Festivali ndërkombëtar i animacionit “Anibar” filloi edicionin e 12-të të tij. Siç bëhet e ditur në komunikatën për media ceremonia e hapjes së këtij festivali u mbajt në Kino “Liqeni”. Ku të pranishëm ishin shumë dashamirës të filmit të animuar, personalitete të njohura vendore si dhe ndërkombëtare.
Këtë vit, duke konsideruar situatën e krijuar nga pandemia organizatorët sjellin festivalin në version hibrid.
Ku shfaqja e filmave të animuar do të bëhet nëpërmjet internetit, mirëpo festivali do t’i hap dyert përsëri në qytetin e Pejës për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë prezentë.
Ky edicion është një ftesë për të gjithë krijuesit dhe vizitorët që të shijojnë një hapësirë mëse të nevojshme. Duke e lënë mbrapa pandeminë dhe efektet të cilat izolimi i ka sjellë tek ne.
Vlen të ceket se të gjitha aktivitetet gjatë festivalit do të zhvillohen në përputhje me masat kundër shpërndarjes së COVID-19 të vendosura nga institucionet.
‘Izolimi’, tema e sivjetme
Është pikërisht situata me pandeminë e cila i inspiroi organizatorët e festivalit që këtë vit ky edicion të ketë si temë ‘izolimin’.
Edicion ky i cili i dedikohet tregimit të storieve të izolimit nëpërmjet animacionit si medium krijues.
Një edicion ku do të eksplorohet izolimi në tërësi, me të gjitha nuancat e tij. Izolimin artistik, izolimin të cilët qytetarët e shtetit të Kosovës e përjetojnë tash e shumë vite si pasojë e mungesës së vizave, transmeton ‘rtklive’.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar vjen me një program mjaft të pasur. Prej 300 filmash, nga 1413 të dërguar, nga e gjithë bota.
Filmat ndahen në nëntë kategori
Filmat ndahen në nëntë kategori, gjashtë prej të cilave janë garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut. Dhe tri kategori tjera që janë jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.
Përveç shfaqjes së filmave të animuar, si çdo edicion tjetër edhe këtë vit do të ketë programe tjera. Ku përfshihen pesë prezantime, katër punëtori dhe gjashtë panele.
Si në vitet e mëparshme, të ftuar specialë do të bashkohen për të ofruar njohurinë e tyre rreth industrisë së animacionit.
Personalitete me renome botërore, fitues të çmimeve Oscar, animator të serive me prestigjioze në mbarë botën, do të mblidhen për të ndarë eksperiencën e tyre së bashku me ju, nëpërmjet mediumeve të ndryshme të festivalit.
Anibar këtë vit sjellë edhe programin muzikor, ku do të performonjë shumë artistë si: Uj pa Gaz, Yll Megi, Zëada, Eptan, Stratos, Elsa Rraqi & Ilir Bajri, Florent V, Altin Boshnjaku dhe Ashikët e Gjakovës.
“Ky edicion i festivalit përfundon më 30 korrik. Ju mirëpresim në kinematë tona në Pejë, ndërsa virtualisht. Vizitorët mund të shikojnë të gjitha filmat në platformën tonë digjitale në online.anibar.org”, thuhet në komunikatë.