i lirë në trupin tënd.
Falëndero sa herë të mundesh për gjithçka,
ca më tepër kur të duket
të mos kesh asgjë.
të mos jesh askush.
Çdo ditë që kalon e shëndetshme
është një mrekulli që duhet vlerësuar .
Kthehu në të shkuarën vetëm për të kujtuar kush je
për të admiruar atë që ke bërë.
Thënë ndryshe, zgjidh të tashmen.
Aty jeto, krijo, fantazo. Aty ekzisto.
Atë pak nga ty, të shpërndarë gjithandej,
përpiqu ta mbash gjithmonë në kujtesë.
Je në sytë plotë jetë të fëmijëve të gëzuar.
Në veprimet e lodhura të të moshuarve që rrëfejnë.
Në anën e mbrapme të gjetheve të tendosura në diell.
Je në këngën e guacave, ku fryn era.
Në zemrën e heshtur të yjeve.
Ti je atje dhe brenda çdo pafundësie vendesh të tjera
që s’i prek imagjinata .
Mos ndalo kurrë së pyeturi veten.
Të synosh lumturinë dhe të besosh në ëndrra.
Mos ndalo kurrë në kërkim të vetes.
(Titulli i origjinalit ‘Ricordati di alzarti presto’)
Solli në shqip: M. Zegali
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇUN LAJÇI: KUR MALLI SHKON KAH S’TË ÇOJNË KAMTË
kryet tand e kam vu te shtrati
si gjysmën e hanës
me ba dritë
me folë e me folë
kur malli shkon kah s’të çojnë kamtë
e ndalet të ajo dardha gurçe
aty mbi gardh
të sheu i vogël n’cikol
që dimni e ban me dhamë akujsh
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult