Jorgo Papingji: Ku po shkon kjo botë?

Një ditë u zgjua bota
Nga ëndrra që kish parë
E çirrej, qante, qeshte si e marrë.

Me flokët e pakrehur,
Shpresa zhdukur,
Kërkonte bota trurin që kish humbur.

Me sytë e zgurdulluar, ndjenja mpirë,
Bota kafshonte veten, si vampir.

Si erdhi kjo sëmundje? Kush e solli?
Ç’kuçedër nga legjendat birin polli?

E bota kur vetveten e ndërsente,
Kërkonte një arsye, por se gjente,
E trembej të shikohej në pasqyrë,
Kjo botë vetëvrarë, kjo botë e ndyrë.

E pisët, e palarë, pa tualet,
Vetëvetes i vërsulet dhe e vret.

E në një çast që stepet,
Zë e vajton,
E pyet bota veten
Hej, ku po shkon?

Ku po shkon kjo botë
Nuk e di asnjeri
Nuk e di as unë, nuk e di as ti..

Ku po shkon kjo botë,
Pa ma thuaj ti,
Pa ma thoni ju,
Kjo është çmenduri…