Anila Varfi: E dashtun jetë!

Përpara se t’ia behte kjo flamë si qen i tërbuar rrugaç, unë siç ndoshta të gjithë ne, nuk të thosha shpesh se të dua, jo se nuk të desha apo të dua, por se koha rendte aq shpejt, sa nuk gjeja, qoftë dhe një minutë për të ta thënë.
Tani që njerëzimi kafazin e trupit po e ruan nga pështyma e kësaj vdekjeje tinëzare, nënvetëdija ka filluar të më pyesë: “Hë, çdo të bësh sot?”
“Hiç, i them, thjesht jam ngujuar e lutem! Sytë më janë skuqur nga lotët e ftohtë, ndrydhur për dëshirat e ndalume, i përsërit vetes, se ardhka një ditë dhe ti braktis gjithçka e të duhet të jetosh veç në dy metra katrorë vend të dhomës tënde…”

E dashtun kohë, që përdhunshëm po më jep leksione braktisjeje, çdo prej meje?
Sot ëndrrat i kam shumë të thjeshta: veç diell, ajër, ujë!
Bota e ndali ritmin e në heshtje po ndreq kaosin e dëshirave të vetes, mos ndoshta erdhe të thuash moj mortje, se makutëria njerzore është gropa jonë?!
-Moj, kohë e shthurur murtaje, boll më bëre orgji me vdekjen!
Ndal…nuk të ka ardhur radha mbi këtë rruzull! Ëndrrat do t’i drejtojmë ne!
E dashtun jetë, të dua marrisht, mrekullisht se ti je ma e shtrejta mrekulli!
Tani në kërcellin e jetës do ta ngul ma fort spirancën e kujdesit dhe dashurisë për ty, mrekullinë e mrekullive mbi këtë gjindje.