Vetmia i flet tisit të zi të qiellit dhe kohës:
Mungesa e Njeriut,
Ftohtësi katile anë e kënd botës.
Dehur me kupa trishtimi pelin
Njerëzimi i harroi fjalët në amshim…
Shikimet, buzëqeshjet dhe duarshtrëngimet,
Mbetën si këpucë të grisura pas pragut të portës
Flirtet, tradhtiçkat bën sikur s’i sheh
Anipse gjak loton kjo botë e marrë,
Që Universit hiqet zvarrë!
Ditë-netët pluskojnë gjirizeve
Joshjeve të koketave dalëboje në këneta epshi…
Kush tha se babëzia e vesit njerëzor shteroi!?
Kjo botë e vjetër si mot e sot…
Xhinglave të dhunës epshore
Pi orët e veta në koktejle mortore!
Shkruan historitë e shekullit…
Shkruan se vuan
E kurrë se gjeti pse vuan,
Pse dhunohet, e dhunon
Pse përndiqet e përndjek
Pse tradhtohet e tradhton
Pse e vrasin e pse vret…
Engjëj e djaj kafshohen matanë
Në burgun e trupave tanë!
Njeri!
Me veten ende se fitove davanë!
Vetmia i flet tisit të zi të qiellit dhe kohës:
Përgjigjen e merr nga piratët e zinj të botës!