Emri i saj prej disa vitesh lakohet në si një ndër zërat më të mirë operistikë në botë. Sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, triumfon me albumin “Anima Rara”. Juria e Çmimeve Ndërkombëtare të Muzikës Klasike e ka vlerësuar albumin e saj si më të mirin e muzikës vokale.
Në mesazhin e saj, artistja nuk harron të falënderojë bashkëpunëtorët.
“Jam shumë e lumtur t’ju lajmëroj se albumi “AnimaRara” ka fituar çmimin e parë në kategorinë e muzikës vokale në ICMA (Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike). Dua të falënderoj ICMA për nderimin dhe gjithashtu të shpreh vlerësimin tim ndaj ekipit të “Opera Rara” dhe kolegëve të mrekullueshëm që bashkëpunuan me mua për të sjellë në jetë këtë muzikë të mrekullueshme. Kemi kuptuar përgjatë kësaj kohe se sa na nevojitet arti dhe sa e vështirë është që të krijohet. Ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme. Ju dua të gjithëve”, u shpreh Jaho.
Albumi u punua gjatë kohës së izolimeve. Teatrot e mbyllur nuk e kanë lënë pa punë artisten që e lajmëroi këtë projekt në korrik të 2020-s, për ta prezantuar në shtator. Por, ende pa u publikuar albumi, kritikët teksa e dëgjonin sopranon të interpretonte nisën vlerësimet për projektin “Anima Rara”.
“Nuk njoh asnjë soprano tjetër të performojë një repertor të tillë në një mënyrë kaq ekspresive sa Ermonela Jaho”, u shpreh Henry Little, drejtori Ekzekutiv i Opera Rara.
“Ajo është një nga këngëtaret më serioze, më të përgatitura që kam njohur në këtë repertor”, u shpreh dirigjenti, Andrea Batistoni.
Ndonëse, kohë të vështira për teatrot e mbyllura në të gjithë botën, skena operistike në Barcelonë vijon aktivitetin si pak teatro në botë. Në Barcelonë, sopranoja shqiptare do të interpretojë deri më 1 shkurt rolin e Antonias në operan “Përrallat e Hoffmann”./a2news.com