Anila Varfi: Kohë viroze

Kohë që nduk ku t’mundë e kë t’mundë
Me virozë e overdozë.
Çirret,
ngërdheshet në selfije gjithkund,
Gishtin tund:
Këtu jam unë!
Trazoj jetët, ftoh mendimet!
Këtu jam!

Lajmë duart,
shpëlajmë fytyrën,
Trupin fshehim në parfum,
Po shpirtit ç’t’i bëjmë?!!

Sa vonë mendojmë për veten!!

Kohë që veset i ngjiz në këneta plot me ego udhëhumburish…
Kohë që kafshon e dhemb.
Uuh sa dhemb!

Si dallgë e zemruar iki prej murtajës së kohëve moderne.
Kohë që luan virtualisht me qeshjen,
qarjen,
brengën,
jetën!