Anisa Ymeri: Vajza ime nuk është Princeshë!

anisa ymeri princeshë

Vajza ime nuk është PRINCESHË
Unë nuk dua të rris (dhe nuk po rris) një PRINCESHË!
Dua të rris dhe të edukoj një vajzë. Jo vetëm sepse historitë e princeshave janë fryt i fantazisë por sepse ne kemi nevojë të rrisim dhe edukojmë VAJZA (njësoj si edhe DJEM).

Nuk gjykoj askënd që jetën e fëmijëve zgjedh ta mbushë me princesha në torta ditëlindjesh, sandale, t-shirt apo mobilie të dhomës së gjumit… Dhe deklarata, shumë deklarata me princesha (e mamit, e babit, e nënës, e gjyshit, e hallës, e tezes madje edhe e shoqeve të mamit dhe gjyshes).
POR…mendoj fort se sot, jemi në një udhëkryq të madh social dhe kemi probleme të ashpra me prindërimin.

Ndërsa mendojmë ditë të tëra për tortën e ditëlindjes (kënaqësi e domosdoshme), le të mendojmë edhe për komunikimin me fëmijën;
Ndërsa mendojmë për një t-shirt të bukur (domosdoshmëri ushqimi i shijes estetike të fëmijës), të mendojmë edhe për sjelljen me ne, prindërit, me gjyshërit, edukatorët apo ata me të cilët ndan përditshmërinë;
Ndërsa mendojmë për shkollën më të mirë (shumë e rëndësishme në formim), le të mendojmë për kultivimin e të vegjëlve. Shkolla nuk bën magji, thjesht të shumëfishon rezultatin e përkushtimit tënd në familje dhe shoqëri.

Çdo fëmijë doemos ka “heronjtë” e fëmijërisë por gjëja e fundit që unë do të zgjidhja si “ushqim” për vajzën time, janë princeshat, fjalët, gjestet, figurat, sjellja…sikur ajo të ishte një PRINCESHË nga ato të përrallave që vetë ne i lexojmë për ta! Dhe shumë mirë bëjmë…sepse përrallat kanë tjetër qëllim në rritjen e fëmijës, ndërsa jeta, është tjetër gjë!
Duhet të rrisim VAJZA dhe DJEM dhe jo PRINCESHA dhe PRINCËR!

ObserverKult

Lexo edhe:

26 VITE NGA VDEKJA E PRINCESHË DIANËS! ÇFARË I MBETI PENG PRINCIT WILLIAM?