Anita Bitri, fillimi i karrierës së saj muzikore ishte vërtet interesant…

Anita Bitri është këngëtare dhe autore këngësh shumë e njohur. Anita Bitri u lind në një familje intelektuale. Të gjithë admironin tiparet e bukura dhe të ëmbla të kësaj fëmije ëngjëllor. Edhe pse ishte në kopsht, ajo këndonte dhe recitonte pa pushim. Që në atë moshë dinte shumë poezi të njohura dhe imitonte shumë këngë të festivaleve. Vlen për të përmendur pjesëmarrja e saj në Festivalin e Fatosave të rrethit të Vlorës. Ku paraqitet si valltare në rolin e “bletës punëtore”. Interpretimi i talentuar i Anitës tërhoqi vëmëndjen e pjestarëve të jurisë. Të cilët e vlerësuan si kërcimtaren dhe këngëtaren më të mirë të këtij Festivali.

Prej moshës 8–14 vjeç, Anita ishte pjesëmarrëse e rregullt e Festivaleve të Pionerëve të rrethit të Vlorës, duke u vlerësuar edhe me çmime nderi. Për t’u përmendur janë këngët e kënduara prej saj “Kukulla ime”, ”Agimi dhe fshesa” etj.

Ishte një fëmijë ëndërrimtar dhe shumë e apasionuar pas muzikës dhe këngës. Këngëtarja Vaçe Zela ishte idhulli i saj dhe ëndërronte të bëhej si ajo, një këngëtare e famshme. Talenti i saj i veçantë për muzikën tërhoqi vëmendjen e profesorit të violinës, zotit Robert Papavrami. Ai u mahnit nga veshi muzikor i saj në konkursin që u zhvillua për pranimin e elementëve të rinj për klasën e parë të shkollës së muzikës “Naim Frashëri” në Vlorë.

Për të parën herë profesori i madh u ndesh me një talent të tillë të dhuruar nga natyra. Anita, sipas profesorit, ishte një nga rastet e rralla që kishte 99% talent të dhuruar nga Zoti. Dhe i duhej vetëm 1% punë për t’u bërë gjeni në violinë. Intuita e profesorit nuk gaboi. Do të duhej vetëm një vit pune që Robert Papavrami dhe Anita të dilnin para spektatorit vlonjat në një duet me violinë. Duke mahnitur sallën me interpretimin e tyre virtuoz.

Vitet e shkollës fillore dhe 8-vjeçare u karakterizuan nga një pjekuri e lartë artistike në drejtim të violinës. Por, Anita ishte edhe një nxënëse e mirë edhe në disiplinat e tjera. Kishte një pasion të veçantë për sportin. Veçanërisht i pëlqenin ushtrimet gjimnastikore dhe lojrat e topit me dorë (basketboll dhe voleiboll). Në këtë fushë ajo shfaqej si një sportiste e lindur.

Në vitet e shkollës së mesme Anita filloj të studionte fshehurazi dhe të besonte në ekzistencën e Zotit dhe t’i bindej verbërisht Atij. Të gjithë habiteshin me bindjet e saj fetare. Të ndaluara për atë kohë. Pa asnjë druajtje shprehej që dhuntitë e saj ishin dhuratë e Zotit. Dhe çdo gjë e shikonte në këndvështrimin e tij. Në shkollën e mesme të muzikës “Naim Frashëri” në Vlorë ku ajo vazhdoi studimet, karakterizohej si një nxënëse shembullore, Veçanërisht në violinë, që ishte edhe instrumenti për të cilën studionte. Pasioni i fëmijërisë, kënga, ia kishte lënë vëndin violinës dhe solfexhit.

Në vitet 1980-1986 prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”. Mirëpo duke u rritur pasioni për këngën po e thërriste, gjë të cilën Anita filloi ta demostronte te shokët e klasës dhe profesorët e kantos. Të gjithë kuptuan se përveçse një violiniste e talentuar, ajo kishte edhe një zë të jashtëzakonshëm. “Një zë i ëmbël e njëkohësishtë i rrallë”, e cilësuan profesorët e saj.

Prezantimi i Anitës si këngëtare ishte thjesht një rastësi e përgatitur nga Zoti. Gjatë një koncerti ku ajo merrte pjesë si violiniste. Një nga këngëtaret u sëmurë dhe kështu, lindi domosdoshmëria të zëvendësohej. Shokët e orkestrës, që e kishin dëgjuar të këndonte, propozuan atë dhe efekti ishte i mahnitshëm. Prezantimi i parë u prit me duartrokitje pa fund nga publiku i sallës i elektrizuar nga zëri i mahnitshëm i saj.

Ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesëshme artistike. Që ka vetëm një protagoniste: Të madhen dhe të paharruarën ANITA BITRI.

Kënga e parë e Anitës në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio Tiranës për këtë këngë, vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito, mos u gabo” të Alqi Boshnjakut në Koncertin e Pranverës 1988, ku u vlerësua me çmim të parë. Talenti i Anitës nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe.

Flamur Shehu ishte i pari që do të besonte tek ajo. Dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në Dashuri”, “Abrakadabra” etj. Në këto vite triumfi Anita pranohet si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës Vlorë.

Më pas ajo korri një sukses të jashtëzakonshëm në shkallë kombëtare me koncertet e saj recitale të titulluara “Anita”.

Në çdo vit që kalonte, Anita shihej si një rrezik i madh për marrjen e çmimeve. Sepse nga kënga në këngë, nga viti në vit, konfirmohej si një këngëtare pa të cilën festivali nuk kishte kuptim. E gjitha kjo nuk u arrit veçse nga talenti i saj i padiskutueshëm, mënyra se si e interpretonte këngën, luku plot shije dhe mbi të gjitha, për faktin se ajo pati guximin të fusë elementët e rinj bashkëkohorë dhe shumë modernë për kohën. Te këngëtarja Anita Bitri gjendet gjithçka që Zoti i ka dhuruar një artisti.

Krahas këngës Anita nuk la pas dore dhe studimet, ishte vullneti dhe dëshira e saj që bën të mundur vazhdimin e studimeve të shkollës së lartë në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Ku në vitin 1989 diplomohet si mësuese kantoje. Profesionin e mësueses e ushtroi vetëm për pak muaj, pasi ajo që e thërriste ishte kënga. Zoti i kishte caktuar një mision, të lumturonte popullin e vet me zërin e saj magjik.

Koncertet recitale “Anita”, që u zhvilluan me një sukses të madh në çdo cep të Atdheut, bën që Anita të fitonte një popullaritet të jashtzakonshëm në çdo qytet të Shqipërisë. Pas një shfaqjeje të suksesshme në Tropojë, iu bë ftesa për të shkuar në SHBA. Në mars 1996 mbërrin në “tokën e premtuar”.

Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qenë i pandalshëm dhe gjithmonë në rritje. Ajo ka qenë përherë e lidhur me problemet e Diasporës Shqiptare dhe ka ndihmuar shumë në rritjen e prestigjit të artit shqiptar. Anita ishte jo vetëm një artiste e talentuar, por gjithashtu dhe një patriote e flaktë. Vlen për t’u përmendur pjesëmarrja e saj në koncertet e bamirësisë dhe aktivitete të ndryshme të Diasporës për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë. Në këtë konteks është për t’u theksuar koncerti i bamirësisë që u zhvillua në 10 prill 2000 për mbledhjen e ndihmave për fëmijët e varfër të Shqipërisë.

Për këtë koncert Anita meritoi lavdërimet dhe respektin e Presidentit të Shqipërisë, zotit Meidani për kontributin e dhënë dhe gjatë interpretimit të disa këngëve u shoqërua nga vetë gruaja e Presidentit. Ajo ishte njëkohësisht dhe një anëtare aktive e Organizatës së Gruas Shqiptare në Amerikë “Motrat Qiriazi”. Anita e shikonte pjesëmarrjen në koncertet e ndryshme të komunitetit si dhe ato bamirëse si vazhdimësi të rrugës së saj artistike. Në këtë mënyrë, talentin dhe zërin e mrekullueshëm ia dedikoi tërësisht çështjes shqiptare.

Gjatë karrierës së saj artistike, Anita është nderuar me shumë çmime e diploma në aktivitete të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Këto çmime të fituara tregojnë më së miri aftësitë e shquara të saj në fushën e artit skenik, si dhe respektin dhe vlerësimin e madh që i kanë bërë asaj juritë e ndryshme, kolegët e bashkëpuntorët e saj dhe sidomos publiku i gjerë, i cili do ta kujtoj gjithmonë Anitën si një model i përkryer i interpretimit dinjitoz të muzikës sonë.

E përse jo, ajo zotëronte një koncept të plotë për muzikën, të cilën ajo jo vetëm e ndjente, por edhe e zotëronte plotësisht. Ishte një gjeni në violinë dhe në piano ishte e talentuar, ndërsa solfexhin e njihte në përsosmëri. Por të gjitha këto suksese në jetën artistike të Anitës nuk do të bëheshin të mundura pa përkrahjen dhe respektin që tregoi publiku i dashur shqiptar, të cilin ajo e adhuronte dhe i dhuronte çaste të gëzuara me zërin e saj magjik.

Gjithashtu një rol të rëndësishëm dhe vendimtar në këtë drejtim luajti dhe lindja e Siborës. Lindja e vajzës ishte një nga dhuratat më të mëdha, që Zoti i fali. Engjëllushen e vogël Anita e rrethoi me një dashuri dhe përkujdesje të papërshkrueshme. Ajo e edukonte me respektin për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, përkujdesej në mënyrë të veçantë për ecurinë e saj shkollore, ishte një nënë e përsosur dhe një edukatore e mirë. Kënaqësinë Zoti ia shtoi me ardhjen e nënës në Amerikë, sepse Hazbija jo vetëm që ishte shumë e lidhur me Anitën por njëkohësisht ishte një nxitje në jetën e saj artistike. Duke flijuar çdo gjë me qëllim që t’i linte hapësirë krijmtarisë artistike të vajzës dhe këngëtares së saj të adhuruar. Anita ka qenë për të gjithë familjen Bitri, nderi dhe krenaria e kësaj familje.

Me ikjen e Anita Bitrit arti dhe publiku shqiptar humbi një zë të mrekullueshëm, Shqipëria një patriote të flaktë, diaspora një aktiviste dhe personalitet muzikor, familja dhe miqtë, një artiste dhe shoqe të mrekullueshme./Naishtedikur.com/

______________________

Kliko edhe:

ANITA BITRI: RRI MENDOJ E VETME, PSE TË NA NDODHË KËSHTU (TEKSTI DHE KËNGA)

ObserverKult